Kryetari i Komisionit për Hetimin e rastit, Xhelal Sveçla, ka thënë mbrëmë se raporti për gylenistët pritet të shkojë në prokurori. “Tashmë dihet se Presidenti Hashim Thaçi është njeriu kryesor që ka qëndruar prapa aksionit për dëbimin e e shtetasve turq. Po të ishte Kosova një shtet normal Presidenti Thaçi do të duhej të tmerrohej nga ky fakt”,- shkruan Express.

“Meqenëse ky raport është votu ne jemi në kontakt me sekretarinë e Kuvendit të shohim se a kryetari i Kuvendit a unë do ta dërgojmë raportin në prokurori, e cila edhe ashtu ka filluar hetimet dhe është e obliguar që të marrë obligimet e duhura ligjore. Besoj se raporti ka kry një pjesë të madhe të punës së prokurorisë, ka shansin për të ofruar shumë dëshmi dhe me këtë ia përshpejton një punë prokurorisë”, deklaroi deputeti i Vetëvendosjes, teksa shton se do të shikohet për hapat e mëtejshëm. Unë besoj se këtë javë raporti duhet t’i shkojë prokurorisë dhe pastaj ne si institucioni më i lartë kërkojmë llogaridhënie edhe nga prokuroria për hapat e ndërmarrë në këtë rast”, tha Xhelal Sveçla.

Svecla beson se fajtor kryesor për prapavijën e ditës së 29 marsit është presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa bën të ditur se për këtë ka edhe të dhëna të shkruara në raport. Ai përmend edhe lavdet e Tayyip Erdogan, ndaj Thaçit, një ditë pas deportimit të turqve.

“Unë jam më i bindur se kurrë se fajtori kryesor është presidenti i Kosovës Hashim Thaçi janë 4-5 të dhëna të vërtetuara të cilat në mënyrë induktive nëse I bën bashkë ta japin pasqyrë të asaj që ka ndodhë. Siç ka ndodhë ky deportim presidenti ka dalë me deklaratë ku e ka mbrojt këtë aksion, me që rast ka marrë përgjegjësi politike për këtë shkelje të tmerrshme të Kushtetutës së Kosovës. Të nesërmen presidenti i Turqisë ka falënderuar presidentin e Kosovës, e në të njëjtën kohë e ka goditur kryeministrin Ramush Haradinaj, tha në T7 kryetari i komisionit hetimor.

Deputeti ka përmendur edhe shpërblimet në pozita që iu janë bërë dy prej njerëzve kryesorë që e kanë ditur për prapavijën e asaj dite.

“Presidenti pas kësaj mbron ish-drejtorin e AKI-së duke e bërë pjesë të ekipit të tij, ai tashmë është sekretar i presidencës, ish-drejtori i policisë është shef i AKI-së, këto janë dëshmi që presidenti po mundohet të mbrojë veten, duke mbrojtur fajtorët e drejtpërdrejtë për çfarë ka ndodhur. Edhe pas disa kërkesave me shkrim të komisionit nuk ka ofruar dëshmitë të cilat i posedon. Në fazën fillestare I kemi shkruar të gjitha institucioneve që e kemi vlerësuar se kanë informata. Presidenca fare nuk ka qenë bashkëpunuese. Ju e përmendët rastin e dëshmisë, ai pas pesë thirrjeve përgjigjet dhe aty refuzon me arsyetime banale të përgjigjet në pyetjet e anëtarëve të komisionit. Këto janë fakte se presidenti ka qenë i kyçur drejtpërdrejtë në obstruksionin e punës së Kuvendit”, shton tutje, derisa përmend edhe pengesat që i kanë hasur gjatë punës disa mujore.

“Ka pas një konspiracion që të pengohet puna e komisionit dhe të mbrohet presidenti Hashim Thaçi. Ka pas një refuzim të AKI-së duke u thirrur në sekretin me të cilin puna e tyre karakterizohet. Bashkëpunimi i tyre me komisionin ka qenë sipërfaqësor. Ne kemi kërkuar që t’i intervistojmë dy zyrtarët e kyçur, na u është refuzuar”, tha Sveçla.

Sipas tij, është në dorë të prokurorisë që të detyrojë të përgjigjen institucionet e personat që nuk dhanë llogari para deputetëve.

“Tash është në dorë të prokurorisë të përgjigjet apo t’i detyrojë institucionet që t’i përgjigjen pyetjeve. Ne e dimë që ka pas kërkesë për ekstradimin për dy nga gjashtë shtetasit turq që është refuzuar, pastaj përmes AKI-së është bërë ky”, bëri të ditur Sveçla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb