TIRANE

Deputetja e PS-së, Klotilda Ferhati i njeh si të metë komisionit të reformës zgjedhore, faktin që nuk arriti dot të përmbushë detyrën e vet në afat. E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ Ferhati tha ndër të tjera se përvec të metave komisioni ka patur edhe anë pozitive


E meta e evidentuar e Komisionit ka të bëjë me faktin që nuk arriti dot të përmbushë detyrën e vet në afat. Dhe ju e dini që Komisionit i është shtyrë afati më shumë se një herë dhe kjo ka ndodhur për efekt të bojkotit nga opozita, ish-kolegëve të opozitës. Pra, në pikëpamjen e kohës, ky komision pati të meta sepse nuk i përmbylli dot punët e veta brenda një afati të caktuar duke bërë që objektivi që i kish vënë vetes, që para zgjedhjeve të 2019 ne ti kishim të gatshme ndryshimet nuk u plotësuar, por dua të them se përvec të metave komisioni ka patur edhe anë pozitive. Puna nisi në një terren shumë pozitiv politik. Të dy bashkëkryetarët edhe anëtarët në fillim, që nga miratimi i kalendarit të punës e deri në hartimin e dokumentave nga ekspertët ka patur një dakordësi politike deri kur opozita vendosi të bojkotojë gjithçka, moment që e bllokoi punën e komisionit të reformës zgjedhore dhe e la këtë komision pa përmbushur detyrën e vet.” -u shpreh Ferhati.


Sa i takon votimit elektronik apo votës së emigrantëve, Ferhati tha se janë dy cështje që kanë cekur më shumë interesin e publikut. E pyetur se kur mundet emigrantët të kenë të drejtën e votës, Ferhati se kjo do të ngelet si cështje prioritare në komisionin e reformës zgjedhore e PS.


“ Si po ecën procedurat dhe sic parashikon ligjin, në vitin 2021, është potenciali që ne të kemi realizuar me mekanizma ligjorë edhe të drejtën e emigrantë për të votuar në zgjedhje. Kjo është më e hershmja, nëse gjithçka do të shkojë mbarë me komisionin e reformës zgjedhore, do të zbatohen afatet, për të gjetur mekanizmin më të mirë, jo vetëm për votimin e emigrantëve dhe bërjen të mundur të votës së tyre, po për të gjitha cështjet që janë në objekt të punës së komisioneve.” -theksoi Ferhati, ndërsa shtoi se qëllimi primar mbetet rritja e besimit të publikut te procesi zgjedhor.

Deputetja e PS, u shpreh se reformat zgjedhore që të jenë të suksesshme duhet të jenë të sinqerta dhe gjithëpërfshirëse.

“Për atë që është në qeverisje, është një detyrë thelbësore t’i krijojë mundësi aktorëve politikë, të marrin pjesë dhe të mos përjashtojë asnjërin në pjesëmarrje në paraqitjen e mendimit,etj, por nuk e ka detyrë t’i detyrojë aktorët politikë, të cilët nuk duan të marrin pjesë në procet demokratike të vendit të jenë aty me se s’bën. Askush nuk detyrohet të marrë pjesë. Do më dukej absurde që subjekte politike të cilat krijohen për të marrë pjesë në zgjedhje për të garuar, thonë nuk marrim pjesë në zgjedhje e arrijnë në veprime edhe më absurde kur bëjnë koalicion kundër zgjedhjeve’ – shtoi Ferhati.

(BalkanWeb)