TIRANE – Nxënësit kanë probleme serioze në krijimin e teksteve. Ata nuk arrijnë të shprehin qartë idetë që kanë, janë të paorganizuar dhe shkruajnë me shumë gabime drejtshkrimore. Vështirësi të mëdha kanë edhe në zgjidhjen e ekuacioneve matematikore dhe në përvetësimin e njohurive gjeometrike. Pjesë nga raporti “Vlerësimi Kombëtar për lëndët: Gjuhë shqipe, Matematikë, Dituri natyre, klasa 3 dhe 5″ Janë këto disa nga gjetjet e raportit të Ministrisë së Arsimit për vlerësimin e njohurive të nxënësve të klasave të treta dhe të pesta në të gjithë vendin, në lëndët Gjuhë shqipe, Matematikë dhe Dituri natyre.
RAPORTI
Raporti i bërë publik nga MAS vëren se fëmijët kanë mangësi të theksuara në hartimin e eseve. 24.11% e nxënësve të klasave të treta nuk ka shkruar asgjë në lidhje me pyetjen e hapur (ese), 31.17% kanë marrë vetëm 1 pikë në këtë pyetje, që do të thotë se tek ata vihet re një përpjekje minimale për të dhënë një ide, gjë që vihet re edhe në paqartësinë e asaj që duan të shprehin, janë të paorganizuar dhe teksti i shkruar përmban shumë gabime drejtshkrimore apo i përdorin gabim shenjat e pikësimit. Sakaq, vetëm 21.66% e tyre kanë marrë pikët maksimale për këtë pyetje. Edhe për nxënësit e klasave të pesta, mangësitë në krijimtari janë të theksuara. “Rreth 34 % e nxënësve kanë marrë 0 pikë në pyetjen ese, pra ata nuk i janë përgjigjur pyetjes ose përpjekja e bërë ka rezultuar e gabuar. Ndërkohë 17.54% e nxënësve kanë marrë 1 pikë. Vështirësi janë vërejtur edhe në përvetësimin e njohurive gjeometrike, në zgjidhjen e ekuacioneve, si edhe në kryerjen e veprimeve me thyesa. “43% e nxënësve nuk dinë të zgjidhin ekuacionin, 45% e nxënësve dinë të kryejnë saktë veprimet me numra dhjetorë dhe 51 % e nxënësve dinë të kryejnë saktë veprimet me thyesa. Shqetësues mbetet përvetësimi i njohurive gjeometrike, ku 45% e nxënësve marrin 0 pikë”, thuhet më tej në raport. Zhvillimi i pyetësorëve u bë gjatë periudhës shtator-prill të vitit shkollor 2013-2014. Në testim kanë marrë pjesë 1062 nxënës në klasën e tretë dhe 1291 nxënës në klasën e pestë. Ky numër nxënësish përben rreth 3% të të gjithë nxënësve që mësojnë përkatësisht në klasë e tretë dhe në klasën e pestë, në të gjithë vendin. Rrjedhimisht, në testim u përfshinë rreth 100 shkolla nga i gjithë vendi. Raporti jep të dhëna në nivel kombëtar për arritjet e nxënësve në shkollat publike dhe private të arsimit të detyruar, ku këto të fundit kanë prodhuar rezultate më të larta tek nxënësit. Gjithashtu, në këtë raport jepen të dhëna për arritjet e nxënësve sipas përkatësisë gjinore, meshkuj-femra, urbanizimit fshat¬qytet si dhe për karakteristikat e testeve të provimit në tërësi apo kërkesave të testeve në veçanti.
FAKTORËT ME NDIKIM
Niveli arsimor i mësuesve, cilësia e dobët e teksteve shkollore dhe fiktiviteti në vlerësimin e nxënësve janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e këtij raporti. Pra, mangësi ka pasur edhe në sistem, pasi duke mos pasur kritere kombëtare vlerësimi në shkollë, është krijuar pështjellim për vlerësimin me notë të nxënësve. Në këtë renditje nuk është lënë pa përfshirë edhe niveli social dhe ekonomik i familjeve.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb