TIRANË- Në Komisionin e Ligjeve është parashikuar që në orën 11.00 të shqyrtohen dy raporte të rëndësishme për gjendjen e kriminalitetit në vend. Ai i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe ai i Ministrisë së Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Por opozita ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e mbledhjes. Nëpërmjet një letre drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarët e grupeve të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili shprehin kundërshtimin e opozitës për zhvillimin e mbledhjes sipas tyre në shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit.

Spaho dhe Vasili argumentojnë se, ndryshe nga sa parashikon neni 29, raportimi është futur në rend dite pa qenë më parë në kalendarin e punimeve të Kuvendit, i miratuar deri në fund te sesionit.

Sipas tyre, shkelja tjetër flagrante e Rregullores është caktimi i programit dhe kalendarit të Komisionit nga kryetari Ulsi Manja pa u këshilluar më parë me nënkryetarin Alibeaj, siç e detyron neni 33 i Rregullores së Kuvendit.

Në kërkesën drejtuar Ruçit, kryetarët e grupeve të opozitës theksojnë se dy raportet janë voluminoze dhe duan një kohë të mjaftueshme për shqyrtim serioz. Për më tepër, ata vënë në dukje se dy anëtarë të opozitës, përfshirë nënkryetarin janë me detyrë nga Kuvendi jashtë vendit.

Duke cituar kompetencat e Kryetarit, Spaho dhe Vasili i kërkojnë kryeparlamentarit Ruçi të anulojë mbledhjen e orës 11:00, që siç thonë ata, zhvillohet në shkelje të 4 neneve të Rregullores.

Duke e konsideruar Rregulloren e Kuvendit si garantuesen e vetme të bashkëjetesës politike në Kuvend, kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës theksojnë se shkeljet e vazhdueshme të maxhorancës po e minojnë këtë bashkëjetesë.

“Nëse veprimet arbitrare të përfaqësuesve të maxhorancës, në shkelje të Rregullores, mbështeten nga ana juaj, atëherë jeni duke vënë seriozisht në rrezik bashkëjetesën demokratike midis maxhorancës dhe opozitës në Kuvend”- thuhet në kërkesën e kryetarëve të opozitës, të cilët akoma nuk kanë marrë një përgjigje nga Kryetari i Kuvendit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb