BRUKSEL- Komisioni Evropian prezantoi sot raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2015, në të cilin vlerësohet nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA-në), ndërsa kritikon veprimet e opozitës në Kuvend.
Raporti për Kosovën është pjesë e Pakos së Zgjerimit për vitin 2015 i cili u adoptua sot nga Komisioni Evropian. Komisioni, sipas raportit të siguruar Koha.net, ka arritur në përfundimin se Kosova ka arritur progres; në tetor të 2015-ës, BE nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA-në) me Kosovën.
Raporti vlerëson se ky është një gurthemel për rrugën e Kosovës drejt të ardhmes Evropiane, pasi, siç theksohet më tej, MSA-ja është marrëdhënia e parë kontraktuale në mes të BE-së dhe Kosovës.

Kosova ka përmbushur dy prej përkushtimeve kyçe ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës ka votuar në favor të amendamenteve kushtetuese për themelimin e Dhomave të Veçanta në muajin gusht, pas dështimit të parë për të kaluar në votim gjatë muajit qershor.

Kosova, sipas raportit ka konfirmuar gjithashtu përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duke arritur marrëveshje me Beogradin për çështjet si energjia, telekomi dhe ura e Mitrovicës si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, raporti vë në pah edhe pengesat e dhunshme gjatë seancave plenare nga deputetë të opozitës të cilat thotë se kanë ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit. Kjo duhet zgjidhur me urgjencë.

Raporti thekson gjithashtu se shumë institucione të pavarura nuk janë operative. Si Qeveria, ashtu edhe Kuvendi duhen që me urgjencë të sigurojnë se këto institucione mund t’i vazhdojnë detyrat e tyre, duke aplikuar parimet kyçe të llogaridhënies, kualifikimit profesional dhe meritës. Zgjedhja e fundit e Avokatit të Popullit ka qenë zhvillim pozitiv në këtë aspekt.

Qeveria, thotë më tej Raporti i Progresit të cilin e ka parë Koha.net, ka rritur fokusin e saj në reformën e administratës publike. Ka bërë progres në kornizën ligjore dhe atë strategjike, por llogaridhënie dhe efiçienca duhen përmirësuar. Konsultimet me shoqërinë civile duhet të jenë më sistematike. Mbikëqyrja parlamentare e implementimit të buxhetit duhet të jetë e besueshme dhe transparente. Edhe menaxhimi i shëndosh financiar nëpër institucionet publike duhet të garantohet.

Kosova ka miratuar me sukses një organ themelor për legjislacion në fushën e sundimit të ligjit. Megjithatë, sistemit gjyqësor i mungon llogaridhënia dhe burimet, dhe i nënshtrohet ndërhyrjeve politike. Kosova duhet të zhvillojë një historik mbi rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Themelimi i Forcës Anti-Korrupsion ka qenë hapi i parë. Krimi i organizuar mbetet një çështje shumë brengosëse. Miratimi i pakos ligjore për të drejtat e njeriut qartëson rolet e institucioneve të ndryshme. Megjithatë, zbatimi po pengohet për shkak të mungesës së burimeve, vështirësive dhe për shkak të një kornize nën-optimale institucionale. Transmetuesi publik vazhdon të jetë i prekshëm nga ndikimi i paligjshëm politik.

Kosova, siç thekson më tej Raporti i Progresit, vazhdon të shtrijë pjesëmarrjen në takime bashkëpunimi rajonale dhe multilaterale. Çështja e statusit e detyron atë të adoptojë një qasje të pragmatizmit të durueshëm. Vazhdimi i përkushtimit ndaj dialogut me Serbinë, i lehtësuar nga BE, vazhdon të jetë prioritet.

Raporti i Progresit flet edhe për nivelet shumë të ulëta të fuqisë pjesëmarrëse punëtore së bashku me shkallën e lartë të papunësisë, pengon zhvillimin ekonomik. Rekomandimet e Këshillit për Programin e Parë të Reformës Ekonomike në Kosovë duhet të çohen deri në fund. Zhvillimi ekonomik ka rënë në 0.9% – nën mesataren e dhjetë vjetorit të fundit prej 3.5% – kryesisht për shkak të pasigurisë politike dhe konsumit më të ulët se që është menduar privat.

Progres Raporti për Kosovën, i publikuar nga Komisioneri Johannes Hahn, thotë se deficiti i vazhdueshëm tregtar reflekton një bazë të dobët të prodhimit dhe mungesë të konkurrencës ndërkombëtare. Një sektor joefikas publik dhe hartimi ad hoc i politikave fiskale përbëjnë rreziqe të konsiderueshme fiskale. Për të rritur konkurrencën, duhen bërë investime shtesë në kapitalin njerëzor dhe në infrastrukturën fizike. Ndërhyrjet politike në ekonomi duhet të ulen.

Raporti i Progresit thotë se Kosova është në fazën e hershme të shtrirjes në shumicën e fushave. Është bërë progres në prokurimin publik, por Kosova duhet të forcojë kapacitetin e organeve të saja të prokurimit publik. Për sa i përket kontrollit financiar, është bërë progres i mirë, por duhen bërë përpjekje rrënjësore për të siguruar kontroll të shëndoshë të brendshëm financiar përgjatë administratës publike dhe në ndërmarrjet shtetërore.

Në fusha tjera të përafrimit, Raporti thotë se institucionet e Kosovës kanë demonstruar kapacitetin e tyre për të realizuar prioritetet politike, në veçanti për sa i përket përgatitjes së implementimit të MSA-së. Kapaciteti mbikëqyrës i Bankës Qendrore të Kosovës është i mjaftueshëm. Megjithatë, nuk ka pasur progres në fushën e konkurrencës.

Raporti thotë se zhvillimi bujqësor po pengohet nga produktiviteti i ulët. Mungesa e përgjithshme e interesimit në ambient ndikon negativisht në shëndetin publik dhe në cilësinë e jetës në Kosovë.

Ja raport-progresi i plotë:

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/11/20151110_report_albania.pdf”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: