SHKUP- Sot është një ditë historike për qytetarët maqedonas, të cilët do t’i drejtohen kutive të votimit, për të votuar për referendumin për emrin e Maqedonisë. Mbi 1.8 milionë qytetarë do të shprehin vullnetin e tyre në aprovim ose në kundërshtim të ndryshimit të emrit. Siç e përcakton edhe rregullorja, qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00, për të vijuar deri në orën 19:00. Ky referendum do të ketë një pyetje: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?

Rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 320 vëzhgues të huaj janë akredituar për ta ndjekur procesin. Ndërkohë, ditën e djeshme shfrytëzuan të drejtën e votës personat e sëmurë, të burgosurit si dhe shtetasit që jetojnë jashtë Maqedonisë.

Siç raportojnë mediat maqedonase, 4963 persona të sëmurë patën dje të drejtën e votës, ndërsa 1558 ishte numri i të burgosurve. Mësohet se jo më shumë se 35% nga lista e të paraqiturve për të votuar në diasporë kanë dalë dhe kanë votuar dje nëpër gjithë kryeqytet e botës. Ndërkohë nëpër burgjet e Maqedonisë ka pasur pjesëmarrje relativisht të madhe, apo 64.69% nga 1558 persona të regjistruar për të votuar. Personat e sëmurë kanë votuar në shumicë, pra 1520 vota nga 1859 të regjistruar. Gjithsej, sot në Maqedoni do të votohet në 3478 vendvotime, si pjesë e 80 komunave.

Parlamenti e ka miratuar tashmë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, por kundërshtimi nga ana e presidentit George Ivanov, e çoi çështjen drejt verdiktit të popullit. Kujtojmë që referendumi të jetë i suksesshëm, duhet që të paktën 853 mijë qytetarë të votojnë pro tij.

Katër orë nga nisja e votimit, pjesëmarrja 3%

Katër orë nga hapja e qendrave të votimit, pjesëmarrja në votime për referendumin për çështjen e emrit në Maqedoni, paraqitet e ulët. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri tani në votime kanë marrë pjesë 3 % e votuesve.

Në konferencën e parë për shtyp, KSHZ njoftoi se deri më tani ka pasur tre kundërshtime për shkeljen e votimit, raste që janë refuzuar.

Kujtojmë se mbi 1.8 milionë qytetarë do të shprehin vullnetin e tyre në aprovim ose në kundërshtim të ndryshimit të emrit, ndërsa do t’i përgjigjen sot pyetjes; A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?

FUSHTATA
Gjatë fushatës partitë e pushtetit kanë mbajtur takime me qytetarë por jo mitingje të mëdha dhe janë angazhuar në një fushatë mediatike ku kanë shpalosur përparësitë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, për çfarë duhet të vendosin votuesit në referendum. Edhe partitë shqiptare të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, si Aleanca për Shqiptarët, e njëri krah i Lëvizjes “Besa” janë hedhur në fushatë duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në referndum dhe të votojnë pro pyetjes së shtruar aty, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut. Megjithatë opozita shqiptare kërkon që pas referendumit kur të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët e Maqedonisë të figurojnë si element kushtetues në preambulë e jo siç është aktualisht: “pjesëtarë të një komuniteti që përbën të paktën 20 për qind të popullatës së vendit”.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e referendumit kanë bërë thirrje për bojkotim, pasi sipas tyre preken interesat kombëtare dhe vetë identiteti dhe gjuha maqedonase. Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, ndonëse nuk ka bërë thirrje direkte zyrtare për bojkotin e referendumit, sic duket për shkak të mosmarrëveshjeve brenda strukturave drejtuese, ua ka bërë me dije qoftë përmes medias apo rrjeteve sociale përkrahësve të saj se nuk duhet dalin në referendum Ndërkohë, presidenti Gjorgje Ivanov, i cili e ka kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë për emrin, bëri thirrje të hapur të premten nga foltorja e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku mbajti një fjalim, për bojkotin e referendumit.

Sipas tij, Greqia do të ketë një pozitë superiore dhe mbikqyrëse ndaj ndryshimeve që mund të bëhen në Repubikën e Maqedonisë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës. Drejtues e zyrtarë të lartë perëndimorë vizituan javët e fundit Shkupin për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte kushti i vetëm për integrimin e vendit në NATO dhe BE. Që referendumi të cilësohet i suksesshëm mbi 50% e votuesve duhet të votojnë pro pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb