Megjithëse raporti prej 448-faqesh i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në fushatën zgjedhore të 2016-ës nuk e përjashton plotësisht Presidentin nga faji, zoti Trump beson se raporti në fakt e përmban një implikim të tillë.

“Po kaloj një ditë të mirë,” tha presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë pasi u publikua raporti. “Nuk pati asnjë bashkëpunim të fshehtë, asnjë pengim drejtësie”.

Hetimi 22-mujor i prokurorit Mueller, edhe pse nuk arriti në përfundimin se zoti Trump kreu ndonjë krim, ai gjithashtu nuk deklaron në mënyrë specifike se Presidenti është i larë.

Ndërsa merrte pjesë në një takim me veteranët e plagosur ushtarakë, pasi në ekranet televizive jepeshin detaje të gjetjeve të një versioni të redaktuar të raportit, presidenti Trump tha, “Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë përsëri ndaj një presidenti tjetër, ky mashtrim”.

Avokatët e presidentit, Rudy Giuliani, Jay Sekulow, Jane Raskin dhe Martin Raskin, thanë në një deklaratë se “Rezultatet e hetimit janë një fitore e plotë për Presidentin … Është e qartë se nuk ka patur asnjë shkelje penale”.

Avokatët e tij gjithashtu e cilësojnë raportin e prokurorit të posaçëm, se demonstron që presidenti Trump ka vepruar si duhet kur ka shkarkuar James Comey–n si drejtor të Byrosë Federale të Hetimeve.

Raporti thotë se prokurori i posaçëm gjeti “prova thelbësore” se shkarkimi i zotit Comey u bë për shkak të “mungesës së vullnetit të drejtorit të FBI-së për të deklaruar publikisht se presidenti nuk ishte personalisht nën hetim” dhe hetimi përcakton se Kongresi mund të vendosë nëse kjo përbënte pengesë të drejtësisë nga zoti Trump.

Presidenti nuk u intervistua nga hetuesit. Në vend të kësaj, ai u dha përgjigje me shkrim pyetjeve të cilat zyra e prokurorit të posaçëm i konsideronte “të pamjaftueshme”. Por raporti thotë se prokurori i posaçëm nuk vazhdoi përpjekjet për një intervistë me zotin Trump që do të ishte e kufizuar në disa tema, sepse kjo do të shkaktonte një “vonesë të madhe”.

Reagime të ndryshme nga ligjvënësit

Ligjvënësit demokratë dhe republikanë patën reagime të ndyshme ndaj publikimit të raportit të redaktuar të prokurorit të posaçëm Robert Mueller, për Rusinë.

Hetuesit arritën në përfundimin se askush në fushatën Trump, nuk komplotoi me dashje me rusët në ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016, megjithatë ata refuzuan të deklarojnë pafajësinë e presidentit lidhur me akuzat se veprimet e tij penguan drejtësinë.

Në një deklaratë, senatori republikan i Oklahomës, James Inhofe e përshkroi raportin Mueller si “shumë asgjëra së bashku: asnjë bashkëpunim, asnjë pengim drejtësie” dhe akuzoi demokratët për “përpjekje për të njollosur presidentin”.

Në kontrast me këtë, demokratët, theksuan pjesë të raportit të redaktuar të prokurorit Mueller që dokumentonin kontakte midis rrethit të ngushtë të zotit Trump dhe operativëve të huaj të prirur për të dëmtuar kundërshtaren demokrate të garës presidenciale, Hillary Clinton, duke hakeruar dhe publikuar emaila të ndjeshme nga fushata e saj.

Ata gjithashtu vunë në dukje dokumentacionin e raportit për rastet ku presidenti Trump kërkoi të pengonte hetimin për Rusinë. “Përshkrimi i detajuar i shkeljeve në këtë raport, çfarë tregohet në detaje të fuqishme dhe bindëse, nuk është asgjë më pak se një skandal kombëtar,” tha senatori demokrat Richard Blumenthal nga Kënektikati. “Ky raport është larg nga fundi i hetimit për të cilin ky vend ka nevojë dhe meriton.” /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: