TIRANË

Komuniteti Shqiptar i Helsinkit pas monitorimit të kryer për zbatimin  e ligjit “ Nr. 60/2016 ”për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” në kuadër të projektit “për zbatim më të mirë të legjislacionit për sinjalizuesit”, ka nxjerrë të dhëna aspak pozitive sa i takon rasteve për sinjalizimin e korrupsionit.

Sipas tij, edhe pse ky ligj ka më shumë se dy vite që ka hyrë në fuqi, nuk është materializuar asnjë sinjalizim apo rast korrupsioni tek 11 ministritë e linjës.

Këto gjetje, siç thekson edhe raporti i Komunitetit Shqiptar të Helsinkit, tregojnë se nuk ka patur organizim dhe koordinim mes institucioneve përgjegjëse, ndërsa shton se tjetër problematikë është vënë re tek mungesa e sensibilizimit të nëpunësve për ligjin në fjalë. Komuniteti Shqiptar i Helsinkit është mbështetur në gjetjen e këtyre të dhënave edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit monitoroi zbatimin e ligjit Nr. 60/2016 ”Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” në kuadër të projektit “Për zbatim më të mirë të legjislacionit për sinjalizuesit” të mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Ky ligj ka hyrë në fuqi më shumë se dy vite më parë. Nga muaji dhjetor 2018 e në vijim u monitoruan 11 ministri pranë të cilave janë ngritur njësitë përgjegjëse për trajtimin e ankesave të sinjalizuesve (bilbilfryrësve) si dhe veprimtaria e Inspektoriatit të Lartë dhe Konfliktit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Ndonëse 2 vjet e dhjetë muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk është dorëzuar asnjë sinjalizim në asnjë nga 11 ministritë e linjës. Evidentohen mangësi në organizimin dhe funksionimin e njësive përgjegjëse, duke sjellë mungesë të rasteve të sinjalizimit. Në përmbushje të një prej objektivave të ligjit, për nxitjen e sinjalizimeve të veprimeve apo praktikave të dyshuara të korrupsionit, këto njësi nuk kanë ndërmarrë hapa për ndërgjegjësimin e nëpunësve të ministrive për ligjin Nr. 60/2016. Gjithashtu niveli i informimit për ligjin e sinjalizuesve dhe mbrojtjen e tyre konstatohet i pamjaftueshëm, përfshirë edhe etiketimin e sinjalizuesve me konotacion negativ si “spiunë”, “5 lekësha” apo “informatorë”-  thuhet në njoftimin e KSHH-së.

Për gjetjet e monitorimit KLIKO KËTU

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb