TIRANE-Gjobat për shkeljen e ligjit të deklarimit të pasurive duhet të dhjetëfishohen dhe ILDKP duhet të ketë të
drejtë të konfiskojë pasuritë e paligjshme.

E perditshmja ‘Panorama’ shkruan sot se këto janë dy nga 29 rekomandimet që Drejtoria e Zgjerimit në Komisionin Europian i kanë bërë qeverisë shqiptare. Një raport me rreth 60 faqe, prej disa ditësh i ka shkuar Ministrisë së Integrimit, Ministrisë së Çështjeve Vendore dhe vetë ILDKP-së.

REKOMANDIMET
Komisioni Europian ka dërguar në muajin shtator një ekip në Tiranë, të kryesuar nga profesori i Drejtës
Publike, Guillaume Tusseau. Në përfundim të takimeve me qeverinë dhe vetë ILDKP, ekipi i KE-së ka hartuar
një raport në të cilin thuhet se “me amendament ligjor, shuma e gjobave administrative që mund të vendosen nga Inspektori i Përgjithshëm duhet të rritet me të paktën dhjetë herë. Me amendament
ligjor, ILDKPKI-së duhet t’i jepet autoriteti për konfiskimin e pasurimit të paligjshëm. Me amendament
ligjor, një pjesë e vogël e shumës së gjobave që ekzekutohen drejtpërdrejt duhet t’i atribuohet buxhetit
të pavarur të ILDKPKI”.

MANDATI
Rekomandimet përmbajnë gjithashtu zgjatje të mandatit të kreut të ILDKPsë në shtatë ose 9 vjet, nga 5
që është aktualisht, si dhe marrjen e një vendimi nga Kuvendi që pagat e punonjësve të Inspektoratit të Pasurive të mos jenë në atë nivel që të ndikojnë negativisht në punën e institucionit. “Me amendament ligjor legjislativ, duhet të specifikohet se: (a) një draft i buxhetit përgatitet nga vetë ILDKPKI; (b) ky draft automatikisht dhe pa asnjë amendament përfshihet nga qeveria në buxhetin e shtetit, dhe kalohet në Kuvend; (c) qeveria mund të propozojë ndryshime vetëm në një dokument të veçantë
dhe vetëm duke dhënë një argumentim të fortë; (d) Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të dëgjohet gjatë debateve parlamentare për buxhetin; (e) një nivel minimal i burimeve i garantohet ILDKPKI”,
thuhet më tej në listën e gjatë të rekomandimeve.

Ekspertët e Komisionit Europian rekomandojnë gjithashtu që me anë të ndryshimeve ligjore t’i krijohet mundësia ILDKP-së të kontrollojë një zyrtar dhe familjen e tij deri në pesë vite pasi lë detyrën.
“Me amendamente ligjore, duhet të krijohet mundësia e një auditimi të ri të plotë për çdo person dhe të afërmit e tij/saj pesë vjet, pasi ai/ajo e ka lënë detyrën. Me amendament ligjor, duhet të përcaktohet
kryerja e pesëdhjetë auditimeve të plota me short për çdo vit. Me amendament ligjor, dhe në përputhje me
mbrojtjen e të dhënave personale, ILDKPKI duhet të ketë akses direkt në çdo database që i duhet të përmbushë misionin e saj të auditivit”, thuhet në dokument.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb