Instituti i Universiteti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë thotë se rreth 600 milionë gra, apo 15 për qind e popullsisë së botës, janë të ekspozuara ndaj konflikteve. Në raportin e fundit të këtij Instituti, që botohet një herë në dy vjet, Kosova radhitet në vendin e 100, ndërsa Shqipëria në vendin e 45 mes 177 shteteve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës me kolegen Garentina Kraja, autorja e raportit Elena Ortiz thotë se në Kosovë gratë kanë gjendjen më të keqe në rajon, në veçanti sa i përket përfshirjes së grave në tregun e punës, fuqizimit dhe pavarësisë së tyre financiare dhe ekonomike, si edhe diskriminimit gjinor në lindje.

Zëri i Amerikës: Zonja Ortiz, Instituti juaj, po përpilon raportin e ri që trajton statusin e grave në botë, në 177 shtete. Raporti juaj, që mbulon dy vitet e fundit, zbulon dallime të shumta sa i përket sigurisë, drejtësisë dhe përfshirjes së grave. Ju gjithashtu keni përpiluar një indeks. A po bëhet bota një vend më pak i rrezikshëm për gratë?

Elena Ortiz: Indeksi i publikuar nga Instituti i Universitetit Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë trajton shumë dimensione. Ai bën matjen e statusit të grave në botë dhe është një indeks të cilin e publikojmë çdo dy vjet që nga viti 2017 dhe indeksin e fundit e kemi publikuar në tetor të vitit 2023. Që kur kemi hartuar indeksin e parë kemi parë një përmirësim të përgjithshëm të statusit të grave në mbarë botën, një përmirësim të mesatares botërore, por vetëm prej 3 për qind gjatë kësaj periudhe. Kjo na tregon se po përparojmë në drejtimin e duhur, por me një shkallë modeste, që tregon se ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë.

Indeksi përfshin 13 tregues për statusin e grave që klasifikohen në tre fusha – të përfshirjes, drejtësisë dhe sigurisë. Fusha e përfshirjes, për shembull, shqyrton çështjet sociale, politike dhe ekonomike dhe treguesit në këtë fushë analizojnë të dhënat e punësimit, llogarive bankare, qasjes dhe përfaqësimit në qeveri. Fusha e drejtësisë shqyrton arsyet formale dhe joformale të diskriminimit ndaj grave. Në aspektin e drejtësisë analizojmë disa tregues për mundësinë që gratë t’i realizojnë të drejtat e tyre në praktikë, apo çështje si shëndeti i nënave, shkalla e vdekshmërisë së tyre në lindje, që na tregon për normat dhe diskriminimin në sistemin shëndetësor. Dhe në fund fusha e sigurisë, që trajton sigurinë e grave në shtëpitë e tyre, në lagje dhe në shoqëri. Këtu analizojmë përqindjen e grave të ekspozuara ndaj konflikteve të armatosur, dhunës politike, nivelin e sigurisë dhe dhunën në familje.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj ju thoni se që nga viti 2022, rreth 600 milionë gra jetojnë përbrenda një rreze 50 kilometra të një konflikti të armatosur. Si po ndikon kjo në jetët e grave dhe bazuar në indikatorët që ju i matni, ku është rënia më e theksuar e të drejtave të tyre?

Elena Ortiz: Kjo është një prej prirjeve më shqetësuese që ka dalë nga indeksi. Sot, rreth 15 për qind e grave jetojnë në afërsi të një konflikti të armatosur. Po ashtu kemi gjetur se 20 shtetet që janë të radhitura në fund të listës në indeksin për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” kanë kaluar nëpër një konflikt të armatosur në dy vitet e fundit, që mbështet me fakte atë që e kemi thënë, se konflikti i dhunshëm ndikon në mënyrë disproporcionale te gratë dhe vajzat.

Nga 13 treguesit që analizojmë, dy prej tyre kanë shënuar rënien më të thellë. I pari është numri i grave të ekspozuara në konfliktet e dhunshme. Ky numër është rritur që kur kemi filluar publikimin e indeksit dhe tjetri ku kemi parë rënie astronomike, është tek punësimi i grave, çështje që lidhet pjesërisht me pandeminë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike në shkallë shumë më të ngadalshme për gratë. Punësimi i grave ka rënë në gjithë botën.

Zëri i Amerikës: Raporti juaj përfshinë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët në indeksin tuaj radhiten në pozita të ndryshme. Për shembull, Shqipëria është në vendin e 45, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pak para saj, Serbia radhitet përpara tyre, Bosnja në vendin e 55, ndërsa Kosova bën përjashtim. Cilat janë sfidat me të cilat përballen gratë në rajon?

Elena Ortiz: Në indeks, Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut klasifikohen si pjesë e rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Azisë Qendrore. Të gjitha këto shtetet kanë një rezultat mbi mesataren globale dhe të gjitha, me përjashtim të Kosovës, janë mbi mesataren e rajonit. Nga të gjitha shtetet, Serbia ka rezultatin më të mirë dhe radhitet e 32 në nivel global, ndërkaq Kosova radhitet në rangun më të ulët brenda këtij grupi, në vendin e 100. Lajmi i mirë është që të gjitha shtetet kanë treguar përmirësime që nga viti 2017. Në përgjithësi, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë prirje për të bërë përparim në shkollimin e grave, numrin e ulët të vdekjeve të nënave gjatë lindjes, të drejtat ligjore, perceptimin e sigurisë dhe rasteve të dhunës nga partneri, krahasuar me mesataren rajonale dhe globale. Për shembull, në të gjitha këto gjashtë shtete, gratë kanë ndjekur shkollën të paktën për tetë vite. Të paktën 86 për qind e grave kanë telefonat e tyre celularë, ndërkohë që shkalla e vdekshmërisë së nënave gjatë lindjes sillet rreth 3 deri në 10 vdekje për çdo 100,000 lindje, që është shumë më e ulët se mesatarja rajonale prej 17 vdekjesh. Të drejtat ligjore në tërë rajonin janë relativisht të forta.

Për shembull, Shqipëria, Kosova dhe Serbia radhiten në mesin e 40 shteteve në botë ku gratë, sipas ligjit, gëzojnë të drejtat e tyre. Por, aty ku shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi janë prapa, janë çështjet e punësimit të grave, përfshirja financiare dhe diskriminimi gjinor në lindje. Që të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për shembull, janë në mesin e 25 shteteve në nivel botëror që kanë shkallën më të lartë të diskriminimit gjinor në lindje, që sugjeron një preferencë të fuqishme për fëmijë të gjinisë mashkullore dhe raste më të larta të ndërprerjes së shtatzënisë kur mësojnë se foshnja është e gjinisë femërore.

Zëri i Amerikës: Kosova, megjithatë, është e radhitur në vendin e 100 dhe në Evropë, vetëm Ukraina është e renditur më keq se ajo, në fund të listës së shteteve evropiane, ku të drejtat e grave janë të prekura rëndë nga konflikti aktual. Kosova është në grupin e shteteve të brishta, klasifikim ky i huazuar nga Banka Botërore, për shtetet që ishin të prekura nga lufta. Këto shtete janë edhe shtetet me prirjet më të këqija në indeksin tuaj. Çfarë po ndodh në Kosovë?

Elena Ortiz: Siç e thatë edhe ju, Kosova radhitet në vendin e 100 në indeksin e Institutit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, por rezultati i saj është mbi mesataren globale dhe si me të gjitha shtetet tjera në indeksin tonë, ka fusha ku tregon qëndrueshmëri dhe të tjera ku duhet përmirësuar.

Kosova në veçanti shënon rezultat të lartë kur bëhet fjalë për të drejtat ligjore të grave. Është shteti me rezultatin më të lartë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e radhitur pas Serbisë dhe në mesin e 40 shteteve që tregojnë rezultat të mirë në këtë tregues. Kosova del me një gjendje të mirë sa i përket perceptimit të sigurisë së grave, njëri prej treguesve të dimensionit të sigurisë, që bën matjen e përqindjes së grave që thonë se ndihen të sigurta të ecin vetëm në lagjet e tyre natën. Në Kosovë, kjo përqindje shkon në 77 për qind, shumë pikë mbi mesataren rajonale prej 58 për qind dhe mesataren globale prej 64 për qind. Në këtë aspekt, Kosova radhitet në mesin e 25 shteteve në krye të listës. Dhe së treti, Kosova ka shkallë shumë të lartë të përdorimit të telefonave celularë, 94 për qind. Në anën tjetër, fushat ku duhet përmirësim në Kosovë janë të përqendruara kryesisht në dimensionin e përfshirjes, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin ekonomik të grave. Për shembull, Kosova është në vendin e 10 më të ulët në botë sa i përket punësimit të grave, me vetëm afro 20 për qind të grave të punësuara dhe po ashtu është prapa përfshirjes së grave në çështjet e financave, që matet me përqindjen e grave që kanë një llogari të tyre bankare. Në Kosovë, përqindja e atyre që kanë një llogari bankare është 47 për qind, shumë pas mesatares rajonale dhe globale, që është 70 dhe 77 për qind. Megjithatë, ne po analizojmë prirje përgjatë periudhës kohore. Kosova është përfshirë në indeks në vitin 2021 dhe krahasuar me të dhënat e atij viti, kemi parë një përmirësim në renditje, nga vendi i 106 në vitin 2021 në vendin e 100 në 2023. Gjithashtu kemi parë përmirësimin më të rëndësishëm në treguesit për sigurinë dhe uljen e rasteve të dhunës politike ndaj grave.

Zëri i Amerikës: Ku duhet të ndodhin ndërhyrjet me politika?

Elena Ortiz: Bazuar në të dhënat e indeksit, fushat ku kërkohet përmirësimi më i madh në Kosovë janë ato që i përkasin fuqizimit ekonomik të grave, që do të thotë se ka nevojë për ndërhyrje politikash për të mbështetur gratë, qasjen e tyre në tregun e punës, punësimin kuptimplotë të tyre, barazinë në pagë. Indeksi gjithashtu tregon që gratë kanë një shkallë të ulët të zotërimit të një llogarie bankare. Dhe ndërkohë që kjo ka të bëjnë me përfshirjen financiare, kjo është gjithashtu edhe një çështje e sigurisë. Kur gratë nuk kanë qasje në llogaritë e tyre bankare dhe nuk kanë autonomi financiare, ato nuk mund të largohen nga marrëdhëniet abuzive. Të gjitha këto çështje janë të lidhura me njëra tjetrën dhe gjetjet nga Kosova në veçanti tregojnë se ka nevojë për politika që synojnë fuqizimin ekonomik të grave në vend./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb