Reali i Madridit ka mposhtur sot me rezultatin 2-0 Vijarealin. “Los blancos” shënuan nga një herë në secilën pjesë për të siguruar tre pikëshin përballë Vijarealit. Ishin dy perla nga distanca ato që sollën triumfin për ekipin e Ançelotit. Në minutën e 14 Valverde tundi rrjetën me një gjuajtje nga një distancë e largët, duke gjetur cepin e poshtëm të anës së djathtë të portës.
Ndërkohë, në minutën e 73-të ishte Viniciusi ai që me një gjuajtje po nga distanca, e dërgoi topin në drejtëndësh. Dy kryeverpa që kanë magjepsur tifozët, dy kryevepra që kanë fundosur “nëndetësen e verdhë” në “Santiago Bernabeu”. Në këtë sfidë u aktivizua nga minuta e parë sulmuesi francez Kylian Mbappe, i cili duket se ka lënë pas dëmtimin e disa javëve më pare. E ndërsa flasim për dëmtimet, shumë i rëndë ishte ai i Carvajal, që me shumë gjasa do ta mbajë gjatë larg fushave mbrojtësin e krahut të djathtë. Në përpjekje për të larguar topin, 32-vjeçari gjeti trupin e kundërshtarit. Goditja ishte aq e fortë, sa Karvahali është shtrirë menjëherë në tokë dhe ka shpërthyer në ulërima.
Stafi mjekësor hyri në fushë për t’i dhënë ndihmën e shpejtë spanjollit. Karvahal u ngrit përkohësisht në këmbë pas ndërhyrjes së mjekëve, por me përpjekjen e parë për të ecur ndjeu sërish dhimbje të forta. Për këtë arsye u nevojit barrela për ta shoqëruar jashtë vijave kufizuese. Dani Karvahali u largua me lot në sy nga fusha, në të cilën rrezikon të mos kthehet më për disa muaj.
I shqetësuar për mbrojtësin madrilen ishte padyshim edhe tekniku Carlo Ancelotti, i cili e komentoi kështu dëmtimin e tij: “Të gjithë jemi të mërzitur e të shqetësuar. Dani është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Mjekët flasin për një dëmtin në gju, por është edne herët, duhet të presim. Nuk është etike për të folur për të rihyrë në merkato e për të sjellë një mbrojtës tjetër. Kemi Lucas Vasquez në atë rol, që mund të bëjë shumë mire”, theksoi italiani.