Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një dedikim pas ndarjes nga jeta të skulptorit dhe mikut të tij Agim Rada, për të cilin thotë se nuk mund të mos shkruante disa fjalë për të.
“Gimi ishte një forcë e madhe e natyrës, kudo ku hynte dukej sikur e hapte perden e ajrit me shpatën e gojës së tij, kudo ku ulej dukej sikur zinte krejt anën e vet të tavolinës me gjerësinë e të qeshurës së tij, kudo ku ecte spostonte gjithnjë me veten tre a katër të tjerë, si bartës i një mesazhi mistik, që në fakt kishte vetëm magnetin e parezistueshëm të një shpirti të lirë dhe karizmën e pashembullt të një udhëheqësi shpirtrash, që kërkonin tek liria vetveten e tyre ende të pagjetur apo pavetëdijësisht të humbur”, shkroi Rama në dedikimin e tij.
Rama e mbylli dedikimin e tij me fjalët “Tanimë shoku im i madh i rinisë më të hershme, Gim Rada dora vetë, është shtrirë përjetë në krevatin e të parës. Eh mër Gim Rada, mos vdeksh kurrë!”.