280 milionë euro! Kaq është shifra që Real Madridi do t’i ofrojë Paris Sën Zhërmenit në verë për Kilian Mbape, shkruan “France Football”. Zinedin Zidan, i rikthyer së fundmi në stolin e “los Galacticos”, ka zgjedhur sulmuesin e Paris Sën Zhërmenit si elementin e duhur për të ndërruar manovrën ofensive të së ardhmes.

Pikërisht ai, adoleshenti i tmerrshëm, është kërkesa për të përforcuar skuadrën në sezonin e ri.

Revista franceze siguron se tratativat do të nisin javët e ardhshme dhe do të përbëjnë telenovelën më të nxehtë të verës. Reali kishte provuar dhe në vitin 2017 të merrte Mbapen, por asokohe sulmuesi i Monakosë preferoi të shkonte në Paris.

Dy vjet më pas, madrilenët rikthehen në sulm dhe do të shfrytëzojnë në maksimum vështirësitë e klubit francez me Fair-Playn Financiar, me sheikët që duhet të arkëtojnë 150 milionë euro për të larguar nga koka hijen e rëndë të UEFA-s.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: