TIRANË – Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka reaguar sot ndaj akuzave të PD për shkak të përfshirjes së një pjesëtari të FA në aktivitet kriminal, duke theksuar se kjo ngjarje flet për domosdoshmërinë e reformimit të thellë në të gjitha nivelet e drejtimit të ushtrisë shqiptare.
Kolonel Flamur Hadushi deklaroi sot se “ngjarja ku gjeti vdekjen major Sokol Feka është një ngjarje e rëndë, e cila flet për domosdoshmërinë e reformimit të thellë që kemi ndërmarrë në të gjitha nivelet e drejtimit të FA.

Është një ngjarje që flet po ashtu për rëndësinë e zbatimit të rregullave dhe procedurave për daljet jashtë vendit të personelit ushtarak si dhe nevojën që të rrisim më tej integritetin e të gjithë efektivëve tanë.

Ky rast nuk mund të hedhë poshtë punën e personelit të Forcës Ajrore për realizimin e misionit të saj kushtetues, për sigurimin në bashkëpunim me NATO të sovranitetit ajror, të krijimit të kapaciteteve të vëzhgimit ajror, mbështetjen e strukturave të tjera të Forcave të Armatosura dhe veçanërisht në mbështetje të drejtpërdrejtë të popullit, në përballimin e emergjencave civile.

Por po ashtu askush, nuk ka të drejtën morale të ngrejë gishtin e akuzës ndaj gjithë Forcave të Armatosura dhe efektivave të saj, për shkak se një pilot i efektivëve tanë u gjet i përfshirë në veprimtari të paligjshme jashtë kufijve të vendit”.

Si ushtarak i bëj thirrje që raste të tilla sporadike të mos përgjithësojnë punën tonë të përditshme dhe sakrificat e personelit të Forcave të Armatosura dhe që askush, të mos keqpërdorë veprimtarinë tonë në funksion të trajnimit, stërvitjes dhe ruajtjes së gatishmërisë luftarake. Ky është reagimi i fundit i Shtabit të Përgjithshëm për këtë çështje,”- theksoi Kolonel Hadushi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb