Raporti i fundit i Komisionit Evropian ka konstatuar se në Serbi presioni politik mbi institucionet e drejtësisë mbetet i lartë.

Në raport ndër të tjera thuhet se përkundër hapave të ndërmarrë për të reduktuar ndikimin, presioni politik mbi gjyqësorin dhe prokurorinë mbetet i lartë.

Efektet e këtyre hapave thuhet se mbeten për tu parë, por thuhet se ka pak ose aspak ndjekje të rasteve të ndikimit në sistemin e drejtësisë.

Për këtë raport ka shkruar edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, tani  këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Ragmi Mustafi.

Ai ka shkruar se raporti konstaton se Serbia ka bërë përparim të kufizuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit. “Është e papranueshme që ndikimi politik të vazhdojë të ekzistojë mbi gjyqësorin tonë, duke minuar drejtësinë dhe besimin e qytetarëve. Përmirësimi i pavarësisë së gjyqësorit nuk mund të jetë vetëm një objektiv në letër, por duhet të jetë një përparësi reale dhe konkrete. Lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë serioze, dhe mungesa e masave të efektshme kundër korrupsionit është pengesë e madhe për zhvillimin demokratik dhe ekonomik”, ka shkruar Mustafi në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se sipas raportit gjendja e lirisë së mediave është po ashtu alarmante. “Mediat vazhdojnë të përballen me presion dhe kërcënime, dhe pluralizmi mediatik është i kufizuar”, ka shkruar Mustafi.

Sipas Mustafit raporti ka konstatuar se proceset zgjedhore ne Serbi, nuk përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb