TIRANE- Raporti i publikuar në disa media, të cilat pretendojnë se bëhet fjalë për një raport konfidencial të OSBE-së, ka ngjallur reagimin e deputetëve që përfliten si persona të lidhur me krimin.

Në një reagim të shkurtër nga selia rozë, deputeti socialist Paulin Stërkaj tha se nuk është aspak i shqetësuar, pasi bëhet fjalë për spekulime të mediave dhe rrjeteve sociale.
“Akuzohem sikur s’kam shkolle, sikur kam bërë ca krime, ca gjera. S’kam asnjë lloj dëshmie, asgjë. Unë duhet me u shqetësu? Janë mediat qe spekulojnë dhe rrjetet sociale”- deklaroi Stërkaj.

Në lidhje me këtë raport ka reaguar edhe deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima, duke e quajtur sulm dhe përbaltje për institucionet e vendit. “Raporti i OSBE-së është një sulm dhe përbaltje për institucionet”,- tha ai duke kërkuar që t’i vihet në dispozicion dokumenti ku bazohet OSBE. Këto deklarata si i bëri në përfundim të mbledhjes së Grupit të Parisë Socialiste.

Ndërkohë të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, edhe tre deputetët e Partisë Demokratike, Roland Keta, Kozma Dashi, Bedri Hoxha dhe Agron Duka nga Partia Republikane, mohojnë çdo implikim të tyrin në veprimtari kriminale ose të jashtëligjshme, duke e cilësuar raportin si fyes dhe të pabazuar në asnjë fakt .
Roland Keta – “Këtë shqetësim do ta shpreh edhe në seancën e ardhshme plenare. Unë jam për dekriminalizimin e Parlamentit, por jo që të fyhen intelektualët”
Agron Duka – “Po çfarë raporti është ai. Ndër 700 grupe kriminale që kanë nxjerrë, unë regjistrohem me pistoletë në xhep. Vetëm raport nuk është ai. Këto janë budallallëqe”
Bedri Hoxha – “Para vitit 2003 kam punuar me vëllain, kam qenë pjesë e kompanisë së tij, por unë s’kam asnjë lloj aksioni aty, pasi po të kisha, do ta kisha ndarë përgjysmë me ata të OSBE-së”
Kozma Dashi – “Ajo që është paraqitur atje është pasqyruar në raport dhe asgjë më shumë e asgjë më pak. Pra, e thënë shkurt, nuk bëhet dot asnjë koment për diçka që s’ka asnjë koment”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: