Mbështetje nga Kombëtarja e Shqipërisë për kandidatin e vetëm shqiptar për në Parlamentin Europian, Marco Muharrem Salihu!
¨Vota për kandidatin e vetëm shqiptar në listat italiane, është votë flamuri, votë dinjiteti, është votë për zërin që mungon, fytyrën që duhet, për një komunitet të madh si shqiptarët e Italisë, që unë i quaj arbërit e rinj¨, i tha një grupi të rinjsh në një takim në Bolonja, Muharrem Salihu, -Marco në fletët e votimit. Fushata e tij aktive vijon në gjithë territorin e Verilindjes, që përfshin afro 12 milionë banorë, ku ka afro 145 mijë shqiptarë me të drejtë vote. Në fokus të takimeve kanë qenë grupet e interesit, kompani të mëdha italiane, biznese të vogla dhe të mesme në gjithë territorin e gjerë, njerëzit e punës, komunitete etnike e fetare, pakica.
Dje lojtarët e kombëtares nga grumbullimi i tyre, kanë regjistruar video mbështetje për Marco-n. Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares, kapiteni i Atalantës që e udhëhoqi në Kupën e parë europiane ekipin e tij, është nga Medvegja, vendlindja e Muharremit. Broja, Asani, autorët e golave në ndeshjen e fundit, gjithashtu kanë bërë thirrje votuesve të votojnë për kandidatin e flamurit, në 8-9 qershor.
Edhe Presidenti Duka, zëvendëspresidenti i UEFA-s, e ka quajtur rast historik votën për Marco-n. Lojtarët e Kombëtares kanë bërë thirrje njëzëri: bëni tifo për Kombëtaren, votoni Marco-n, pastaj shkoni në plazh, një aluzion për mungesën e interesit që në përgjithësi ka ekzistuar në votimet për PE, në Itali.
Mbështetje e madhe po i vjen kandidatit Marco(Muharrem Saliu) nga gjithë shoqatat e shqiptarëve në Trieste, Rimini, Bolonja, Padova, Verona, Ravena, etj, pa llogaritur Venezia-n, ku ai zhvillon pjesën më të madhe të aktivitetit njerëzor e të ndërrmarrësisë. ¨ky komunitet, më i integruari në Itali, më i madhi nga Ballkani, ka energji të jashtëzakonshme që unë e ndjej kudo mes jush. I ngjan një vullkani nën tokë që pret të shpërthejë, të ketë përfaqësimin e vet në institucionet europiane, të ketë një zë pranë institucioneve italiane dhe atyre shqiptare. Unë dua të jem shkëndija e parë e shpërthimit të këtij vullkani¨– potencoi ai në një takim në Forli, ku kandidatura e tij mbështetej nga shoqatat më të rëndësishme vepruese në atë qytet dhe provincat përreth.
Kandidimi i tij ka gjetur mbështetje nga organizatat e biznesit italian, shumë prej anëtarëve të të cilave kanë bashkëpunuar me të dhe e vlerësojnë programin e tij. Tema e emigrimit është tema kryesore që dominon këtë fushatë elektorale, dhe Marco (Muharrem Salihu) është vlerësuar për propozimet e veta, për amendimin e ligjit Bosi Fini, që penalizon pa dallim, edhe shqiptarët; lehtësime për punësimin e shqiptarëve që kanë liri lëvizjeje drejt BE-së, shtim të konsullatave, qendrave të kulturës dhe gjuhës në gjithë territorin, dhe votim për diasporën në vendet e origjinës. Marco synon rritjen e ndikimit të Italisë nëpërmjet kulturës, ndërmarrësisë, në rajon, ku ajo shihet pozitivisht nga gjithë shtetet që kanë histori konflikti me njeri tjetrin.
Mbështetje surprizë i kishte ardhur më herët Marco (Muharrem Salihut), nga Giani De Biasi, ish trajner i kombëtares shqiptare në 2016. Në një video që qarkullon në rrjete sociale shihet De Biasi, që e dërgoi Shqipërinë në një garë europiane kaq të rëndësishme, duke i dorëzuar topin si stafetë që Marco të përfaqësojë shqiptarët në Parlamentin Europian. Tiktoker popullorë ndër shqiptarë dhe italianë, po ashtu kanë bërë postime virale në mbështetje të tij.
(BalkanWeb)