Nga: Vjollca Kongjoni*

TIRANË- Kreditimi i biznesit vijon trendin rënës edhe për tremujorin e tretë të vitit. Sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë edhe gjatë periudhës korrik-shtator 2015, bankat nuk i kanë lehtësuar kreditë për bizneset, kjo nga rritja e rrezikut për moskthimin e kredisë. Por sipas Bankës në shtrëngimin e kredidhënies ka ndikuar edhe situata makroekonomike e vendit.

Nga ana tjetër edhe kërkesa e biznesit për kredi ka shkuar drejt rënies për nëntë muaj me radhë. Sipas raportit të BSH, rënia më e madhe ka ardhur nga ndërmarrjet e mëdha kryesisht për financim të investimeve. Ndërkohë që interes më të lartë për kredi ka treguar biznesi i vogël.

Nga të dhënat e bankës qëndrore stoku total i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin deri në fund të gushtit, rezultoi me 13,6 miliardë lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon uljen e interesit të bizneseve për të investuar për zgjerimin e aktivitetit të tyre me kredi të reja.

Disi më ndryshe qëndrojnë standardet e kredidhënies për individët, të cilat vijuan prirjen lehtësuese gjatë tremujorit të tretë. Ndërsa edhe kërkesa për kredi vlerësohet në rritje gjatë kësaj periudhe, ndonëse balancat neto që bankat raportojnë janë më të ulëta krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm rreth 17.9% nga 29.9%. Ulja e besimit të konsumatorëve ka ndikuar negativisht në ecurinë e kërkesës për kredi.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: