Real Madrid nuk “vdes” kurrë, triumfoi 0-3 në sfidën e fundit kundër Brest, duke siguruar një biletë për në fazën “play-off” të Champions League. Me 15 pikë në 8 ndeshje, ekipi i Ancelottit e mbylli fazën e Ligës në vendin e 11-të dhe tashmë rrezikon të “peshkojnë” Man.City në “play-off”.

Galaktikët e zgjidhën lehtë transfertën franceze, me Rodrygo që bëri liderin duke realizuar një “dopietë” golash. Braziliani hapi siparin në minutën e 27-të me një aksion të bukur personal.

Shorti
Shorti

Brest nuk qëndroi pasiv në këtë takim, me francezët që barazuan shifrat me fillimin e pjesës së dytë, por VAR i prishi festën duke anuluar gjithçka për pozicion jashtë loje. Reali praktikisht mbylli llogaritë me Brest në minutën e 56-të, teksa Bellingham dyfishoi shifrat, i shërbyer në zonë nga Lucas. Nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës Kylian Mbappe, por ylli francez dhuroi një assist të pastër për Rodrygo-n, me brazilianin që sigloi shifrat përfundimtare në 0-3 në minutën e 78-të.

Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madrid nuk u kursye aspak në konferencë për shtyp duke dalë hapur kundër këtij formati të ri, ndërsa nuk nguroi as të shpreh dëshirat në lidhje me shortin: “Duhet të presim, të shohim nëse do të shortohemi me Man.City, por sigurisht kundër tyre do të jetë e komplikuar. Jemi të lumtur që erdhën në këtë fazë, mëkat vetëm që nuk u zgjuam më herët në Champions. Formati i ri? Nuk më pëlqen, janë shumë ndeshje”, u shpreh Ancelotti.

Në frymën e fundit, shpëton edhe Man.City, me ekipin e Guardiola-s që përjetoi “makthe” përballë Club Brugge, në një kohë kur ishte ekipi belg që kaloi i pari në avantazh në fundin e pjesës së parë. “Qytetarët” reaguan fuqishëm në fraksionin e dytë ku fillimisht ishte Kovacic ai i cili barazoi shifrat në 1-1. Pak minuta më vonë, tifozët shpërthyen në festë në “Etihad” pasi topi i futur në qendër nga Gvardiol u devijua duke përfunduar në rrjetë. Për të kompletuar suksesin e City mendoi Savinho me brazilianin që sigloi shifrat në 3-1.

Meda
Meda

City e mbyll fazën e Ligës në vendin e 22-të, ndërsa në “play-off” rrezikon të përballet me Real Madrid ose Bayern Munich. “City mbijeton, për momentin”, ishte një nga titujt më pikant në mediat angleze.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb