Analisti Fatos Lubonja e cilësoi një përpjekje të dështuar thirrjen që Presidenti Ilir Meta iu bëri shqiptarëve për t’u mbledhur në një tubim në Qytet Studenti, në mbrojtje të Kushtetutës.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Lubonja tha se Meta duhet të vazhdojë luftën në Presidencë, për aq kohë sa të jetë aty. Sipas tij, thirrja e Metës ishte shenja e parë që kemi të bëjmë me një krizë, që i ka nxjerrë jashtë institucioneve të gjithë, si kryeministrin, edhe presidentin.

“Më duket si shenja e parë që kemi të bëjmë me këtë krizë, që i ka nxjerrë jashtë institucioneve të gjithë, si kryeministri, edhe presidenti. Është vështirë të shohësh që Presidenti del në një situatë ku do bëjë protesta, qoftë dhe për referendum. I ka konsumuar të gjitha mjetet institucionale, duket si lëvizje e dëshpëruar. Po të më kishte kërkuar mendim, do thoja se duhet të bëjë luftën në institucion deri në fund, kur ta heqin, duhet të dalë në shesh”, theksoi analisti.

Ai ka thënë se populli duhet të marrë frenat në dorë …
Jam dakord që populli duhet të lëvizë, të mbrohet se nesër mund të ndërtohet një regjim policor. Po se kush do ta organizojë popullin pastaj, partitë, shoqëria civile apo presidenti, ka një problem këtu te presidenti, se duket sikur del nga roli i institucionit. Por, që ka të drejtë se këtu duhen bashkuar të gjitha forcat demokratike për të ndaluar këtë rendje pas pushtetit të Ramës, që s’ka marrë asnjëherë mësim, se këta tjerët kanë marrë mësim, edhe Meta, edhe Berisha. Në këtë aspekt, duket se kur të ikë ky, do të ikë edhe Shqipëria. Do ta çojë në zero fare, institucionet, por edhe ekonominë. Në këtë aspekt është e vërtetë se duhet bërë diçka, por Presidenti duhet të qëndronte në rolin e tij me instrumentet që ka. Si në krye të një proteste e shoh jo shumë bindëse.

Po pozicionin e PD si e shihni, pas betejës 6-mujore …
Basha duket sikur po pret që molla t’i bjerë në dorë, është këputur, në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, ata s’kanë më fuqi t’i mbledhin njerëzit, s’kanë fuqi ekonomike, janë lodhur. Pastaj ka ndikuar një lloj pozicionimi me ndërkombëtarët, se ju duket sikur i kanë me vete dhe do iu japin dorën. Basha ishte tani me partitë popullore dhe dhanë një mbështetje, por nuk mendoj që ata të jenë aq aktivë, sa të sigurojnë pushtetin. Pushteti, me këtë lloj bande, nuk merret aq kollaj. Më duken shumë pasivë për situatën që ndodhemi, do duhej më shumë goditje.

A është ide e mirë referendumi tani dhe a mund të arrihet?
Ideja e referendumit është që të shkohet në zgjedhje, por të zgjidhet dhe presidenti përmes këtyre zgjedhjeve. Është një formë për të bërë që populli të vendosë se kush do të jetë në pushtet. Është një referendum pro ose kundër Rama, pro ose kundër Meta dhe opozita. Nuk e di sa është e realizueshme kjo dhe kjo kërkon sërish një bashkërendim. Kemi një hall të madh se partitë tona marrin pushtetin dhe eliminojnë tjetrin, kjo është mendësia e tyre. Këtë lojë duket sikur e ka fituar Rama, i duket atij të paktën, por çdo bandë e ka një fund. Më duken lëvizje pak që nuk di çfarë mund të sjellin. Deri dje opozita ka ngritur çështjen se këtu nuk ka zgjedhje të lira. Por a ka referendum të lirë? A je i sigurt për këtë? Unë pyes sa janë realistë këta, sa njerëz mund t’iu dalin në shesh?

VV marshim më 28 nëntor, edhe nisma Thurje po bën takime… do kenë efekt?
Nisma Thurje është e re dhe kërkon të dalë e të sfidojë klasën politike. Po t’i bashkosh të gjitha që protestojnë, kundër kësaj gjendjeje që është katandisur Shqipëria nga Rama dhe banda e tij, sigurisht që krijon një klimë, që në fund fare ziejnë të njëjtin kazan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb