TIRANË- Pas ish-kryeministrit Sali Berisha që vuri alarmin dje për infeksionin stafilokoksik që ka pushtuar reanimacionin e QSUT, është deputetja demokrate Albana Vokshi që deklaron se tashmë janë infektuar 4 kirurgë dhe shumë pacientë.
Në një status në facebook, Vokshi thotë se pavarësisht rëndësisë së situatës, ku mjekët dhe pacientët janë në rrezik, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, QSUT dhe as Instituti i Higjienës nuk reagojnë.
DEKLARATA E VOKSHIT
“Reanimacioni i QSUT me stafilokok
Ministri Beqaj, QSUT, Instituti i Higjienës – heshtin, mjekë e pacientë në rrezik
Një telefonatë shqetësuese mora nga një miku im mjek, i cili tha se prej javësh në sallat e reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza janë gjetur mbetje të bakteries Stafilokok.
Mësohet se me këtë mikrob janë infektuar edhe 4 kirurgë dhe një numër i madh pacientësh.
QSUT, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik janë në dijeni dhe nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje.
I bëj thirrje ministrit të shëndetësisë të mos merret me letrat e koncensionit të sterilizimit, por të urdhërojë menjëherë dezinfektimin e sallave të reanimacioneve dhe sallave të operacioneve në të gjitha qendrat spitalore.
Sot frikërat tona po vërtetohen…
Plot 100 mln dollarë dha Rama për sterilizimin…por tani bakteret po kolonizojnë sallat kirurgjikale dhe post operatore.
(m.k/BalkanWeb)
