Diplomati dhe ish-deputeti i PD, Besnik Mustafaj, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News 24, raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 30 qershorit, duke thënë se ky raport rrëzon zgjedhjet e 30 qershorit.

“Është një raport që rrëzon zgjedhjet e 30 qershorit. Thotë se është shkelur ligji, duke filluar që nga mos botimi në Fletoren Zyrtare i dekretit të Presidentit, që KQZ veproi në kundërshtim me ligjin, që shqiptarët nuk patën zgjedhje, sepse nuk morën pjesë një pjesë e madhe, që u bë presion, nuk u lejuan vëzhguesit të marrin pjesë në mbylljen e kutive. Unë ju siguroj që raporti i vitit 1996 është më pak kritik se ky raport”, deklaroi Mustafaj.

A ndikuan të dhënat e PD?
Asnjëherë nuk ndikojnë të dhënat, misioni bën vëzhgimet e veta. Opozita nuk ndikoi në substancën e raportit. Shqiptarët nuk patën mundësi zgjedhjeje.

Ky është një raport që i thotë gjërat e zezë mbi të bardhe se klasa politike duhet të nxjerrë konkluzionet e saj. Në radhë të parë mazhoranca, e ka detyrim kushtetues.

A mund të ndikojë raporti në vlefshmërinë e zgjedhjeve?
Raporti bën përshkrimin analitik të asaj çka vëzhguesit kanë parë. Ne nxjerrim konkluzionin se këto zgjedhje janë të pavlefshme.

Vizita e zyrtarit të DASH …
Ne pak dimë, DASH nuk ka dhënë thuajse fare informacion. Por, kjo tregon një preokupim. Ai është i ri në detyrë dhe normal që do të vinte, por nuk ka pasur një mision të veçantë.

Zgjedhjet e 30 qershorit janë lënë si mënjanë, rëndësi ka Reforma në Drejtësi …
Raportin e OSBE/ODIHR e krahasove me atë të zgjedhjeve të rrëzuara të 1996. Reforma në Drejtësi është prioritet absolut i SHBA dhe BE. Mendimi i përgjithshëm është se këtë reformë do ta bëjnë me këto institucione që janë, se nuk ka kohë për institucione të reja. Fill pas reformës do të kemi zgjedhje.

Raporti i OSBE duhet të prodhojë detyrimisht zgjedhje lokale, për t’i dhënë pushtetit vendor larmi. Ne dëgjojmë numrin dy të PS që thotë se Shkodrën do ta qeverisë nënkryetari. Kryetari i Shkodrës ka rënë, me shumë gjasa do bjerë edhe i Vorës. Vesi i përfshirjes së njerëzve të inkriminuar në PS është bërë i pashërueshëm.

Si janë institucionet pas këtij raporti?
I rrëzon ky raport institucionet që merren me zgjedhje. Rrëzon KQZ, Kolegjin Zgjedhor, administratën vendore zgjedhore.

Nisja e protestave nga opozita, si e shihni këtë pjesë?
Protestat janë të domosdoshme në kushtet kur opozita mungon në të gjitha institucionet. Protestat janë shprehje e pakënaqësisë, nga përmasat që do krijojnë këto protesta, do kuptohet pakënaqësia. Por, protestat nuk mund të jenë gjithçka. Nëse gjithçka fokusohet te protestat, opozita nuk e ka bërë punën e saj. Opozita duhet të hartojë programe, për t’i paraqitur alternativën e vet qytetarëve dhe ndërkombëtareve për t’u bërë e besuar që nesër mund të qeverisë. Nëse nuk e bën këtë gjë, opozita s’e ka bërë detyrën.

Meta të hënën përballë Komisionit Hetimor …
Besoj se të dyja palët po bëjnë një protagonizëm të tepruar. Ky komision nuk ka kuptim, u ngrit për të larguar vëmendjen nga problematikat reale që ka kriza. Meta deri tani e ka qeverisur mirë situatën e vet, por protagonizmi i tepruar mund t’i bëhet jo produktiv. Tha se ishte i gëzuar që do shkonte të bënte një duel. Ulsi Manja është i padenjë për t’i bërë gjyqin Presidentit. Teprimi nuk i bën mirë situatës. Por, nëse edhe Presidenca, si qeliza e vetme, bie, shteti del jashtë kontrollit.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb