NGA VJOLLCA KONGJONI*

Në raportin e fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potenciale kandidate në BE, thuhet se Shqipëria ka ngadalësuar rritjen ekonomike dhe të punësimit gjatë tremujorit të dytë të vitit. Sipas të dhënave të KE, rritja ekonomike është ngadalësuar nga 2,8% në tremujorin e pare, në 2,5% në periudhën prill-qershor të vitit. Raporti vëren rritjen e disa sektorëve si ‘Ndërtimi’ dhe ‘Industria’, ndërsa ‘Bujqësia’ shihet në rënie gjatë kësaj periudhe. Po kështu edhe konsumi i brendshëm ka pësuar rënie në terma vjetor gjatë tremujorit të dytë me 3,2%. Por sipas ekonomistëve të KE kjo rënie është kompensuar nga një rritje e vazhdueshme e investimeve me 19% si dhe nga një kontribut pozitiv nga eksportet neto me 13,9%.

Duke bërë krahasimin me vendet e tjera të rajonit KE vlerëson se ka pasur disa surpriza pozitive për pjesën më të madhe të vendeve, që kanë përfituar nga rritje më të lartë sesa pritej e të ardhurave, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës. Në gjysmën e parë të vitit të ardhurat nga mbledhja e taksave në Shqipëri rezultuan më pak se objektivi me 7,4%, kjo për shkak të parashikimeve tepër optimiste nga qeveria, rënies së inflacionit apo dhe rënies së çmimit të naftës. Kjo shkaktoi rishikim të buxhetit nga ana e qeverisë thuhet në raport, ku objektivat për mbledhjen e të ardhurave u ulën  me 3,9%. Performanca ishte e dobët edhe përsa u përket shpenzimeve, kryesisht ato kapitale në rënie me 9,7%, shpenzimet buxhetore lokale (-7,1%) dhe shpenzimeve operative (-6.1%). Pas një rritje prej 10.7% në terma vjetorë, borxhi publik qëndroi në 70.4% të PBB-së në tremujorin e parë (pa shumën që qeveria ende u detyrohet bizneseve), vlerëson raporti.

Përsa i përket punësimit KE thekson se në Shqipëri, rritja e punësimit u ngadalësua në tremujorin e pare. Norma e papunësisë  në gjysmën e parë të vitit ka mbetur në 17,3% për kategorinë 15-64 vjeç, ndërsa tek të rinjtë papunësia ka vijuar të rritet në terma vjetorë në 34,2%. Duke analizuar reformat e qeverisë, KE vlerëson atë në sektorin e energjisë me rritjen me 50% tw pagesave te faturave. Ndërsa mbi aksionin kundër informalitetit, ekspertët europianë vërejnë se në këtë fushatë u përfshinë kontrolle të shumta ndaj bizneseve si dhe forcime të penaliteteve. Si rezultat i këtij aksioni thuhet se është rritur pjesërisht regjistrimi i bizneseve në gusht-shator.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb