TIRANE

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me progres raportin e KE për Shqipërinë.


“Progres Raporti i Shqipërisë është një arsye më shumë për opozitën dhe gjithë qytetarët shqiptarë të mos tërhiqen në kauzën e tyre, të drejtën legjitime ku vlerat europiane fillojnë me votën e lirë dhe mundësinë për të zgjedhur! Rekomandimi pozitiv është pjesë e statusit të Shqipërisë që prej vitit 2016 dhe askush nuk e mendonte 3 vite më parë, se ne do të endeshim kaq gjatë, në pritjen e pafundme të çeljes së negociatave dhe zvarritjes në keqqeverisje të një qeverie që është dehur nga pushteti!” shkruan Kryemadhi ndërsa thekson se e vlerëson këtë raport më shumë se çdo raport tjetër.


“E vlerësoj këtë raport më shumë se çdo raport tjetër, pasi më në fund risjell në vëmendje shtyllën kryesore të ekzistencës së një shteti, ekonominë. Në fund të fundit integrim do të thotë një ekonomi më e fortë dhe më konkurrente, do të thotë më shumë investime dhe vende pune. Por vizioni i cunguar i një artisti nuk mundet kurrë të kuptojë nevojën ulëritëse që ka çdo familje shqiptare për të ndjerë siguri, për të ushqyer fëmijët e për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. Për të dhe qeverinë e tij, koncesionet dhe PPP janë e vetmja alternativë, për të falimentuar shqiptarët dhe për të pastruar paratë e pista.


Unë jam e bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë integrimin, kur të largojmë një herë e mirë, atë që sot mban peng këtë aspiratë të madhe, atë që mban peng të ardhmen e të rinjve tanë.LSI ka qenë dhe mbetet partia e integrimit europian. Historia e ka bërë tashmë atë pjesë të pandarë të këtij procesi që në arsyen pse u krijua, në liberalizimin e vizave dhe në statusin e vendit kandidat. Ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit mundësinë e çeljes së negociatave, por jo në partneritet me krimin, por vetëm me shqiptarët! Era e ndryshimit është shumë pranë dhe bashkë me të, edhe Shqipëria Europiane!” -përfundon Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Etiketa: