Vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tregon se ish-prokurorja Rovena Gashi pretendoi një mori shkeljesh të procedurave dhe u ankua për një sërë institucionesh, edhe pse një pjesë e të cilëve nuk kishin lidhje me vendimin ndaj saj. Kolegji i rrëzoi të gjitha ankesat si të pabazuara.

Rovena Gashi përdori një arsenal ankesash dhe kërkesash proceduriale, përfshi një raport mjekësor për pamundësi në punë kundër procesit të rivlerësimit ndaj saj. Por pretendimet e saj bashkë me këmbënguljen për të pasur motrën Ema Gashi -gjyqtare deri në momentin e gjykimit, si mbrojtëse ligjore u rrëzuan nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gashi u ankua përgjithësisht kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, qëndrimit të Vëzhguesit Ndërkombëtar në rastin e saj dhe anëtarë të veçantë të KPK-së. Në ankim u përfshinë edhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, Inspektori i Përgjithshëm, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, qeveria, shumica parlamentare, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, ndërsa në fund ajo kërkoi edhe përjashtimin e trupës së KPA-së që kishte në shqyrtim dosjen e saj.

Sipas vendimit të zbardhur të KPA-së,  ish-prokurorja Rovena Gashi pretendoi ndër të tjera se nuk ishte identifikuar si duhet në dipozitivin e vendimit të KPK-së dhe se ishte përfshirë me përparësi në proces edhe pse nuk ishte anëtare e institucioneve që shqyrtoheshin me përparësi.

Kolegji që shqyrtoi çështjen ndaj Gashit në seancë publike, për t’i dhënë asaj mundësi të jepte versionin e saj mbi disa gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në lidhje me përdorimin prej saj të një raporti mjekësor për  të goditur vendimin e KPK, arsyetoi në fund se ajo “ka në pronësi pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht”.

Trupi gjykues që shqyrtoi ankesën e Gashit kundër vendimit të shkarkimit prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Albana Shtylla kryesuese, Luan Daci relator, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë.

Gashi, e cila ka qenë prokurore prej vitit 2004 dhe ka qenë Drejtore e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, u shkarkua nga KPK më 25 korrik 2018.  Komisioni arriti në përfundimin se ajo kishte dhënë “përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj”.

Qëndrimi i Gashit gjatë seancave publike në Kolegj ishte i ngjashëm me atë para KPK-së, ku ajo nuk u paraqit në seancën publike. Gashi këmbënguli edhe në këtë rast në një sërë kërkesash të cilat u rrëzuan si të pabazuara në ligj nga KPA dhe në fund braktisi seancën, duke pretenduar se po i shkeleshin të drejtat.

Në vendimin e zbardhur del se një mori shkresash të paraqitura nga Gashi nuk u morën si prova, pasi po ashtu u konstatua se bëheshin “me qëllim zvarritjen e gjykimit”. Nga vendimi duket se më shumë se sa mbrojtjes së vetes, Gashi është përpjekur të gjejë të çara në vendimarrjen e KPK dhe KPA, për ta ankimuar më pas çështjen e saj si shkelje e të drejtave në gjykim.

Ajo pretendon se Komisioni nuk i kishte dhënë mundësi të kishte një përfaqësues ligjor, ndërsa këmbënguli në Kolegj të kishte avokate të motrën edhe pse KPA u shpreh se kjo binte ndesh me statusin e saj si gjyqtare në momentin kur po shqyrtohej çështja. Madje, braktisja e seancës në mënyrë demostrative u bë me pretekstin se nuk po i lejohej mbrojtje edhe pse KPA me vendim të ndërmjetëm i dha kohë që të gjente një avokat të licesuar.

Raport mjekësor dhe kërkesa proceduriale

Ndër pretendimet e ngritura në ankimin e Rovena Gashit ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte përfshirë një raport mjekësor i marrë dy ditë para datës së zhvillimit të seancës dëgjimore.

Gashi e paraqiti raportin në ankim duke pretenduar se ajo nuk kishte pasur mundësi të ishte e pranishme në seancë dhe të ushtronte mbrojtjen. Ajo po ashtu pretendoi se nuk kishte pasur mundësi të kishte mbrojtës ligjor.

Vëzhguesja Ndërkombëtare Mia Roessingh i paraqiti Kolegjit një sërë gjetjesh mbi këtë raport mjekësor. Ajo vuri në dispozicion shkëmbimet zyrtare mes KPK-së dhe Gashit. Sipas këtyre gjetjeve, Gashi nuk e kishte njoftuar asnjëherë KPK-në se kishte një raport mjekësor dhe as kishte kërkuar prej trupës që t’i jepte kohë për të gjetur një mbrojtës.

“Vëzhguesja Ndërkombëtare ka paraqitur gjetjen se ankuesja, së bashku me ankimin, ka paraqitur një raport mjekësor të lëshuar me datë 18.07.2018, me anë të të cilit tregohet sëmundja e saj për periudhën 19.07.2018 – 02.08.2018, por ky raport nuk është paraqitur asnjëherë pranë Komisionit,” thuhet në vendim. KPA po ashtu bën me dije se bashkëshorti i Gashit, prokurori Dritan Gina (i identifikuar në vendim si D.G.) kishte dorëzuar dorazi mbrojtjen e shkruar të saj dhe në të nuk përmendej as gjendja shëndetësore dhe as pamundësia për të qenë në seancë.

KPA thotë se Komisioni nuk ishte vënë në dijeni për këtë as në e-mailet e shkëmbyera me vetë Gashin, e cila po ashtu nuk kishte kërkuar shtyrje të seancës.

Kolegji thotë në vendim se raporti mjekësor dhe gjetjet për të ishin arsyeja që u caktua të zhvillohej një seancë publike, që do t’i jepte subjektit mundësinë për të dhënë versionin e saj të fakteve. Por siç rezultoi, Gashi nuk dha sqarime mbi këtë pikë pasi në të tre seanca që u zhvilluan ajo këmbënguli që motra e saj gjyqtare të pranohej si mbrojtëse.

Kërkesat që u rrëzuan nga KPA u cilësuan nga motra e prokurores Ema Gashi, si shkelje “e  paprecedentë proceduriale”.  Kjo e fundit paraqiti edhe dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor, por KPA shprehet se kjo dorëheqje do të kishte shtyrë deri në korrik shqyrtimin e çështjes.

Sipas Kolegjit, ligji kishte parashikuar dy mënyra për të dhënë dorëheqjen nga statusi i magjistratit, por Gashi i ishte referuar asaj pjese të ligjit që e shtynte vendimarrjen e KLGJ deri në 15 korrik. (Vendimi i KLGJ për mbarimin e statusit magjistrat për Ema Gashin u publikua në 5 korrik të këtij viti).

KPA shprehet se “nuk rezulton të ketë një kërkesë të posaçme” në mënyrë që dorëheqja të hynte më shpejt në fuqi dhe në këtë mënyrë edhe Kolegji “të garantonte zbatimin e parimit të ekonomisë gjyqësore”.

Më tej KPA shprehet se “subjekti i rivlerësimit është në kategorinë e personave të cilët kanë zotësi të plotë për të vepruar, pra mund t’i kryejë vetë të gjitha veprimet procedurale, përveçse kur ligji parashikon ndryshe”. Në vendim thuhet se ajo “nuk është në kategorinë e subjekteve që ka nevojë për t’u mbrojtur domosdoshmërish me përfaqësues ligjor të caktuar nga shteti”.

Vendimarrja e Kolegjit për të mos lejuar Ema Gashin si avokate bëri që subjekti të braktiste seancën. KPA e cilëson këtë si braktisje vullnetare. Në vendim po ashtu bëhet me dije se Gashit iu dha kohë për të marrë një mbrojtës, “por ajo me vullnetin e saj të lirë hoqi dorë nga e drejta për t’u dëgjuar dhe për të dhënë shpjegime në seancën publike të Kolegjit”.

Kolegji nuk shprehet se si i cilësoi këto raste, por në vendim bëhet me dije se forma të ngjashme që u përdorën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kishin qenë të qëllimshme dhe për të vonuar seancën. Ndërkohë KPA thotë se Komisioni nuk kishte pasur arsye për të shtyrë procesin, pasi Gashi nuk i kishte bërë me dije as raportin mjekësor dhe as një kërkesë specifike për këtë qëllim.

Ankim kundër të gjithëve

Në vendimin e zbardhur bie në sy se Gashi është ankuar për të gjithë dhe gjithçka. Ndër të tjera, KPA vë në dukje se ish-prokurorja ishte ankuar ndaj DSIK-së, edhe pse KPK vendosi ta hetonte atë vetëm në kriterin e pasurisë dhe raporti për figurën nuk është marrë në konsideratë.

KPA i ka rrëzuar të gjitha ankesat e Gashit, përfshi edhe pretendimin e saj se ishte paragjykuar apo se ishte sulmuar politikisht. Kolegji bëri me dije se ishin rrëzuar pretendimet ndaj Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së.

KPA ka rrëzuar edhe pretendimet për njëanshmëri të institucioneve publike ndaj saj. Gashi pretendonte se në funksionin që kishte pasur si prokurore, ajo kishte kërkuar heqje mandati për dy ish-deputetë dhe se kjo i bënte të njëanshme ndaj saj institucionet e zgjedhura me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.

Po ashtu ishin cilësuar si jo të rëndësishme për çështjen pretendime ndaj vendimarrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, e cila është cilësuar si një çështje e juridiksionit të zakonshëm që nuk kishte lidhje me procesin e rivlerësimit.

Një arsyetim i ngjashëm është dhënë edhe sa i përket pretendimit të Gashit se për vendimmarrjen ndaj saj duhej pritur Gjykata e Strasburgut, ku ajo dhe bashkëshorti kishin ankuar vendimin e Arta Markut.

Një prej pretendimeve më serioze të Gashit në të cilin kërkohej “pavlefshmëri absolute e akteve”, për shkak se për një pjesë të hetimit relatore kishte qenë Suela Zhegu u rrëzua sidoqoftë si i pabazuar në prova.

“Fakti i zëvendësimit të relatores përjashton njëkohësisht edhe ndikimin e kësaj të fundit në zhvillimin e mëtejshëm të procesit, sikurse edhe mundësinë e të qenit përcaktuese në vendimmarrjen në fund të procedurës”, thuhet në vendim.

KPA rrëzoi edhe pretendimi se Komisioneri Lulzim Hamitaj, duke qenë i denoncuar publikisht për falsifikim të certifikatës së njohjes së gjuhës së huaj dhe pasi ndaj tij kishte nisur një hetim nga prokuroria, nuk plotësonte më kushtet për të qenë anëtar i KPK-së.

Kolegji arsyetoi se Hamitaj ishte zgjedhur nga Kuvendi dhe se “cilësia e dhënë nga Kuvendi nuk mund të kundërshtohet nëpërmjet shkakut ankimor”.  Kolegji shprehet edhe për ankimin ndaj vëzhgueses së ONM-së duke thënë se puna e këtij organi nuk ishte “objekt kontrolli nga ana e Kolegjit”.

Në kërkim të problemeve në vendimin e KPK-së, Gashi ka ankimuar edhe formën me të cilën ishte shkruar vendimi. KPA gjeti të pabazuara pretendimet se ishte diskriminuar duke mos u identifikuar me titull të plotë nga KPK në dispozitivin e vendimit. Kolegji thotë se KPK në këtë rast kishte zbatuar korrektësisht ligjin. Po ashtu, KPA shprehet se Komisioni ishte referuar korrektësisht në dispozitat ligjore mbi të cilat ishte marrë vendimi për shkarkimin e ish-prokurores.

Trupa gjykuese gjeti të pabazuara edhe pretendimet se Gashit nuk ishte dhënë mundësia për të paraqitur prova dhe se nuk i ishin marrë parasysh provat e saj. KPA shprehet në vendim se pretendimet binin ndesh me çfarë kishte ndodhur në KPK dhe çfarë kishte kërkuar subjekti në shkresat dërguar Komisionit.

Në vendim, KPA bën me dije se ajo vetë refuzoi të merrte prova të reja nga Gashi, duke vënë në dukje se një pjesë e tyre ishin shqyrtuar nga KPK dhe ishin cituar publikisht prej Komisionit. “Janë paraqitur për t’u marrë si prova të reja, akte që rezultojnë të administruara në dosjen e përcjellë nga Komisioni dhe, për më tepër, që një pjesë e konsiderueshme e këtyre akteve rezultojnë të cituara në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tekstin e vendimit nr. 48, datë 25.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të shpallur publikisht”, thuhet në vendim.

KPA thekson se aktet e kërkuar për t’u marrë si prova “edhe po të konsiderohen të vërteta, nuk ndikojnë në marrjen e vendimit”, ndërsa vë në dukje se ato kishin për qëllim “zvarritjen e gjykimit”.

Qëndrimi mbi pasurinë

Ndryshe nga një sërë subjektesh të tjera, Gashi nuk është fokusuar të provojë të kundërtën e asaj që kishte arritur në përfundim Komisioni. Në ankimin e cituar nga KPA, çështjet e pasurisë zënë një pjesë të vogël.

Gashi pretendoi që babai i saj të mos konsiderohej person i lidhur, por Kolegji e rrëzoi këtë pretendim me faktin se ai i kishte dhuruar asaj shtëpinë dhe kishte kontribuar në shkollimin e fëmijëve.

Më pas Kolegji doli në të njëjtat përfundime si ato të KPK-së. Në vendim arsyetohet se për dy pasuritë për të cilat ishte ankuar ndaj vendimit të KPK, Gashi kishte bërë deklarim të pasaktë. Ngjashëm me KPK, Kolegji iu referua si provë kryesore akteve noteriale duke lënë të kuptohej se ato ishin bindëse dhe nuk ishin kundërshtuar.

“Në kushtet kur nuk ka as kundërshtim, sipas ligjit, të akteve dhe veprimeve noteriale, as rregullim të pasojave që ato kanë sjellë, këto akte/veprime noteriale janë fuqiplota për atë çka dëshmojnë”, thuhet në vendim.

Kolegji arsyetoi po ashtu edhe mbi fitimin e pronësisë në apartamentin që i ishte dhuruar Gashit nga babai. Në përfundim, KPA gjeti se ish-prokurorja rezultonte me bilanc negativ prej 7.8 milionë lekësh.

“Dokumentacioni i paraqitur nga subjekti i rivlerësimit është analizuar dhe vlerësuar se nuk ka pasur as përmbajtje dhe as forcë provuese të mjaftueshme për të ndryshuar kahun e rezultateve të pasqyruara në tabelat e mësipërme,” thuhet në vendim.

Në fund, KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit, duke bërë me dije se shkarkimi i Gashit merrte formë të prerë./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb