Nga Leonid Bershidsky*

Specifikat gjithmonë do të jenë të lidhura me domosdoshmërinë dhe kufizimet. Kjo është arsyeja, se pse opozita greke, e udhëhequr nga Antonis Samaras, tani është duke i ofruar ndihmë Ciprasit, në kushtet kur lëshimet që ky i fundit po u bën kreditorëve e bëjnë të pamundur mbajtjen e koalicionit qeverisës të bashkuar. Realiteti është i ashpër, por s’mund dilet jashtë tij.

Realiteti masakron ëndrrat. Ai i vret ato shpejt dhe pa mëshirë. Dhe për shkak se njerëzit kanë kujtesë të shkurtër edhe ëndrrat janë jetëshkurtra, ne shpesh harrojmë sesi ishin ato kur filluan. Kjo është arsyeja, pse ia vlen të krahasohet “përmbledhja e parë e plotë” e reformave të Greqisë, që duhen të ndërmerren, në mënyrë që vendi të mund të zhbllokojë financimet nga kreditorët ndërkombëtarë, me programin zgjedhor që partia në pushtet Syriza njoftoi shtatorin e shkuar.

Në planin fillestar të të ashtuquajturit programit i Selanikut, udhëheqësi i Syrizas Aleksis Cipras, 4 muaj para se të bëhej kryeministër, premtoi një strategji të guximshme të përbërë nga katër “shtylla”: përballimi i krizës humanitare; rimëkëmbja e ekonomisë dhe promovimi i drejtësisë fiskale; rritja e punësimit dhe transformimi i sistemit politik për të forcuar demokracinë.

Shtylla e parë përmbante masa që në total kushtonin 1.882 miliardë Euro (po, ishte e llogaritur me atë lloj saktësie në dukje profesionale). Ajo përfshinte energjinë elektrike falas për familjet nën nivelin e varfërisë; pagimin e qerave, vaktet e bukës falas, transportin dhe kujdesin mjekësor të subvencionuar për të varfërit, si dhe rrikthimin e “bonusit për Krishtlindje” për 1.3 milionë pensionistët me pensione të ulëta. Programi aktual i reformës braktis shumicën e këtyre masave, duke mbajtur vetëm bonusin e Krishtlindjeve, me një kosto prej 600 milionë eurosh, dhe duke kërkuar edhe 152 milionë euro për dy rregullime të tjera teknike për legjislacionin e pensioneve, të papërmendura në programin origjinal. Ushqimet dhe energjia falas janë lënë jashtë diskutimit.

Shtylla e dytë e platformës së fushatës së Syrizas ishte e gjitha për zbutjen e presionit të taksave mbi klasën e mesme. Ciprasi propozoi zëvendësimin e tatimit universal mbi pronën, me një taksë vetëm mbi pronat e mëdha, një kosto për qeverinë prej 2 miliardë eurosh në vit. Ide të tjera, përfshinin rrikthimin e pragut vjetor të tatimit mbi të ardhurat prej 12.000 Eurosh (me një kosto prej 1.5 miliardë Eurosh në vit), dhe duke i lejuar njerëzit të paguajnë borxhet e tyre tatimore me këste (përfitim prej 3 miliardë Eurosh në vitin e parë).

Dy propozimet e fundit qëndrojnë edhe tek propozimet e tanishme të qeverisë greke, por shifrat bashkangjitur tyre janë shumë më të vogla. Rikthimi i prag-tatimit mbi të ardhurat dhe ndryshimi i vlerës, është menduar të kushtojë 300-400 milionë Euro këtë vit dhe 400 milionë në vitet e ardhshme. Një shumë e njëjtë, është dashur të kompensohet përmes skemës me këste, ku përfitojnë më shumë se 3.5 milionë taksapagues të falimentuar, që tashmë mund të fillojnë të paguajnë borxhet e tyre.

Vitin e kaluar, Ciprasi u zotua të rivendoste kontratën kolektive dhe ta bënte më të vështirë që njerëzit të pushoheshin nga puna. Ai premtoi një program për krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës, me një kosto prej 3 miliardë Eurosh vetëm gjatë vitit të parë. Premtimi i parë ndodhet edhe në programin aktual të qeverisë, por i formuluar në një mënyrë të tillë që të mos alarmojë kreditorët: Greqia është gati të “përfshijë krijimin e kushteve minimale të punësimit”, përmes një kontrate kolektive kombëtare të punës dhe fillojë të punojë për rritjen e pagës minimale (me një ndikim fiskal “të papërfillshëm”). Programi i krijimit masiv të vendeve të reja të punës është zhdukur. Shtylla politike e programit, e përbërë nga masa të padukshme për të forcuar demokracinë greke, është dashur të jetë neutrale nga ana fiskale, kështu që nuk është pjesë e diskutimit të Greqisë me kreditorët e saj. Programi i Selanikut u bazua në aftësinë e qeverisë së Syriza-s për të negociuar fshirjen e pjesshme të borxhit, një moratorium të përkohshëm mbi shërbimin e borxhit dhe vendosjen e një lidhjeje mes rritjes ekonomike dhe shërbimit të borxhit.

Por Bashkimi Evropian, Banka Qëndrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ranë dakord për ato gjëra, dhe Greqisë i është dashur të pranojë një vazhdim të programit aktual të shpëtimit, me kreditorët që periodikisht rishikojnë progresin e reformave. Ciprasi hyri në negociata, i paaftë për t’u larguar më pas nga tryeza, dhe kjo gërryejti shpejt pozitat e tij në ato bisedime. Kjo ishte përballja e parë me realitetin. Më herët, kur Ciprasi bëri premtimet e tij të guximshme gjatë fushatës zgjedhore, ai nuk parashikoi se duhet të vepronte në kushtet e kufizimeve financiare ekstreme, me fondet që thuajse po shteronin çdo ditë.

Qeveria e tij duhet të kontrollonte fondet e sigurimeve shoqërore, për të paguar pensionet dhe pagat, dhe falimenti i bankave e bëri sektorin bankar të Greqisë, të dëshpëruar për më shumë ndihma nga BQE-ja. Kontrolli i dytë i realitetit, duhet të ketë qenë i brendshëm: tronditja e përjetuar nga gjendja reale në terren, në raport me atë që ishte parë nga perspektiva e një qeverie të ardhshme.

Ashtu si çdo parti opozitare në një vend të keqmenaxhuar dhe aspak transparente, Syriza kishte vetëm një ide të përafërt të kostove dhe përfitimeve të masave të propozuara prej saj, ose se përse qeveritë e mëparshme nuk i kishin bërë të gjitha ato gjëra të mira, të sjellshme e të ndjeshme për popullin grek. Doli se kjo nuk ndodhi jo për shkak se ato qeveri ishin thjesht të këqija dhe kriminale. Administrata Ciprasit hartoi programin e saj të reformave, vetëm pas 2 muajsh negociata të pandërprera me ministrat e financave të Eurozonës, që kërkonin më shumë detaje dhe qëllimet sasiore.

Qeverisë iu desh kohë, për të kuptuar se çfarë mund të bënte realisht. Ndërsa programi i Selanikut kishte çdo gjë, duke parashikuar edhe sesi do të shpenzoheshin një mijë Eurot e fundit, plani i tanishëm nuk ka një saktësi të tillë. Ndikimi i tij pozitiv fiskal, projektohet të shkojë nga 3.5 deri në 5 miliardë euro. Gjëja më e mirë, që një parti e re mund të premtojë me të vërtetë ndaj votuesve, është pastërtia e qëllimeve të saj.

Specifikat gjithmonë do të jenë të lidhura me domosdoshmërinë dhe kufizimet. Kjo është arsyeja, se pse opozita greke, e udhëhequr nga Antonis Samaras, tani është duke i ofruar ndihmë Ciprasit, në kushtet kur lëshimet që ky i fundit po u bën kreditorëve e bëjnë të pamundur mbajtjen e koalicionit qeverisës të bashkuar. Realiteti është i ashpër, por s’mund dilet jashtë tij. /“Bloomberg View”/Bota.al

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: