TIRANE

Studentët kanë pushtuar rrugët e Tiranës kundër rritjes së tarifave në Universitetit.  Edhe pse Shqipëria nuk ka shkollat dhe univeristetet më të mira të Europës, në raport me moshatarët e tyre europianë arsimi u kushton më shtrenjtë studentëve shqiptarë.

Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.

Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, një peshë gati katër herë më e lartë se e familjeve Europiane.

Mesatarja e Bashkimit Europian është 1.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%.

Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero.

Të varfërve iu rëndon më shumë

Për Kukësin, qarkun më të varfër të vendit, duket se shpenzimet për arsim rëndojnë më shumë se në qaqet e tjera të vendit. Për familjet kuksiane shpenzimet për arsim kanë një peshë të konsiderueshme në totalin e shpenzimeve që ato bëjnë, me rreth 9.1% të totalit, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqim, sipas INSTAT.

Pas Kukësit, qarku që shpenzon më shumë për arsim është Fieri, me 6.8% ndaj totalit. Më pas renditet kryeqyteti, Tirana me 5.2% të totalit të shpenzimeve për arsim dhe Lezha me të njëjtën peshë të shpenzimeve.

Me një diferencë të ngushtë nga mesatarja kombëtare renditet Korça me rreth 3.1% të totalit të shpenzimeve për arsim.

Durrsakët dhe gjirokastritët shpenzuan për arsim përkatësisht 2.4 dhe 2.3%  të totalit të shpenzimeve të tyre.

Por, sa kushton edukimi në Shqipëri?

Në arsimin e lartë, numri i studentëve gjithsej ishte 146 mijë në vitin 2016, sipas INSTAT, nga të cilët 17% (rreth 25 mijë) janë të regjistruar në universitetet jo publike. Tarifat vjetore në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 40 mijë lekë maksimalja. Për nivelin e studimeve master, viti akademik për gradën e Masterit Profesional është 72 mijë lekë (studimet e plota 144 mijë), ndërsa për Masterin Shkencor është 105 mijë lekë ( dy vite 210 mijë lekë).

Në Universitetet private, viti shkollor kushton duke filluar nga 1500 euro, në 3500 euro. Gjithsej, sipas INSTAT në vitin 2016 ishin 22 universitete private që kishin studentë të regjistruar.

Me diplomë, por pa punë…

Shqipëria, ndonëse ka shpenzime të larta për arsimin, ka një handikap të madh me tregun e punës, ku shumë të rinj e kanë të vështirë të gjejnë punë në profesionin e tyre. Po sipas INSTAT, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjtë preferojnë “Shkencat sociale, biznes dhe ligji”, ku në vitin 2016 ishin të regjistruar 53 mijë studentë, ose 37% e totalit. Në vend të dytë është shëndeti dhe mirëqenia (shëndetësia), me 24.4 mijë studentë, ose 15% të totalit. Në shkencat inxhinierike ka 18 mijë studentë, ose 12% të totalit.

Një pjesë e madhe e studentëve apo të rinjve që mbarojnë shkollën, sot punojnë në sektorin e call center, apo së fundmi në kompanitë që ofrojnë shërbime forex (ku po diversifikohet sektori call center që po vuan presionin e qeverisë italiane), ku vlerësohet se janë të punësuar mbi 25 mijë të rinj, ku aftësia kryesore e kërkuar është njohja e gjuhëve të huaja, duke bërë që shpenzimet e tyre dhe të prindërve të arsimuar fëmijët të mos kthehen asnjëherë mbrapsht./Monitor.

Shpenzimet Per Qarqe
Shpenzimet Per Qarqe
Shpenzimet Ne Eu Dhe Rajon
Shpenzimet Ne Eu Dhe Rajon

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: