Në përfundim të raundit të parë të regjistrimeve, numri i studentëve që kanë përzgjedhur Kolegjin Universitar “Luarasi” ka qenë 4 herë më i lartë krahasuar me një vit më parë. Akreditimi maksimal dhe standardi i lartë i mësimdhënies janë dy nga pikat më të forta që kanë afruar maturantët drejt rrugës së dijes pranë këtij universiteti. Rektori i “Luarasi-t”, prof. Dr Et’hem Ruka tregon se studentët që janë regjistruar në raundin e parë, kanë një mesatare të lartë. Kjo dëshmon qartë nivelin elitar të Kolegjit Universitar ‘Luarasi’. Një numër i lartë studentësh kanë zgjedhur të vazhdojnë rrugëtimin akademik në fakultetin më të ri pranë universitetit Luarasi, përkatësisht në programet e studimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit. Rektori Et’hem Ruka thekson se për vitin e ri akademik 2018-2019, shumë studentë kanë shfaqur një interes të lartë për të transferuar studimet në universitetin “Luarasi”. Deri më tani, rreth 60 të rinj kanë tërhequr dokumentacionin nga IAL-të përkatëse, për të vijuar rrugëtimin e sigurt në këtë institucion të arsimit të lartë. Ruka iu bën thirrje studentëve që në dy raundet në vijim, të regjistrohen në Kolegjin Universitar ‘Luarasi’, për të siguruar një diplomë të vlefshme në tregun e punës.

Raundi i parë i regjistrimit në universitete ka përfunduar. Si ka vijuar ky proces për Kolegjin Universitar “Luarasi”?
Jemi në përfundim të raundit të parë për regjistrimet në shkollat e larta, një proces që është finalizuar me sukses për universitetin “Luarasi”. Herë pas here ne kemi pasur rast të tregojmë rezultatet në rritje të këtij universiteti. Kam kënaqësinë të them se numri i studentëve që kanë zgjedhur “Luarasin” është 4-fishuar në raport me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë. Kjo është një rritje, por është edhe një meritë e këtij institucioni, reputacioni i të cilit ka ardhur duke u rritur. Reputacioni sot nuk fitohet lehtë, në një botë që është me të vërtetë konkurruese e ka shumë shkolla të larta private që janë ende funksionale.

Si ka qenë niveli i studentëve të regjistruar në këtë universitet gjatë raundit të parë?
Ne kemi marrë të gjitha statistikat e mundshme nga të regjistruarit mbi gjimnazet dhe rrethet nga vijnë, mesataren e shkollës së mesme, motivin pse kanë zgjedhur këtë universitet. Këta janë tregues të rëndësishëm që ne i përdorim për ecjen e universitetit para, e jo vetëm për këtë vit të ri akademik. Nga një analizë e thjeshtë që kemi bërë, mund të them se studentët e regjistruar kanë një mesatare të lartë nga nota 8 deri në 10. Ky nivel i lartë i studentëve rrit përgjegjësisë e stafit akademik për t’iu dhënë atë që kërkojnë dhe meritojnë. Kemi “thithur” një numër të madh profesorësh, doktorësh shkencash, në të tre fakultetet, sepse profesorët e mirë e bëjnë edhe shkollën të mirë. Padyshim që “Luarasi” është një institucion elitar i arsimit të lartë në vend.

Si kanë ecur regjistrimet në Fakultetin e ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit?
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit hapet për herë të parë. Për fat të mirë, numri i të regjistruarve në programet e fakultetit të ri është i barabartë me fakultetet e tjera ekzistuese, pra me Drejtësinë e Ekonomikun, çka tregon se ne me të vërtetë i kemi dhënë tregut një drejtim arsimimi që është shumë i kërkuar në ditët e sotme.

Cili është mesazhi juaj për studentët që tashmë do të jenë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë?
Është një rast shumë i mirë për të falënderuar të gjithë maturantët që kanë zgjedhur “Luarasin”, si dhe prindërit e tyre. Dua t’i garantoj se ëndrrat e fëmijëve të tyre do kthehen në realitet. Vitet ikin shpejt dhe pas 5 vitesh, studentët e diplomuar te ne do të jenë profesionistë në fushën e drejtësisë, ekonomisë e teknologjisë së informacionit e inovacionit. Të jenë të sigurt se diploma e tyre do të ketë shumë vlerë.

Çfarë u këshilloni maturantëve që do të aplikojnë në raundin e dytë dhe të tretë?
Gjej rastin t’iu bëj thirrje maturantëve të cilët ende kanë shansin që të zgjedhin midis universiteteve, që të përzgjedhin pa asnjë mëdyshje ‘Luarasin’. Të zgjedhin këtë universitet pasi është një ndër katër më të mirët në vend, i akredituar me 6 vite dhe kjo përkthehet në një diplomë që të çon në një destinacion të sigurt. Unë jam i bindur se maturantët që do ulen për herë të parë në bankat e “Luarasit” do të gjejnë atë që ne iu kemi premtuar në takimet që kemi organizuar në kuadër të këshillimit të karrierës. Më vjen mirë që maturantët na kanë besuar si institucion, për vetë faktin që Luarasi është rritur e do vazhdojë të rritet akoma më shumë.

A ka pasur transferime në këtë institucion arsimor për vitin e ri akademik 2018-2019?
Tani jemi në procesin e transferimit (një periudhë kjo relativisht e shkurtër), por këtu kanë ardhur studentë nga plot universitete të tjera, janë interesuar e tashmë janë në procesin e transferimit të dokumentacionit në ‘Luarasi’. Sipas statistikave tona, numri i të interesuarve ka arritur në 60 që do të lëvizin nga universitetet e tjera për në KU “Luarasi”. Sigurisht që është një zgjedhje e mirë, dhe është e drejta e çdo studenti shqiptar që të ndërrojë universitetin për të gjetur më të mirin duke transferuar kreditet mbi bazën e komisioneve që ne ngremë. Vlen të theksoj se rreth 80 studentë të tjerë që kanë përfunduar bachelorin në universitete të tjera, kanë zgjedhur “Luarasin” për të vazhduar studimet në nivelin master.

A parashikohen programe të reja studimi në KU “Luarasi” si në nivelin Bachelor edhe në atë master?
Ne kemi në proces disa mastera që presin miratimin nga Ministria e Arsimit, ndërsa për vitin e ardhshëm akademik sigurisht që do të shtojmë programet e studimit në fushën e biznesit, ligjit, dizajnit e turizmit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb