Sot në Tiranë u prezantua Raporti rajonal ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas raportit, Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mbi 4 përqind në 2018. Zhbalancat e jashtme dhe fiskale janë përmirësuar, janë shtuar vendet e punës dhe borxhi publik është ulur. Megjithatë, kërkohet një ritëm më i shpejtë reformash strukturore për të ruajtur konsolidimin fiskal, zbutur rreziqet fiskale dhe përshpejtuar reformat në sektorin e energjisë për të mbrojtur qëndrueshmërinë fiskale. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimit të ligjit mbeten prioritete te ndjekura nga rritja e investimeve në infrastrukturë dhe kapitalin njerëzor.

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor është përshpejtuar në 3,8 për qind në vitin 2018 dhe parashikohet të jetë mesatarisht 3,7 për qind në vitin 2019-2020, në ngjashmëri me normat mesatare të shteteve anëtare më të reja të Bashkimit Evropian (BE) në Evropën Qendrore dhe Lindore, sipas Raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor “Kërkohet përshpejtimi i reformave”.

Megjithatë, ky parashikim i qëndrueshëm është i cenueshëm nga risqet në rritje, përfshirë normat e rritjes në BE të cilat janë më të ulëta nga sa pritej.
Sipas raportit, vendet e rajonit e kanë tani mundësinë t’i çojnë përpara reformat për t’i zbutur këto risqe, në kushtet e rritjes së kërkesës publike për mundësi më të mëdha ekonomike.
Pavarësisht kësaj rritjeje më të fortë, në rajon po krijohen më pak vende të reja pune, që pasqyron një dinamizëm të kufizuar në sektorin privat. Në vitin 2018, në Ballkanin Perëndimor janë krijuar vetëm 96.000 vende të reja pune, kryesisht në industri dhe shërbime, në krahasim me 171.200 vende të reja pune në vitin 2017. Papunësia pësoi rënie në vitin 2018, por mbetet e lartë, sidomos për gratë dhe të rinjtë. Në disa vende, kjo rënie ka ardhur si pasojë uljes së pjesëmarrjes në forcat e punës dhe rritjes së emigracionit, dhe jo nga krijimi i vendeve të reja të punës.

Bb Tabele
Bb Tabele

“Politikëbërësit në rajon duhet të zbatojnë reforma që të arrihet një rritje e qëndrueshme dhe përshpejtohet krijimi i vendeve të reja të punës,” – thotë Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Firmat me rritje të lartë krijojnë shumicën e vendeve të reja të punës në Ballkanin Perëndimor, por ka shumë pak prej këtyre firmave, madje edhe në krahasim me ekonomitë e tjera të vogla në Evropë. Heqja e barrierave që ua vështirësojnë ekzistencën firmave të reja apo rritjen firmave ekzistuese, krijon mundësi për njerëzit – duke nxitur sipërmarrjen dhe novacionin, rritjen e vendeve të reja punës dhe realizimin e potencialit të kapitalit njerëzor të këtij rajoni dinamik”.

Rritja e pagave dhe pensioneve në sektorin publik ka qenë një faktor kryesor i rritjes në Serbi, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ndërkohë që investimet private dhe publike kanë nxitur rritjen në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Rritja e eksporteve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut kanë ndihmuar gjithashtu në rritjen e tyre ekonomike. Por investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë vijuar të kenë ritme të ngadalta.

Në këto kushte, sipas raportit, është jetike për vendet e Ballkanit Perëndimor të çojnë përpara reformat për t’i zbutur risqet dhe pakënaqësinë publike në rritje. Fushat e reformës që mund të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit, nxisin rritjen dhe krijojnë vende të reja pune përfshijnë: politikën e konkurrencës; tatimin e punës; tatimin mbi të ardhurat personale; diversifikimin e sektorit financiar; eksportet; dhe marrëdhëniet ekonomike.

Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mbi 4 përqind në 2018. Zhbalancat e jashtme dhe fiskale u përmirësuan, shtimi i vendeve të punës rriti forcën e punës dhe borxhi publik u ul.
“Pavarësisht këtyre përmirësimeve, qëndrueshmëria e mëtejshme e rritjes do të kërkonte një ritëm më të shpejtë reformash strukturore dhe progresi për hyrjen në BE”, thotë Maryam Salim, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

“Duhen bërë përpjekje për të ruajtur konsolidimin fiskal, zbutur rreziqet fiskale dhe përshpejtuar reformat në sektorin e energjisë në mënyrë që të mbrohet qëndrueshmëria fiskale. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimit të ligjit mbeten prioritete te ndjekura nga rritja e investimeve në infrastrukturë dhe kapitalin njerëzor.”

Raporti sheh edhe vështirësitë lidhur me kapitalin njerëzor në rajon. Nëse mbeten të pazgjidhura, këto vështirësi do t’i kufizojnë shumë perspektivat për rritje ekonomike dhe ulje të varfërisë.

Për shembull, investimi i pakët për zhvillimin në fëmijërinë e hershme çon në rezultate të dobëta në arsimin fillor dhe të mesëm në disa vende, ku sistemet arsimore shpesh nuk u japin nxënësve aftësitë për të cilat kanë më së shumti nevojë punëdhënësit. Programet e përgjithshme të asistencës sociale shpesh nuk arrijnë familjet e varfra dhe të pambrojtura, ndërkohë që sistemet shëndetësore nuk janë në gjendje t’i përgjigjen rritjes së sëmundjeve jo ngjitëse. Të larta mbeten edhe shpenzimet private individuale për shëndetin.
Raporti i plotë gjendet në adresën https://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/ western-balkans-regular-economic-report.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb