SHBA –Sipas një raporti të Senatit Amerikan, teknikat e marrjes në pyetje nga CIA, kundër të ndaluarve pas 11 shtatorit, nuk kanë qenë efikase dhe kanë qenë më brutale nga ato që agjencia e spiunazhit kishte deklaruar deri tani.

Shtëpia e Bardhë e mbështeti publikimin e raportit, megjithë paralajmërimet nga ana e disa zyrtarëve dhe ligjvënësve se kjo mund të çojë në një reagim kundër amerikanëve në mbarë botën. Raporti zbulon hollësi të reja në lidhje me teknikat e ashpra të marrjes në pyetje të përdorura nga CIA pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Raporti përshkruan teknika të tilla ekstreme të marrjes në pyetje si privimi i gjumit ose simulimi i mbytjes me ujë.”Qëllimi i këtij raporti është të zbulohen faktet pas këtij programi të fshehtë, dhe rezultatet, mendoj se janë tronditëse. Raporti nxjerr në pah brutalitetin dhe është në kontrast të plotë me vlerat tona si vend”,- tha senatorja Dianne Feinstein. Disa zyrtarë dhe anëtarë të Kongresit janë të shqetësuar se grupe ekstremiste do ta përdorin raportin për axhendën e tyre anti-amerikane.

Presidenti amerikan Obama tha se programi i marrjes në pyetje i të dyshuarve si terroristë nga ana e CIA-s është tepër shqetësues.

“Programi në fjalë përforcoi idenë time të përhershme se këto metoda të ashpra ishin jo vetëm në mospërputhje të plotë me vlerat tona si komb, por ato nuk u shërbyen përpjekjeve tona të mëdha kundër terrorizmit apo interesave tona të sigurisë kombëtare”, – deklaroi Obama.

“Teknikat e marrjes në pyetje dëmtuan në mënyrë domethënëse pozitën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë si edhe vështirësuan përmbushjen e interesave tona me aleatët dhe partnerët. Ne nuk duhet të përdorim më kurrë teknika të tilla dhe shpresoj që t’i lëmë ato njëherë e mirë”, -theksoi Obama.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: