SHBA- CIA amerikane është ndihmuar edhe nga vende të tjera, për të realizuar procesin e marrjes në pyetje me anë të torturave të personave të dyshuar si terroristë, dhe në listën e këtyre vendeve hyn edhe Shqipëria.

Kjo bëhet e ditur në raportin e Senatit amerikan, i cili thekson se Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, ka torturuar persona të dyshuar si terroristë pas sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, dhe për këtë është ndihmuar nga shumë vende të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

“CIA dhe autoritete të tjera të SHBA­së nuk kanë vepruar të vetme, por kanë krijuar marrëdhënie me një sërë partnerësh për të ndihmuar në zhvendosjen, torturën dhe arrestimin sekret të atyre që SHBA dyshonte se kishin lidhje me terrorizmin”, thuhet në raport.

Në raportin prej 6700 faqesh, lexohet se një nga vendet qe lehtësuan punën e CIA­s ishte edhe Shqipëria, por nuk sqarohet se ku konsistonte saktësisht “puna” e secilit vend.

“Lista e vendeve europiane që ishin bashkëfajtore në fluturimet e fshehta të CIA-S dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme të saj janë: Lituania, Britania e Madhe, Gjermania, Spanja. Portugalia, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Islanda, Austria, Republika Çeke, Italia, Maqedonia Greqia, Qipro, Kroacia, Bosnjë Hercegovina dhe Shqipëria” bën të ditur “The Guardian”.

Sipas informacionit të përpiluar nga “Fondacionet e Shoqërisë së Hapur”, të paktën 54 qeveri të ndryshme kanë bashkëpunuar me CIA-n në këto aktivitete. 21 prej tyre janë vende europiane, 17 prej të cilave në atë kohë anëtare ose që prisnin të bëheshin anëtare të Bashkimit Europian, shkruan më tej “The Guardian”.

Komisioni i Senatit amerikan ka bërë të ditur se CIA kishte keqtrajtuar të burgosur që i dyshonte për terrorizëm dhe nuk i kishte dhënë informacionin e plotë kongresit dhe publikut lidhur me efektivitetin e këtyre metodave për të nxjerrë të dhëna nga të dyshuarit. Ndër metodat e përdorura ishin privimi i gjumit dhe simulimi i mbytjes në ujë.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb