Trajneri serb Mlladen Milinkoviç ka mohuar lajmin e nxjerrë nga klubi i Luftëtarit se do të jetë trajner i gjirokastritëve edhe për sezonin e ri futbollistik. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” nga Serbia, ai bëri të ditur se nuk ka rinovuar marrëveshjen me Luftëtarin. “Nuk ka asgjë të re sa i përket të ardhmes time. Nga klubi i Luftëtarit nuk më ka kontaktuar askush. Kam dëgjuar lajmet në mediat shqiptare se kam rinovuar, por kjo nuk është e vërtetë pas s’kam biseduar me drejtuesit. Për një gjë jam 100% i sigurt, se nuk kam nënshkruar kontratë të re me Luftëtarin. Si mund të nënshkruaj kontratë të re, kur unë ndodhem akoma në Serbi.

E vërteta është që më kanë informuar në muajin prill se dëshirojnë të më mbajnë, por nuk kam firmosur zyrtarisht kontratën që hynte në fuqi për sezonin e ardhshëm. Fillimisht kemi rënë dakord në parim, por më pas nuk kemi diskutuar më për kontratën e re. Presidenti më konfirmoi se ka dëshirë të rinovojë, por s’kemi folur që pas muajit prill”, – ka thënë fillimisht Milinkoviç.

Në fund, i pyetur për një interesim të Kukësit, ai sqaroi: “Kukësi? Kam dëgjuar, por nuk kam asnjë kontakt.”. Ndërkohë gazeta disponon një kopje të kontratës së trajnerit me klubin gjirokastrit ku në pikën 12 thuhet se më 30 prill 2017, Luftëtari vendos të vazhdojë marrëveshjen me Milinkoviçin për një pagë neto prej 4 mijë eurosh në muaj. Gjithashtu bëhet e ditur se në rast të prishjes së marrëveshjes nga vetë trajneri, atëherë ky i fundit duhet të dëmshpërblejë Luftëtarin me 100 mijë euro./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: