Altin Lala nuk pajtohet kurrsesi me qëndrimin e një pjese të opinionit në Shqipëri se Milot Rashica është tradhtar. Ai ka bindjen se nëse Rashica do të mund të kish qenë në Europian, do ta kish pasur shumë më të vështirë për të shkuar te Kosova, por, edhe pse e bëri këtë, nuk mund të kritikohet.

Ish-kapiteni i shquar i Shqipërisë thotë gjithashtu se situata e krijuar së fundmi i ka kapur të papërgatitura të dyja federatat, pasi nuk mendonin se anëtarësimi i Kosovës do të ndodhte realisht kaq shpejt. Më tej, ai jep një opinion edhe për të ardhmen e Shqipërisë, duke “sponsorizuar” Hysajn si pasuesin e Canës për shiritin e kapitenit.

Altin, ç’mendim keni për situatën e krijuar së fundmi pas largimit të katër lojtarëve drejt Kosovës?

E tepruar. Një abuzivizëm i theksuar edhe nga gazetarë apo analistë të njohur të të dyja vendeve. Ndoshta sepse kjo ka një ndjeshmëri të madhe dhe përfitojnë që të mund të marrin pak vëmendje.

A mund të jeni pak më konkret në lidhje me këtë?

Shikoni, është anormale të quash tradhtar një lojtar nga trojet e Kosovës që zgjedh Kosovën. Nuk shkuan as te Zvicra dhe as te Kina… Kanë rrënjët e tyre atje dhe nuk mendoj se e kanë bërë për ndonjë përfitim, përkundrazi do ta kenë më të vështirë atje sesa te Shqipëria.

Pse do ta kenë më të vështirë?

Sepse Kosova është në hapat e parë të saj. Nuk ka infrastrukturën dhe organizimin që ka Shqipëria. As fushat nuk i kanë njësoj. Në këtë këndvështrim, mund të themi se nuk shkuan atje as për luks dhe as për t’i bërë karshillëk Shqipërisë.

De Biazi pohoi se Rashica zgjodhi Kosovën pasi nuk shkoi në Europian…

Mendoj se nëse Rashica do kish qenë në Europian, do ta kish pasur shumë të vështirë të linte Shqipërinë. Por, duhet të jemi realistë, nëse një lojtar i ri dhe me shumë talent nuk ka një shans as në listën me 23 veta, atëherë mendon se e ka të pamundur të jetë pjesë serioze e një projekti për të ardhmen.

Po, por trajneri tha se ia kish bërë të qartë se ai për 10 vitet e ardhshme do kish qenë pjesë e Shqipërisë…

Më falni, po çfarë ka ndryshuar te Rashica tani që ai ka qenë dy muaj pushim?! Nuk mendoj se është bërë as lojtar më i mirë dhe as më i keq… Nëse paska qenë kaq i rëndësishëm për të ardhmen, ndoshta duhej të kish pasur një shans në Europian.

Ne nuk prodhojmë shumë talente të kalibrit të tij. Gjithsesi, kjo ishte zgjedhja e trajnerit De Biazi dhe nuk dua ta komentoj më gjatë. Aq më tepër që nuk dua të zhbalancohem mbi Rashicën, pasi është edhe një lojtar me të cilin bashkëpunoj.

A janë të përgatitura Kosova dhe Shqipëria për situatën e krijuar së fundmi?

Nuk më duket se janë edhe aq të përgatitura, ndoshta jo për faj të tyre. E them këtë, sepse duke iu referuar periudhës kur unë isha zv.trajner i Kombëtares, ishte krijuar ideja në të dyja kampet se Kosova do të anëtarësohej pas 6 apo 7 vitesh në FIFA. Ndodhi që u anëtarësua shumë më shpejt dhe federatat së bashku me stafet janë të papërgatitura.

Por duhet të jenë të ftohtë dhe të kujdesshëm. Situata të tilla prodhojnë edhe pak nervozizëm apo edhe ndonjë xhelozi, e cila nëse nuk menaxhohet me maturi, mund të fryhet dhe të marrë përmasa shqetësuese. Shembulli më i mirë ishte ai i Rashicës, Shalës dhe Mehës.

A mund të ishte evituar një situatë e tillë?

Tani që gjërat ndodhën, është e lehtë të japësh mendime… Megjithatë, unë mendoj se një ndikim të madh në dëshirën e futbollistëve nga Kosova për të luajtur me Shqipërinë e pati ndeshja me Serbinë.

Pse mendoni kështu?

Sepse përjetova vetë një situatë të tillë. Kisha folur disa herë me babanë e Donis Avdijajt dhe ishin të dyzuar, por menjëherë pas ndeshjes me Serbinë, duke marrë parasysh edhe situatën që u krijua, ai shprehu dëshirën që të vishej kuqezi. Kjo ndodhi edhe me shumë të tjerë.

Sërish pati një përplasje për një lojtar të Shpresave (Ramadani), sepse në Kosovë e cilësuan këtë si një thikë pas shpine. A duhet të vazhdojmë të ftojmë lojtarë nga Kosova?

Po, patjetër që duhet t’i ftojmë. Diskutimi ka qenë për lojtarët që luajnë për Shqipërinë pa u anëtarësuar Kosova. Tani e tutje, lojtarët që do të zgjedhin Kosovën apo Shqipërinë nuk do të kenë mundësi të bëjnë “rokada”, sepse nuk ka më asnjë mundësi justifikimi.

Ju jeni menaxher i Rashicës, a i kërkuat atij ndonjëherë që të qëndronte te Shqipëria?

Nuk i kam thënë asgjë. I thashë “zgjidh me zemër”. Nuk mund t’i thosha se çfarë duhet të bënte. Më besoni, ishte situatë delikate.

Pas Europianit, tani shqiptarët duket sikur janë më euforikë sesa duhet dhe kërkojnë surprizën edhe në botëror. A mos po e teprojmë pak?

Nuk ka asgjë të keqe të ëndërrosh, por duhet të kuptojmë se shanset më të mëdha ishin në Europian. Për shumë faktorë. Botërori është ndryshe dhe mbi të gjitha kemi në grup Spanjën dhe Italinë… Por ne nuk kemi asgjë për të humbur dhe De Biazi ka krijuar realisht një ekip të mirë, i cili mund të bëjë sërish surpriza.

Pas largimit të Canës, kush mendoni se duhet ta mbajë shiritin e kapitenit?

Janë punët e De Biazit, unë nuk jam më ndihmës i tij… (qesh). OK, unë mendoj se katër janë kandidatët: Hysaj, Agolli, Berisha dhe Mavraj. Janë të gjithë të aftë për atë pozicion. Personalisht, më pëlqen Hysaj sepse është një frymëzim për të rinjtë. Mbërriti herët në nivele të larta, por është shumë i pjekur dhe shumë pozitiv si njeri. Gjithsesi, edhe tre të tjerët për mua janë vërtet shumë të mirë.(panoramasport)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb