Raporti i OSBE-ODIHR historikisht është lexuar nga këndvështrime krejt të kundërta nga qeveria dhe opozita, dhe sa herë që qeveritë dhe opozitat janë ndërruar, ato kanë folur duke huazuar gjuhën e njëra-tjetrës. Nga viti 2009 na ndan një dekatë e tërë, por qëndrimet e politikës në pushtet dhe në opozitë kanë ndryshuar pak ose aspak. Edi Rama sot kryeministër e vlerëson procesin zgjedhor të 30 qershorit dhe shprehet se ai u certifikua nga OSBE-ODIHR.

“Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet. Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogu e bashkepunimi, zgjedhjet e ardhshme”.

Oratoria e shkruar ngjan shumë me atë që ish-kryeministri Berisha deklaroi në shtator të vitit 2009, pas publikimit të raportit te osbe-odihr.

“Ky është raporti më i mirë, që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri. Është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera, shpresoj se ky raport ta bindë z.Rama se vendi i tij dhe i partisë së tij është në parlament” shprehej Berisha asokohe.

Dje në opozitë Rama ishte shumë kritik për zgjedhjet dhe administrimin e tyre nga qeveria, dhe thuajse në një linjë me kritikat që ka opozita e sotme, e drejtuar nga Lulzim Basha.

“Gjendja e demokracisë në Shqipëri është kritike dhe se zgjedhjet e 28 qershorit nuk i përmbushën ato standarde për të cilat ne socialistët u përpoqm. Ky raport është një këmbanë alarmi për gjendjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Shqipëria meriton të bëjë jo zgjedhje pak më të mira se të tjerat, po zgjedhje të standardeve të një vendi anëtar të NATO-s e të BE-së, ku kushtëzimi i marrëdhënies sonë me parlamentin ka të bëjë me disa aspekte esenciale, jo thjesht për zgjedhjet që shkuan po për zgjedhjet që vinë” deklaronte Rama në shtator të vitit 2009, pasi OSBE/ODIHR publikoi raportin për zgjedhjet e 28 qershorit.

“Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt.Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë stukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur.” u shpreh Basha, pas publikimit të raportit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Një gjë kuptohet qartë nga ky krahasim; pushtetet shohin me të njëjtët sy dhe flasin me të njëjtën gjuhë. Zgjedhjet që përgatisin dhe administrojnë, kanë gjithmonë probleme dhe janë përherë të kontestuara nga opozitat. Nëse më herët palët ruheshin nga njëra-tjetra që votat të mos vidheshin, në vitin 2019 Shqipëria organizoi votime ku njëra palë u vetëpërjashtua, ndërsa tjetra votoi për të zgjedhur vetveten.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb