Një i burgosur i kushtoi të ardhurave publike 539 euro në muaj gjatë vitit 2017 sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Duke analizuar shpenzimet sipas programeve, Ministria e Financave raportoi se gjatë vitit të kaluar në programin sistemi i burgjeve janë harxhuar mbi 5 miliardë lekë të cilat kanë shërbyer për trajtimin e 5800 të burgosurve.

Kosto e shpenzimeve vjetore për një burgosur arriti në 6469 euro në vit ose 539 euro në muaj.

Shpenzimet për ushqimin zënë vetëm 8.6 për qind të kostos me një vlerë vetëm 46 euro në muaj. “Janë trajtuar me normë ushqimore 5 867 të burgosur me një kosto faktike prej 434 113 mijë lekë” sipas të dhënave zyrtare.

Në strukturën e kostos për një të burgosur, vlera më e madhe i takon shërbimit të sigurisë me gati 2 miliardë lekë shpenzime.

Për ruajtjen e një burgosuri nëpërmjet pagesës së trupës policore harxhon 207 euro për një të burgosur. Shpenzimet për sigurinë zënë 38 për qind të shpenzimeve totale për një të burgosur.

Trupa policore në dispozicion të sigurisë së të burgosurve arrin në 5867 persona. Siç shihet nga të dhënat ka më shumë se një polic për një të burgosur.

Pjesë përbërëse e kostos janë edhe shpenzimet për trajnimet dhe shpenzimet shëndetësore.
Gjatë vitit të kaluar janë trajnuar 350 punonjës me një kosto faktike prej 3, 1 milionë lekë.

Gjithashtu për trajtimin mjekësor të 550 të burgosurve janë harxhuar 321 milionë lekë.
Për trajtimin e veçante të 53 të miturve janë harxhuar 72 milionë lekë dhe për trajtimin e të dënuarve femra në ambiente të veçanta janë harxhuar 99 milionë lekë më 2017.

Nga të dhënat e INSTAT rreth 20 për qind e të dënuarve janë për vepra penale për kultivimin dhe tregtimin e drogës. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb