Zvicra është vendi më i mirë për të drejtat e grave pasi promovon barazinë brenda shtëpisë dhe në vendin e punës, thuhet në raportin e Organizatës Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD). Sipas raportit, Zvicra, pasohet nga Danimarka, Suedia, Franca dhe Portugalia si vendet me performancën më të mirë në promovimin e të drejtave të grave.

Hulumtimi që përfshinë 120 vende, ka për bazë mënyrën sesi përballen këto vende me diskriminimin ndaj gruas, përmes ligjeve dhe reformave politike, shkruan rel. Ndërkohë Guinea, Jordania, Irani, Pakistani dhe Jemeni janë në fund të listës në raportin e organizatës që u bë publik më 8 mars në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“Pavarësisht nga një perceptimi global se barazia gjinore është një përparësi urgjente, ne po lëvizim shumë ngadalë në mbylljen e hendekut të barazisë gjinore dhe në disa vende ai madje është zgjeruar”, tha një deklaratë e shefja e stafit të OECD-së, Gabriela Ramos.

Sipas raportit, femrat zënë më pak se një të katërten e ulëseve në parlamentet e vendeve në nivel botëror. “Duhet të jemi më të mençur në mënyrën se si i hartojmë dhe zbatojmë politikat dhe të mbajmë më shumë përgjegjësi për rezultatet, përndryshe mund të kalojnë edhe 200 vjet të tjerë për të arritur barazinë gjinore” tha Ramos.

Të premten është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas. Në shumë vende të botës janë mbajtur greva dhe protesta për të kërkuar barazi gjinore si dhe për të shprehur kundërshtimin ndaj diskriminimit gjinor.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb