Nga Françesko Altimari* Në vitin 1866 Jeronim De Rada botoi në Firence përmbledhjen e tij të parë folklorike Rapsodi të një poeme shqiptare1, që, siç dihet, tërhoqi vëmendjen e mjaft dijetarëve dhe shkrimtarëve të shquar të Evropës së asaj kohe, mbi kulturën dhe çështjen kombëtare të popullit shqiptar.


Në këtë botim, qe mbetët një nga përmbledhjet me të pasura të folklorit arbëresh dhe që ka një rëndësi veçanërisht të madhe jo vetëm për folkloristikën shqiptare, por edhe për atë ballkanike dhe evropiane, De Rada vëmendjen kryesore ia vuri epikës legjendare dhe historike të arbëreshëve. Në të vërtetë, ai, duke botuar këtë vepër, kishte besim se poezia popullore shqiptare, me vlerat e saj të çmuara, mund të lozte një rol të madh edhe ndaj letërsisë evropiane të shekullit XIX, në të cilën, nën ndikimin e romantizmit, ishte zgjuar interesimi për folklorin e popujve të ndryshëm.


Rëndësia e tematikës së këngëve të përfshira në këtë përmbledhje është vënë në dukje, në botime të veçanta ose në studime të përgjithshme, që prej gjysmës së dytë të shekullit të kaluar deri në ditët tona, nga shume studiues, shqiptarë dhe të huaj, ndër të cilët po përmendim këtu De Grazia, Meyer, Lambertz, Marchianň, Schmaus, Camaj, Shuteriqi, Fico, Desnitskaja, etj.2.


Është përkrahur në të kaluarën dhe, në mënyre jokritike, përtëritet edhe sot teza se De Rada, duke i parë – nën influencën e romantizmit – këngët popullore historike të arbëreshëve si pjesë të një poeme kombëtare të shpërndarë, si fragmente të një poeme të humbur të një bardi anonim të kohës së Skënderbeut, aq u rrëmbye nga ky “paragjykim letrar” sa i konsideroi dhe i titulloi ato Rapsodi të një poeme shqiptare. Gjithnjë sipas kësaj teze, De Rada vetë, pasi u bind se këngët tradicionale qe kishte mbledhur nëpër fshatrat arbëreshe të Kalabrisë, nuk ishin – si besonin më parë – pjesë të epopesë kombëtare shqiptare të shekullit XV, por vetëm këngë epike të veçuara dhe të palidhura, pa një fare uniteti tematik midis tyre, e ndreqi më pas këtë interpretim të tij të gabuar, fryt i paragjykimit të tij letraro-romantik, dhe prandaj nuk e përmendi me fjalën poemë në ribotimin e kësaj vepre, që doli në shtojcën “Biblioteca Albanese” , të revistës Fjamuri Arbërit, dhe që titulloi me thjeshtësisht Rapsodi Kombëtare.
Me të vërtetë, analiza e “rapsodive “ dhe e krijimtarisë letrare të Poetit tonë, provon qartë se askurrë De Rada qe i bindur se këngët tradicionale që ai, me ndihmën edhe të intelektualëve të tjerë arbëreshë si Dorsa, Basile, Santori, Petrassi, Lopez, mblidhte në ambientin arbëresh, ishin vërtet rapsodi “, d.m.th. pjesë të një poeme të vjetër shqiptare të shekullit XV. Me fjalë të tjera, mendojmë se kurrë ndonjëherë Poeti i Maqit e pati këtë iluzion romantik.
Mirëpo, nga analiza e veprimtarisë deradiane, del në pah se Poeti ynë nuk e ushqeu dot këtë iluzion për vetveten, por për tjerët, duke u përpjekur të bindte bashkatdhetarët e tij dhe, sidomos, intelektualët e huaj për ekzistencën e një poeme kombëtare shqiptare të kohës së Skënderbeut.
Dhe kjo ide e tij, menjëherë pati një përhapje të gjerë dhe një pranim entuziast në qarqet letrare shqiptare, ku bindja për ekzistencën e një poeme kombëtare të shekullit XV, qe një element i rëndësishëm për nxitjen e lëvizjes patriotike nacionale. Kujtojmë këtu se më 1872, gjashtë vjet pas botimit të kësaj vepre të De Radës, dhe në shembullin dhe nën ndikimin e tij, Zef Jubani botoi në Trieste veprën Raccolta di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi qe në vetë titullin përmend botimin folklorik të De Radës.
Por kjo ide nuk bindi tërësisht disa nga albanologët e huaj, si Dozon dhe Meyer, e kështu, pas vërejtjeve dhe kritikave të tyre – dhe jo pasi u kishte bindur për mosekzistimin e poemës kombëtare De Rada ia ndërroi titullin përmbledhjes së tij folklorike, duke e cilësuar në botimin e dytë Rapsodi Kombëtare. Domethënë se ndodhemi këtu para një fincioni letrar që De Rada huazoi, nga njëra anë, prej ideve romantike të kohës dhe të ambientit në të cilin jetonte3, nga ana tjetër, prej edukimit thelbësisht klasik që ai kishte marrë në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit, ku mbeti që prej vitit 1822 deri në vitin 1833.

Lidhur me këtë aspekt të fundit, d.m.th. me formimin kulturor të De Radës, nuk duhet të nënvlerësojmë faktin se mu në periudhën që ai kaloi si student në kolegjin e Shën Mitrit u ndie drejtimi i ri që i solli sistemit arsimor të këtij instituti peshkopi-kryetar Domeniko Bellushi, nën udhëheqjen e të cilit studimet me orientim klasik dhe shkencor mbisunduan gjerësisht mbi ato teologjike dhe në përgjithësi fetare, qe përbënin disiplinat dalluese të kolegjit, që, siç dihet, në origjinë ishte një seminar për përgatitjen e klerikëve arbëreshe të ritit bizantin-ortodoks4 .
Përveç kësaj, duhet edhe të nënvizojmë iniciativat e ndryshme që ndërmori Bellushi kur drejtoi kolegjin – në periudhën 1806-1833 – dhe që i sollën një transformim rrënjësor drejtimit edukativ të këtij instituti, që në atë kohë ishte sigurisht një ndër shkollat e larta më të famshme dhe të përparuara në tërë Mbretërinë e Napolit. Përmend këtu çeljen e katedrave të reja, zgjedhjen e një trupi mësimor me një nivel të lartë profesional, pasurimin e fondit të bibliotekës së kolegjit me vepra të reja me përmbajtje historike, politike dhe letrare.

Gjithë këto iniciativa patën, pa tjetër, një ndikim krejt pozitiv dhe vendimtar në formimin pedagogjik dhe në zgjerimin e horizonteve kulturore të nxënësve që aty studionin. De Rada vetë, në Autobiologjinë5, na përshkruan në mënyrë të hollësishme klimën e re kulturore që karakterizonte jetën e kolegjit arbëresh nën udhëheqjen e Bellushit, kur, me të gjitha kufizimet politike që kishte sjellë Restauracioni – jo vetëm në Mbretërinë e Napolit, por në gjithë Evropën – aty mund të qarkullonin pothuajse lirisht, idetë e reja romantike e patriotike, bashkë me veprat me të rëndësishme të kulturës evropiane të asaj kohe. I ndikuar thellësisht nga kultura klasike që mësoi në kolegj, De Rada i ri ndieu në mënyre të veçantë influencën e teorive që studiuesi gjerman Friedrich August Wolf kishtë shprehur në veprën Prolegomena ad Homerum, botuar me 17956, që e shtynë të thelloni disa aspekte dhe disa motive që gjejmë sidomos në letërsinë pararomantike angleze dhe gjermane. Në këtë vepër, siç është e ditur, Wolf gjente një farë analogjie midis poemave të Omerit dhe atyre që i atribuoheshin Osianit, një luftëtar legjendar dhe bard gaelik i shek. III të e.s. që u botuan nga poeti skocez James Macpherson në veprat : Fragments of ancient poetry (1760) e Fingal, an ancient epic poem in six books, together with several other poems, composed by Ossian, the son of Fingal, translated from the Gaelic language (1763).
Të çmuara si këngë legjendare shumë të lashta, Këngët e Osianit patën një popullaritet dhe një përhapje të gjere ndërmjet shkrimtarëve dhe intelektualëve të kohës. Ato, drejtpërdrejt ose tërthorazi, patën një jehonë të madhe në qarqet kulturore evropianë dhe ushtruan një ndikim të konsiderueshëm dhe të rëndësishëm, jo vetëm në letërsitë më të afirmuara, me një traditë të vjetër dhe të pasur kulturore, si p.sh. në letërsitë angleze, gjermanë dhe franceze, por edhe – dhe sidomos – në letërsitë e popujve të pushtuar.

Duke u ndalur në letërsinë pararomantike angleze, pranë Macpherson-it dhe në të njëjtën përvoje letrare, gjejmë Thomas Gray, që dëftoi në veprat e tij interes sidomos për folklorin skandinav, Thomas Percy e Thomas Chatterton, që shkruan poezi në frymën e poezisë popullore mesjetare angleze. Johann Gottfried von Herder, një ndër figurat qendrore të neoklasicizmit gjerman, përveç se nismës i lëvizjes letrare “Sturm und Drang”, botoi më 1773 veprën Auszug aus einem Briefwechsel über Ossian und die Lieder alter Völker që është e konsideruar si manifesti i neogotizmit gjerman. Idetë e Herderit, më në përgjithesi, ia hodhën themelet romantizmit të parë në Gjermani. Në sajë të kësaj vepre të Herderit, rryma letrare osianike u bë menjëherë element përbërës i kulturës së kohës. Edhe shkrimtari francez Prosper Mérimée, nën ndikimin e Macphersonit, botoi në vitin 1827 veprën La Guzla ou Chais des poésies illyriqaes recueillies dans la Dalmatie, la Bosnie, la Croatie et lHerzegovine, të paraqitur si përmbledhje këngësh të një rapsodi popullor sllav, por që në të vërtetë e kishte shkruar ai vetë.
Siç kemi thënë, suksesi i mistifikimit letrar të Këngëve të Osianit, qe i madh, në periudhën e romantizmit, veçanërisht pranë atyre popujve që asokohe fillonin të manifestonin shenja domethënëse të një ringjalljeje kulturore, përveç se politike, dhe që luftonin për të fituar pavarësinë kombëtare.
Është rasti i letërsisë finlandeze, poema kombëtare e së cilës, Kalevala, u “ rindërtua “ dhe u përpunua filologjikisht, në bazë të këngëve popullore, nga shkrimtari Elias Lönnrot, që e botoi në redaktimin e parë më 1835. Edhe në Çeki, në njëzetvjeçarin e parë të shekullit XIX, nën gjurmat e Macphersonit “zbulohen” disa poema kombëtare, i ashtuquajturi Kralodvorski rukopis (1819) dhe Zelengorski rukopis (1821), që u paraqitën kinse tekste të disa poemave popullore çeke të shekullit XIII, por që ishin krijime poetike origjinale të vetë “zbuluesit” të tyre, Vaclav Hanka.
Një shembull të ngjashëm e kemi gjithashtu edhe në letërsinë estone, me poemën Kalevipoeg (1861) të shkrimtarit Friedrich Reinhold Kreutzwald.
Fenomeni i poezisë osiane, siç e pamë shkurtimisht në këtë pasqyrë përmbledhëse – megjithëse në vija medoemos të përgjithshme – pati kështu një influence të gjerë në tërë letërsinë evropiane, duke ngjallur admirimin e lexuesve dhe të letrarëve me të shquar, si, bie fjala, Diderot në Francë, Grimm e Herder në Gjermani, Cesarotti e Foscolo në Itali. Me vonë, rreth të ashtuquajturve Këngë të Osianit të Macphersonit, siç është e ditur, u çel një diskutim i zjarrtë për sa i përket çështjes se autenticitetit dhe të vjetërsisë të tyre. U zbulua, në fund, se këngët që Macphersoni thoshte se kishte mbledhur nëpër malet e vendlindjes, e se kishte përkthyer nga gjuha gaelike në anglisht, qënkeshin krijuar, në të vërtetë, nga vetë Macphersoni, që nga poezia e vjetër gaelike kishte marrë vetëm emrat e heronjve e disa nga motivet.

Qe, në fund të fundit, ky i Macphersonit një falso i bujshëm, nga i cili rrodhi një traditë të pasur letrare: intelektualët e Evropës së tërë gjetën në Këngët e Osianit një model, një burim të pashtershem për shpikjen e të ashtuquajturve poemë kombëtare.

Krahas kësaj, vëmendjeje të përgjithshme për letërsinë folklorike apo folklorizuese, regjistrojmë në kulturën evropiane të periudhës së romantizmit, por edhe më parë, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XVIII, siç dijet, një interes të spikatur ndaj krijimtarisë gojore të popujve të ndryshëm.
Në Gjermani edhe në këtë fushe u shqua Johann Gottfried von Herder, qe botoi në vitet 1778-79 përmbledhjen e parë gjermane me këngë popullore Stimmen der Völker in Liedern. Duke ndjekur shembullin e tij, në fillim të shekullit të kaluar, në vitet 1806-08, Clemens Maria Brentano e Ludëig Achim von Arnim, botuan përmbledhjen tjetër folklorike Des Knaben Wunderborn.

Kujdesi i kulturës italiane ndaj krijimtarisë folklorike u shfaq për herë të parë, në shekullin e kaluar, me botimin Canti popolari toscani, corsi, illirici e greci të dijetarit të njohur Niccolň Tommaseo, që u shtyp në Venedik në vitet 1841-42. Ky studiues, ndër të tjerat, u interesua ngrohtësisht për botimin e përmbledhjes folklorike të De Radës Rapsodi të një poeme shqiptare, deri edhe për pastërtinë e përkthimit italisht të saj. Një ndër përmbledhësit e parë të folklorit italian qe edhe Angelo De Gubernatis, i cili ishte në marrëdhënie të ngushta miqësore me De Radën dhe që më 1869 botoi studimin Storia comparata degli usi nuziali in Italia e presso gli altri popoli indoeuropei7.
Një interesim të dukshëm ndaj krijimtarisë gojore gjatë shekullit të kaluar e gjejmë edhe pranë popujve ballkanike. Në këtë hapësirë u shqua shkrimtari serb Vuk Stefanoviq Karadzhiq, që me qëllim që ta përsëriste kulturën letrare të kombit të vet duke u mbështetur në trashëgiminë kulturore të popullit, u kujdes të botonte, që prej vitit 1814, përmbledhjen e parë me këngë popullore të sllavëve të jugut, Prosto narodne srpske pjesme.

Gjithë ky lulëzim poemash kombëtare, të “gjetura” ose të “ rindërtuara “, sipas shembullit të Macphersonit, dhe interesimi i përgjithshëm për letërsinë popullore, ishin, nga ana tjetër, në lidhje me rivendikimet politike të asokohshme të borgjezisë që sollën kudo në Evropë, në shekullin XIX, një rritje progresive të lëvizjeve nacionale pranë atyre popujve qe ishin nën sundimin e huaj, o, që sidoqoftë, nuk kishin ende arritur unitetin kombëtar8.

Por vetëm një përngjasim, sado që tërheqës, i rrethanave të jashtme na shtyu të qasim midis tyre veprën e De Radës dhe atë e Macphersonit, dhe jo sigurisht bindja se kemi të bëjmë me të njëjtin fenomen letrar.
Që kur, më 1833, fělloi të interesohej për mbledhjen e këngëve tradicionale arbëreshe – pasi u kishte bindur se mungesa e një letërsie kombëtare përfaqësonte një ndër pengesat më të rënda në rrugën e autonomisë së plotë politike dhe kulturore të popullit të vet – De Rada, atëherë njëzetvjeçar – si vuri mirë në dukje Vinçenc Dorsa në veprën e tij të çmuar Mbi Shqiptarët – Kërkime dhe mendime “vendosi të krijonte një letërsi shqiptare dhe i qëndrueshëm në këtë objektiv, e për tia arritur qëllimit, vërente se duhej të niste nga këngët popullore, meqenëse nga ato fěllon letërsia e gjithë popujve” 9. Përmes veprave të tij folklorike dhe letrare, Poeti ynë u bë një përhapës i shquari ideve dhe i synimeve politike të “ Rilindjes “ dhe i solli një kontribut të vyer zgjimit kombëtar të popullit shqiptar. Prandaj, duke pasur përpara modelin e poezisë osiane e duke qenë i gjalle asokohe interesi i nxitur nga teoritë e Wolfit dhe të Lachmannit mbi kompozimin e poemave të Omerit, De Rada deshi të bëjë të mendohej se edhe letërsia shqipe, njësoj si letërsia greke e vjetër e ajo anglosaksonë, fillonte me “rapsodi “ popullore të tipit epik, në të cilat do të gjenin vend bëmat heroike të Skëndërbeut e të gjithë popullit shqiptar, në shekullin XV, gjatë luftës kundër pushtuesve osmanë.

Shkruan gjithashtu Dorsa:
Kjo epokë e poezisë së Shqiptarëve (d.m.th. epoka e Skëndërbeut – shënimi im – F.A.) është për ta kështu, si qe për Grekët ajo para Solonit, për Romakët periudha e imitacionit grek, për Arabët epoka para Muhametit, për Kaledonët epoka e Osianit”10.
Nuk është e rastit, mandej, qe De Rada e paraqiti veprën e tij të parë letrare Milosao me nëntitullin domethënës “ poezi shqiptare të shekullit XV “ 11 e në të njëjtën mënyrë bëri pas edhe me veprën tjetër të tij letrare, Serafina Thopia, që në botimin e parë – që nuk hyri, siç dihet, në qarkullim sepse u ndalua nga censura – e titulloi “Këngë historike shqiptare të Serafinës Thopia, e shoqja e princit Nikolla Dukagjini, të përkthyera në prozë italisht”12.
Me këtë fincion letrar qe vetëm për ngjashmëritë e përjashtme mund ta krahasojmë me atë të Macphersonit, De Rada deshi t’i ngarkonte “ideologjikisht” këngët popullore që kishte mbledhur nëpër komunitetet arbëreshe, duke i ndërruar me qëllim në “rapsodi”.

Por ky fakt me vete nuk më duket i mjaftueshëm për të na shtyrë në supozimin, krejt i pathemeltë, se gjoja tërë veprimtaria e De Radës, në fushën e folklorit, qe mistifikuese. Në veçanti, prania e motiveve dhe e personazheve të ciklit të Skënderbeut në këngët historike të botuara në veprën Rapsodi të një poeme shqiptare, nuk shpjegohet vetëm, sipas mendjes sime, me ndërhyrjet, shtesat, zgjerimet ose me përpunimet e mëvonshme të “rilindasve” arbëreshë të shekullit XIX.
Ka, anasjelltas, dëshmi të padyshueshme, qoftë letrare, qoftë onomastike, që s’u morën deri sot parasysh, dhe që dëftojnë se si këngët mbi Skënderbeun dhe kujtimi vetë i heroit kombëtar nuk ishin harruar, në shekujt e mëparshëm, d.m.th. para ‘Rilindjes’, midis arbëreshëve, siç ka pohuar ndonjë studiues i traditës letrare shqiptare.

Ndër këto dëshmi letrare, po zë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm vepra – deri sot aspak e përfillur – e arbëreshit Michele Scutari, Të dhëna historike mbi origjinën dhe vendosjen e arbëreshëve në Mbretërinë e të dy Siçelive, mbi natyrën, gjuhën, dhe ritin e tyre, që u botua në Potenza më 1825.
Shkruan ky studiues në kreun e tretë të kësaj vepre:

“Në ditët e festëve popullore, e, posaçërisht në ditët e Karnavalět, mbretëron një gëzim i përgjithshëm, del gjith gjindja jashtë nëpër rrugët dhe e rreshtuar në kor e duke improvizuar këndon bëmat heroike dhe luftarake të stërgjyshërve të tyre më të famshëm që a shquan për trimëri në sipërmarrjet e vështira …”13.
Përveç kësaj dëshmie të Michele Scutarit – që provon në mënyrë të padiskutueshme se si para të fillonte veprimtaria e “rilindësve”, në përgjithësi, dhe e De Radës, në veçanti, njiheshin dhe këndoheshin në fshatrat arbëreshe këngë për Skëndërbeun – në kuadrin e një kërkimi të bërë nga katedra e shqipes e Universitetit të Kalabrisë dhe të drejtuar nga prof. Francesco Solano, janë gjetur, kohët e fundit, përmes -konsultimit të regjistrave famullitare, dëshmi të rëndësishme në fushën e onomastikës që provojnë gjithashtu vazhdimësinë e pandërprerë të kujtimit të Skëndërbeut, në ambientin arbëresh të Kalabrisë, së paku që prej fundit të shekullit XVI14.

Pra, në përfundim, dua të shtoj se me këto konsiderata të mia të përgjithshme, që parashtrova në ketë kumtesë, kurrsesi nuk më shkoi me mend të konsideroja të zgjidhur problemin e origjinalitetit të “rapsodive” të De Radës, problem ky qe mbetët i hapët dhe që kërkon natyrisht një thellim dhe një zgjerim të mëtejshëm të studimeve të zhvilluara deri sot, duke sjellë më tej në këtë fushë – sipas vëzhgimeve të çmueshme, që gjetën edhe përpjekje të pjesshme por të suksesshme zbatimi, të disa studiuesve di Schmaus, Camaj e Desnitskaja përdorimin e metodës së krahasimeve tipologjike, që paraqitet mjaft i arsyeshëm në shqyrtimin e teksteve për t’i ndarë tekstet popullore autentike nga krijimet letrare.

Shënimet
1-Rapsodie d’un poema albanese, raccolte nelle colonie del Napoletano, tradotte da Girolamo De Rada, e per cura di lui e di Niccolň Jeno de’ Coronei ordinate e messe in luce, Firenze, Tipografia di Federigo Bencini, 1866.
2- Demetrio DE GRAZIA, Canti popolari albanesi tradizionali nel Mezzogiorno d’Italia, Noto 1889; Gustav MEYER “Über Sprache und Literatur der Albanesen”, në Nord und Sud, Breslau 1883; Maximilian LAMBERT “Albanische Mundarten in Italien”, në Indogerm. Jahrbuch, 2, 1915; Michele MARCHIANO , L’A, lbania e l’opera di Girolamo De Rada, Trani 1902; Alois SCHMAUS “Balkanische Motive in der italo-albanischen Volksdichtung”, in Gesammelte Slauische zind Balkanologische Abhandhngen, I1 Teil, Munchen 1973; Idem, “Relikte der Skanderbeg Epik in der Volksdichtung des Italo-albaner”, Munchen 1963; Martin CAMAJ-Alois SCHMAUS, “Ein italo-albanisches Lied aus dem Skanderbeg-Zyklus”, në Beiträge zür Sud-osteuropa-Forschung, Munchen 1970 ; Dhimitër S. SHUTERIQI “Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve”, Kënget arbëreshe mbi Skënderbeun”, “Një këngë mbi Skëndërbeun” në përmbledhjen Ndër shekujt letrarë, Tiranë 1973; idem, “Një variant kënge arbëreshe e pabotuar mbi Skënderbeun” në përmbledhjen Gjurmime letrare, Tiranë 1974; idem, “Gjashtë këngë arbëreshe mbi Skënderbeun dhe një tregim mbi Dukagjinin” në revistën Nëntori, n. 11, viti XXIX, Tiranë 1982; Klara KODRA, « La figura di Skanderbeg nell’opera del De Rada », në Deuxičme Conferente des études albanologiques, I, Tiranë 1969; Agnia DESNITSKAJA “Folklorizmi në letërsinë e arbëreshëve të Italisë në kohën e Rilindjes”, në Seminari mbi kulturën shqiptare për të huaj, vëllimi IV, Prishtinë 1978; Agron FICO, Probleme të epikes popullore historike dhe figura e Skëndërbeut në revistën Studime Filologjike, n. 4, Tiranë 1967.

3- Shih: Gottlieb STIER, “Die Albanesen in Italien und ihre Literatur” (f. 864- 874), në Allgemeine Montsschrift, 1853.
4- Mbi këtë periudhë të historisë së kolegjit arbëresh, shih: Guglielmo Tocci, Francesco Saverio Elmo e il Collegio italo-greco in Calabria, Torino 1877; Francesco CAPALBO, “Collegio italo-greco (1732-1923)”, në Annuario del R. Liceo-Ginnasio Italo-Albanese di S. Demetrio Corone, Castrovillari 1927; Maria Franca Cucci, “I1 Collegio di S. Adriano e le comunitŕ italo-albanesi di Calabria (1820-1945)”, në përmbledhjen: Aspetti e Problemi di Storia della Societŕ Calabrese, Reggio Calabria 1975 ; Domenico CASSIANO, La cultura minoritaria arbereshe in Calabria, Cosenza 1981.

5- Girolamo DE RADA, Autobiologia – primo periodo, Cosenza 1898, f. 13-14.
6-Ndikimin e teorive të Ëolfit në veprimtarinë folklorike dhe letrare të De Rades, e nënvizoi, për herë të parë, Michele MARCHIANO, në veprën e tij të famshme L’Albania e l’opera di Girolamo De Rada, Trani 1902, f. 152: Paragjykimi qe se këngët popullore arbëreshe qe Poeti akoma i ri, shkonte duke i mbledhur nga goja e popullit, i bënë përshtypje se ishin fragmente të një poeme të vjetër shqiptare. Unë besoj se kjo përshtypje i lindi atij nga dy faktorë: kultura e tij klasike dhe patriotizmi. Ishin të reja në fillim të shekullit të kaluar teoritë e Wolfit dhe të Lachmannit rreth kompozimit të poemave të Omerit … “.
7- De Rada pati, qoftë me Tommaseon, qoftë me De Gubernatis, një letërkëmbim të shpeshtë dhe të rregullt, që ruhet në një fond të posaçëm të Bibliotekës Kombëtare të Firences. Shih për këtë: Emilia GIGLIO, “Cronologia ragionata del carteggio tra G. De Rada, N. e G. Tornrnaseo, A. De Gubernatis D, f. 283-289, në revistën Shejzat (Le Pleiadi), viti VIII, n. 7-8-9-10, Roma 1964:
8- Për ketë aspekt të fundit, dhe, në përgjithësi, për tematikën e mistifikimit në letërsinë e
“Rilindjes” shih edhe studimin e çmuar të Latif BERISHËS “Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes”, në revistën Gjurmime Albanologjike – seria e shkencave filologjike, V – 1975, Prishtinë 1976.
9- Vincenzo DORSA, Su gli Albanesi – Ricerche e pensieri, Napoli, dalla Tipografia Trani, 1847, f. 132.
10- Vincenzo DORSA, vepër e cituar, f. 124.

11- Poesie Albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari, Napoli, Da’ Tipi del Guttemberg, 1836.
12- Canti storici albanesi di Serafina Thopia, moglie del Principe Nicola Ducagino. Tradotti in prosa italiana, Napoli, dalla Tipografia Boeziana, 1839.
13- Notizie Istoriche sull’origine e stabilimento degli Albanesi nel Regno delle Due Sicilie, sulla loro indole, linguaggio e rito, compilate dal R. Arciprete di S. Costantino D. Michele Scutari, Potenza, nella Tipografia di Basilicata (sic), 1825, f. 17.
14- Po sjellim këtu disa nga këto dëshmi onomastike mbi Skëndërbeun ato më të vjetrat dhe prandaj me interesante – që janë gjetur kohët e fundit gjatë hulumtimeve të bëra në arkivat e famullive të katundeve arbëreshe të provincës së Kozencës dhe që do të jenë shqyrtuar hollësisht në një studim të veçantë nga prof. Francesco Solano, që nisi dhe drejtoi këtë kërkim:
– ARKIVI I KISHËS SË KARMINIT TË SPIXANËS: Liber Baptizatorum 1598 (vëllimi I , 1598-1620) Libro de quelli che son stati baptezati per me D. Martino Barbato, cappellano ac Vicario foraniale in Spizzano, fatto per ordine dello Illustrissimo ac everendissimo sig. Lucio Sanseverino, Archiepiscopo de Rossano sub die X mensis Angusti 1598.

Në listën e të pagëzuarve të vitit 1598 gjendet një “Cola Lanza”, i ati i të cilit quhej Scanderbeg Lanza H,
– ARKIVII FAMULLISË SË SHËN MITRIT: Regjistri më i vjetër që ruhet është një Libër Bŕptizatorum qe përfshin emrat e të pagëzuarve në periudhën 1600-1670, ku, në faqen e përparme të fletës 9, midis të pagëzuarve të vitit 1602, ndodhet një “Scanderbech Arcondizza” që kishte për prindër “Marcello ed Eleanora Marchianň”.
– ARKIVI I FAMULLISË SË SHËN SOFISË: në regjistrin Liber Matrimoniorum
Ab Anno Domini 1591 usque ad annum 1805 descriptus, në faqen e prapme të fletës 22, përpiqemi në një “Scandilbecco Arcondizza” që u martua në datën 1.2.1615. Në faqen e prapme të fletës 23 figuron edhe një “Scandilbecco Baffa”.
– ARKIVI I FAMULLISË SË ÇIFTIT: në më të vjetrin Liber Baptesimorum, që ruan emrat e të pagëzuarve në këtë katund në periudhën 1610-1766, gjendet në vitin 1618 një “Scandibecci, figlio di Schalizo e di Vitora Frega”, e, dy vjet pas, një Bech, figlio di Sannecasi e di Driana Busesa”.
– ARKIVI I FAMULLISË SË STRIGHARIT:dëshmitë e para onoinastike mbi Skëndërbeun i kemi këtu në regjistrin Liber Mortuorum 1631-1702, ku ndodhet një “Soda, figlia di Scanderbeco Tocci”, që vdiq, foshnjë mezi dymuajshe, me 6.10.1633, dhe një « Scanderbecco, figlio di Maurizio Tocci” që vdiq me 21.8.1641.
– ARKIVI I FAMULLISË SË SHËN VASILIT:emrin “Scanderbech” e gjejmë për të parë të regjistruar në vitin 1775 (“Margherita Bellizzi de Scanderbech”), në një Liber Mortuorum që fillon mu prej atij viti. Pas tri vjetësh, në të njëjtin regjistër, takojmë një (( Scanderbegh Bellizzi di Salvatore”.
Duhet të shtojmë, në fund, se regjistrat me të vjetër që kemi gjetur gjatë këtyre hulumtimeve, datohen në fundin e shekullit XVI, epokë kjo në të cilën, pas Koncilit të Trentit (1515-1563), filluan të përdoreshin rregullisht regjistrat kishtare në famullitë e kishës katolike.

(d.b/MILOSAO/BalkanWeb)