Dy ditë pasi OSBE/ODHIR publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit, ka reaguar ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Në një konferencë për mediat, Cakaj tha se raporti në fjalë tregoi edhe një herë se zgjedhjet ishin demokratike.

Po ashtu ai pohoi se në raportin në fjalë vihej theksi tek dhuna ndaj institucioneve e ushtruar nga PD dhe LSI, (para dhe pas zgjedhjeve). “Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 nuk kanë qenë vetëm zgjedhje demokratike, por në fakt edhe vendosje e një shembulli të pakthyeshëm historik se duke dëshmuar se qëndrueshmëria institucioneve është me e lartë sesa shuma e interesave partiake. Zgjedhjet e tejkaluan sjelljen e dhunshme. Raporti i OHDIR e cilëson sjelljen e PD dhe LSI, në raport me godinën e Kryeministrisë, si të dhunshme.

Një ditë pas zgjedhjeve më me rëndësi sesa emrat e rinj që janë legjitimuar në këtë proces, ka qenë dëshmia se braktisja e parlamentit nuk mund të përkthehet në avancim institucional. Kësaj radhe kemi pasur shumë më shumë sesa bojkoti nga opozita. Jemi ekspozuar nga një dhunë vandaliste para dhe pas procesit zgjedhor. Këtë e thotë edhe raporti. Madje kemi pasur tentativa për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Tashmë me publikimin e raportit, ekziston një opinion se procesi zgjedhor ka qen i rregullt”, tha ai.

Më tej, ministri Cakaj iu përgjigj edhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha mbrëmjen e kaluar se raporti i OSBE/ODIHR dëshmoi rrëzimin e shtetit. Çakaj tha se është e rëndësishme që raporti të lexohet në mënyrë të përgjegjshme.

“Mbrëmë dëgjova Bashën që tha se ky raport dëshmoi rrëzimin e shtetit. Është e rëndësishme që leximi i raportit të bëhet në mënyrë kompetente dhe të përgjegjshme”, tha ministri.

Lidhur me dekretin e Presidentit Ilir Meta për rrëzimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh lokale dhe shpalljen e 13 tetorit për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, ministri deklaroi se kjo datë është shpallur e pavlefshme.

“Zgjedhjet e 13 tetorit janë shpallur të pavlefshme dhe për këtë është mirë që Gjykata Kushtetuese të japë një përgjigje ligjore. Konfirmoj gatishmërinë e plotë për të dëshmuar përpjekjet e shtuara për reformën elektorale. Është shumë e rëndësishme që kjo reformë të mos reduktohet në një ndërmarrje teknike, pasi pasojat që do vijnë pas saj janë tërësisht politike. Është e rëndësishme që kjo reformë të vendosë bazën njëherë e përgjithmonë, se në Shqipëri nuk do të ketë më cenim të zgjedhjeve dhe rezultateve zgjedhore”, u shpreh Cakaj.

Pjesë nga deklarata:

Gjatë këtyre ditëve është diskutuar mbi përmbajtjen e raportit. Ka ekzistuar një përpjekje për të keqinterpretuar referencat e jashtme. Po shfrytëzohet një raport ndërkombëtar për të legjitimuar një proces të rregullt zgjedhor.

Nuk mund të identifikohet shuma e problemeve jashtë shkaktarëve të tyre. Ky raport është më shumë kritik për opozitën, se sa delegjitimim i procesit zgjedhor. Më duhet të zbërthej disa nga gjetjet kryesore të raportit.

Së pari, raporti sqaron se në Shqipëri më 30 qershor zgjedhjet janë zhvilluar pa një mundësi kuptimplotë të zgjedhjeve midis grupaksioneve. Nuk ka prag minimal për numërimin e votave. Qeveria nuk merr përgjegjësi për garantimin e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Raporti thekson se klima ka qenë e polarizuar dhe nuk i ka kushtuar vëmendje programeve. Kjo është rrjedhojë e atyre që kanë bojkotuar procesin. Opozita në veçanti ka ushtruar presion madhor në elektoratin në shkallë të lartë, kryesisht në bashkitë e drejtuara prej tyre. Numri i pjesëmarrësve të 30 qershorit është më i lartë se në vitin 2015.

Në asnjë moment raporti nuk del në përfundim se situata në zgjedhje u shkaktua nga qeveria, por për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe bojkotit opozitar. ODIHR konstaton se procesi ka qenë i rregullt.

Një tjetër problem në raport është edhe se KQZ nuk ka pasur ekuilibër, se opozita ka bojkotuar zgjedhjet. Nuk mund të delegjitimohet procesi zgjedhor dhe as të fajësohet qeveria.

Keqpërdorimi i burimeve të administratës publike – raporti bëhet konkret dhe flet me referenca të sakta e shembuj të veçantë, për të konfirmuar këtë shqetësim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: