SHBA- Rritet sigurimi për institucionet amerikane në të gjithë botën. Masat janë ndërmarrë përpara publikimit të një raporti prej 480 faqesh të hartuar nga senati amerikan, i cili pritet të nxjerrë detaje rreth mënyrave sesi Shërbimi Sekret Amerikan (CIA) ka përdorur masa të fshehta gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm, bën të ditur Shtëpia e Bardhë.

Ambasadat dhe institucionet e tjera amerikane kudo në botë, kanë shtuar masat e sigurisë, për shkak të treguesve për rrezikshmëri të madhe, përfshirë këtu edhe protesta të dhunshme.

Raporti i cili pritet të publikohet sot, do të japë detaje për mënyrat se si CIA ka marrë në pyetje pjesëtarët e Al-Qaeda, në vende të fshehta në Evropë dhe Azi, të dyshuar në vitet pas 11 shtatorit të vitit 2001. Gjithashtu, pritet që raporti të tregojë se marrja në pyetje në mënyrë të papërshtatshme, përfshirë edhe torturat, nuk ka sjellë rezultatet e duhura.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb