MAQEDONI- Ish-presidenti maqedonas, Boris Trajkovski dhe pasagjerët e tjerë të ndodhur në avion me të, kanë humbur jetën para se avioni të rrëzohej. Kjo bëhet e ditur nga mediat serbe, të cilat i referohen një raporti për aksidentin e vitit 2004, i cili nuk është zbuluar ende zyrtarisht.

 

Lajmi për brendinë e raportit doli fillimisht nga e përditshmja “Vest” e Shkupit. Raporti ndërkombëtar iu dorëzua dje autoriteteve maqedonase dhe sipas burimeve, 8 pasagjerët humbën jetën gjatë një shpërthimi në avion para se të rrëzohej.

 

Raporti do të publikohet zyrtarisht brenda 20 ditëve, kur pritet të dalin detaje të mëtejshme rreth aksidentit të dyshimtë. Trajkovski ishte presidenti i dytë i Maqedonisë qëkur republika ish-jugosllave shpalli pavarësinë.

 

Ai u nda nga jeta më 26 shkurt në vitin 2004, teksa avioni me të cilin udhëtonte drejt një konference ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, u rrëzua. Lidhur me tragjedinë pati dyshime të ndryshme, ndërsa hetimet e para bënë të ditur se shkak ishin veprimet e ekuipazhit të bëra në procedurën e kalimit të aeroportit të Mostarit në kushtet e motit të keq. Trajkovski u zgjodh president në vitin 1999, si anëtar i VMRO-DPMNE.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: