TEPELENE – Forcat Ajrore italiane zbulojnë plantacionet me hashash në Tepelenë. Raporti i fundit konfidencial i kësaj force ajrore është diskutuar dje në një takim të organizuar nga kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, me të gjithë kryepleqtë. Siç mësohet, në një aksion ajror të ditëve të fundit nga ana e Forcave Aeronautike italiane spiune në zonën jugore të Shqipërisë, janë identifikuar qindra parcela me kanabis sativa të kultivuara kryesisht në zonën e Tepelenës. Identifikimi i këtyre parcelave ka vënë në lëvizje drejtuesit vendorë të Tepelenës, që t’u paraprijnë masave ligjore që do të rëndojnë në radhë të parë te kryepleqtë e fshatrave e më pas edhe tek administratorët e rinj të emëruar së fundi nga kreu aktual i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi. Ky i fundit ka thërritur në një takim urgjent të gjithë kryepleqtë e fshatrave që ka në juridiksion Bashkia e re e Tepelenës, për t’i njohur me raportin e fundit konfidencial të Forcave Ajrore italiane. Ai që ka folur drejtpërsëdrejti për këtë çështje ka qenë shefi i Komisariatit të Tepelenës, Haki Hasanbega. Ky i fundit pranoi se në territorin e rrethit të Tepelenës ekzistojnë plantacione të kultivuara me hashash si kurrë ndonjëherë më parë. Kreu i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, u ka dhënë direktiva kryepleqve të fshatrave, sidomos atyre të zonave problematike të kultivimit me hashash, si Kurvelesh apo Lopës, Luftinjë, Qesarat dhe Krahës, që të tregojnë shenja bashkëpunimi për të çrrënjosur një herë e mirë nga harta e kultivimit të hashashit zonën e Tepelenës. Dy administratorët e rinj të zonave që njihen si kultivuese të bimëve narkotike përkatësisht Flamur Bardhi administrator i komunës Kurvelesh dhe kryeplaku i fshatit Rexhinë, Edmond Ruçi, pranojnë ekzistencën e hashashit në territorin e fshatrave në fjalë dhe për këtë kanë vënë në dijeni organet policore. Vetëm në tre muajt e fundit, Policia Rajonale ka zbuluar sasinë më të madhe të hashashit të kultivuar në rrethin e Tepelenës, plot 40 mijë rrënjë. Parcelat që janë aktualisht të mbjella me hashash, rezultojnë në njësitë administrative Kurvelesh, Luftinjë, Qesarat dhe Krahës. Në ditët e fundit janë bërë disa aksione me qëllim zbulimin e asgjësimin e lëndëve narkotike, por nga fotografimet e kryera në rezultojnë qindra parcela të tjera.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: