Partia Socialiste ka vendosur të marrë masa për të kaluar nënë disa “filtra” të gjithë personat, të cilëve do iu besohen poste të larta politike. Pas rastit të Valdrin Pjetrit, i cili dha dorëheqjen nga kryebashkiak i Shkodrës, pasi rezultoi i dënuar në Itali për trafik droge, kryeministri Edi Rama ka vendosur të marrë masa më shtrënguese për figurat e PS.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha në foltoren e Kuvendit se shumë shpejt do të depozitohen në komisionin e Reformës Zgjedhore amendamentet me shtrëngimet përkatëse.

“Sa i përket integritetit të personave që zgjidhen ose emërohen. Rasti i Shkodrës na bën të jemi të vetëdijshëm se kuadri ligjor nuk është ende i plotë. Në këtë këndvështrim, Rama ka njoftuar dhe do të depozitojë në komisionin e Reformës Zgjedhore amendamente me shtrëngimet e domosdoshme lidhur me figurën e çdo personi”, tha Balla.

Më tej, Taulant Balla tha se Shqipëria meriton tërësisht hapjen e negociatave, duke e cilësuar këtë një fitore të qeverisë, por edhe një moment shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.
“Shqipëria e meriton tërësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo nuk është fitore vetëm e qeverisë, por është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët. Di të vlerësoj për këtë edhe rolin e opozitës së re, në përpjekjen për të votuar ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi në muajt e fundit. Dua që në frymën e këtij bashkëpunimi të vijojmë edhe për sfidat që na presin. Reforma Zgjedhore është kryefjala e këtij sesioni të ri.

JO vetëm me ju, por edhe me opozitën jashtë parlamentit, të cilës i kemi rezervuar vendin e saj, PD si partia më e madhe, në komision. Sot kemi dakordësuar zgjerimin e përfaqësimit të grupit të ri parlamentar të opozitës. Duhet të çojmë më tej implementimin e Reformës në Drejtësi. Jemi në afatet fundore që institucionet të marrin udhë dhe të fillojë puna menjëherë”, deklaroi deputeti i PS.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb