Komisioni Europian ka publikuar raportin mbi performancën ekonomike për tre mujorin e fundit të vitit 2018 të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate në BE. Raporti analizon edhe ekonomitë e Shqipërisë, ku sipas statistikave, vendi ynë ka shënuar rritje ekonomike në tre mujorin e tretë të 2018-s ndërkohë që për vitet 2019 dhe 2020 parashikohet rritje me 3.9, shifër që shënon rritjen më të lartë ekonomike të vendeve të  Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket papunësisë, parashikohet që gjatë 2019 dhe 2020 shifrat të shënojnë ulje. Sipas raportit të KE, papunësia pritet të ulet në 11.1 %  gjatë këtij viti dhe 10.6 % vitin e ardhshëm, shifra që  mund ta rendisin vendin tonë si vendin me më pak papunësi në Ballkan. Përsa i përket punësimit, komisioni Europian bën të ditur se tregu ka ndjekur tendencën e zgjerimit ekonomik. Përgjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar, punësimi mes moshës nga 15-64 vjeç rezultoi në rritje me 1.8%, në rang vjetor, ndërsa punësimi në sektorin privat, me përjashtim të bujqësisë u rrit me 7.5%.

Pagat në sektorin privat kanë treguar rritje të fortë me një mesatare plus 15 pikë në të gjithë sektorët. Ndërsa pagat në sektorin publik kanë shënuar një tkurrje të lehtë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017. Sa i përket zhvillimet monetare, në raport thuhet se Banka Qendrore vijoi blerjen e monedhave të huaja, për të parandaluar mbiçmimin e lekut përballë euros. Në fund të dhjetorit 2018, leku u forcua me 7.36% përballë euros, krahasuar me dhjetorit e vitit 2017. Komisioni Europian konfirmon parashikimin e Bankës së Shqipërisë se, inflacioni do të shkojë brenda objektivit prej 3%, në vitin 2020.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb