Nga Reshat Kripa
“Fjalë Imzot, vetëm fjalë”! Kjo shprehje e të madhit Uilliam Shekspir m’u kujtua më 27 janar 2013 në ditën e gjenocidit komunist në Shqipëri. Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, qysh në vitin 2004, data 27 janar, është caktuar si; ‘Dita e gjenocidit nazist kundër hebrejve’. Lidhur me këtë, Parlamenti Shqipërisë, hartoi një rezolutë ku solidarizohej me të dhe, njëkohësisht, në një pikë të saj, e shpallte edhe si ‘Ditën e gjenocidit komunist’. Ky ishte një vendim i drejtë i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Para syve m’u shfaq gjenocidi që ka ushtruar regjimi komunist mbi popullsinë civile. Mjafton t’i hedhim një sy librit; “Jashtë kontrollit”, të personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij, për të kuptuar gjithçka! Në këtë libër, jepet një pasqyrë e plotë e këtyre krimeve, të kryera gjatë shekullit të XX-të, që autori e quan “Shekulli i megavdekjes”. Ai bën, gjithashtu, edhe krahasimin e këtyre shifrave, me atë të viktimave të dy luftërave botërore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Le t’u hedhim një vështrim shifrave të viktimave civile:
Lufta e Parë Botërore 13 milionë

Lufta e Dytë Botërore 35 milionë

Gjithsej dy luftërat botërore 48 milionë

Ndërsa viktimat e shkaktuara nga sistemi komunist gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij janë:

Nga Lenini 8 milionë

Nga Stalini 25 milionë

Nga Mao Ce Duni 29 milionë

Nga Pol Poti 1 milion

Nga diktatorët e Evropës Lindore 3 milionë

Gjithsej 66 milionë

Vini veshin! Sistemi komunist, shkaktoi 18 milion viktima, më shumë se të dy luftërat botërore së bashku. Por, ndërsa viktimat e luftërave botërore, u shkaktuan nga bombardimet e të tjera në kushte lufte, viktimat e komunizmit, erdhën si pasojë e gjenocidit të ushtruar drejtpërdrejt mbi popullsinë civile, me cinizëm dhe gjakftohtësi, në kushte paqeje, vetëm e vetëm sepse dikush mendonte ndryshe nga diktatorët që sundonin në këto vende.

Për të parë përmasat e këtij gjenocidi, le t’i referohemi të dhënave të tjera të këtij libri, mbi disa prej masakrave më të njohura, të ushtruar në ish-Bashkimin Sovjetik:

Në Bashkimin Sovjetik, 1 milion të ekzekutuar në fund të viteve ‘20-të

1 milion të ekzekutuar dhe 2 milion të vdekur, në kampet e punës së detyruar, vetëm gjatë viteve 1937-1938.

7 milion fshatarë të vdekur, gjatë procesit të kolektivizimit.

360.000 robër lufte, të vdekur nga konditat e këqija.

140.000 ushtarë polakë, të ekzekutuar.

20.000 oficerë polakë, të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve ‘80-të

14.736 oficerë polakë, të ekzekutuar më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si edhe 10.685 të burgosur të tjerë politik, 15.000 oficerë të tjerë polakë, të ekzekutuar në pyllin e Katinit.

Ju lutem, zotërinj, mos thoni se edhe zoti Brzhezhinskij gënjen ose shpif në këtë libër!

Le t’i kthehemi tani të dhënave mbi krimet e komunizmit të kryera në vendin tonë, të nxjerra nga arshiva e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë:

Të ekzekutuar 6.023 veta
Të vdekur në burg 1.065 veta
Të burgosur 17.300 veta
Të sëmurë mendorë 260 veta
Të internuar 180.000 veta
Të vdekur në internim 9.000 veta

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista, atëherë rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar drejtpërdrejt persekutimin arrin 250.000 veta. Duke marrë parasysh se gati 70 % e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 vetë, rezulton se 25 % e asaj popullsie, është persekutuar. Po t’i shtojmë kësaj edhe të tjerë që nuk janë regjistruar fare, atëherë përqindja arrin përmasa rrëqethëse.

Duke lexuar këto të dhëna, mendova:
– Si ka mundësi që këtë ditë, asnjë personalitet shtetëror ose partiak, nuk u kujtua ta përmendë? Si ka mundësi që mediat elektronike dhe ato të shkruara dhe, sidomos, TVSH-ja, për të cilën edhe ne të përndjekurit politikë, paguajmë taksën, që janë mjaft të ndjeshme ndaj ngjarjeve të tjera, për këtë ditë heshtin? A ka mundësi të harrohen këto? Si mund të mos kujtohen për ditën gjenocidit komunist, kur këtë ditë e ka miratuar Kuvendi i Republikës? Çfarë është, harresë apo mosdashje?!

Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje. Sido që të jetë, ajo është një çështje që nuk nderon asnjë në vendin tonë. Madje do të thoja, më tepër partitë politike, sidomos ato të djathta.

– “Fjalë imzot, vetëm fjalë”! – më pëshpëriti një mik që kisha pranë dhe që m’i kishte kuptuar mendimet e mia. – “Politika shqiptare është bazuar vetëm në fjalë. Ajo kërkon të na përdorë si manekinë sa herë i nevojitemi”.

Nuk doja t’i besoja fjalët e mikut tim. Por, para syve më dilnin edhe disa raste të tjera të heshtjes karshi ngjarjeve që kanë lidhje me përndjekjen politike. Një rezolutë me 17 pika për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, miratuar qysh në vitin 2006, prej së cilës janë realizuar vetëm dy, ajo e ngritjes së Institutit të Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ajo e shpalljes së një dite kombëtare, për përkujtimin e viktimave të komunizmit, ditë që, fillimisht u caktua 21 maji, dita e ‘Revoltës së Spaçit’, ditë që nga ana e autoriteteve, nuk u përkujtua asnjëherë dhe që më vonë u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rënies së monumentit të diktatorit.

Më dilte vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 42, datë 14.01.2009, për projektligjin; “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”, miratuar edhe nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ku parashikohej ngritja e “Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit”, obelisk i cili, megjithëse kanë kaluar katër vjet nga miratimi i tij, ende nuk është ngritur.

Më dilte vendimi tjetër i Këshillit të Ministrave, që parashikonte zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumenteve për dëmshpërblim, heqjen e nenit që parashikonte mos përfitimin e dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar politikë, me nenin e terrorizmit, përdorimin e dokumenteve të Komisionit Tripalësh në përfitimin e këtij dëmshpërblimi, dhënien e dëmshpërblimit njëherësh, për të gjithë ata ish-të dënuar politikë mbi 85 vjeç, që Komisioni i Ligjeve, e ktheu në 75 vjeç dhe që ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, nuk po vihet në rendin e ditës së Kuvendit. Më dilnin të gjitha këto dhe mendoja – Përse të ndodhte kështu, kur të gjithë autoritetet shtetërore flasin për përkrahjen që iu jepet ish të përndjekurve politikë?!

Nga këto mendime më zgjoi miku im, që përsëriti:

– “Fjalë imzot, vetëm fjalë”!
Një nismë e madhe e drejtuesit të Partisë Socialiste, pushtoi të gjitha faqet e medias shqiptare. Sipas kësaj nisme, në kupolën e kësaj partie, na qenka formuar edhe një komision ose grup pune, quajeni si të doni, që do u merrka me përgatitjen e një programi për të përndjekurit politikë. Në krye të këtij komisioni, qenka caktuar një zonjë ose zonjushe, bija e një ish-të dënuari politikë, nga ata që dikur e ngrinin në qiell regjimin komunist për të “mirat” e tij, por që vetë diktatura i hëngri kokën.

Me të u bashkua edhe një “kryetar shoqate të përndjekurish” me origjinë “nacionaliste” por që, çuditërisht, diku i kishte mbetur borxh diktaturës dhe disa individë të tjerë nga jashtëqitja e kësaj shtrese. E pra ky grup, doli me një platformë për zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve politikë.

Duke menduar këto mua më lind pyetja:- Sa shpejt jeni kthyer nga qabeja, ju mor drejtues dhe partia e juaj? A nuk ishte partia e juaj që, pas vitit 1997, na pushoi nga puna dhe hartoi një ligj dëmshpërblimi, që na jepte vetëm një kafe në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Ju mund të thoni se këtë ligj e hartoi paraardhësi juaj dhe ju nuk mbakeni përgjegjësi, për sa ka bërë ai. Por le të shohim periudhën, kur ju jeni drejtues i saj.

Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj, kur miratohej rezoluta; “Për dënimin e Krimeve të Regjimit Komunist në Shqipëri”? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratoheshin ligjet e dëmshpërblimit dhe amendamentet e ndryshme për to? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej ligji; “Për Lustracionin në Republikën e Shqipërisë”? Përse një nga deputetët tuaj më me emër, ish-kryeministri Majko, i quajti “plehra” luftëtarët e batalionit 4000 të NATO-s, që ishin vrarë në Shqipëri në përpjekje me forcat e Sigurimit, për rrëzimin e diktaturës komuniste?

Në këto çaste, ndjeva përsëri zërin e mikut tim:

-“Fjalë imzot, vetëm fjalë”!
Një person me shumë ish-e, një ish-ministër, ish-nënkryetar i një partie të madhe të djathtë, ish-kryetar grupi parlamentar, ish-president, që tani mban postin e kryetarit të një partie të re, por veshur me xhaketa të vjetra, ligjëron e ligjëron, duke thënë se u mbështetka te ish-të përndjekurit politikë, madje ka mundur të grumbullojë pranë vetes edhe disa individë të veçantë, premtoka se dashka t’ua shlyeka dëmshpërblimin këtyre për tre vjet. Unë mendohem dhe pyes përsëri: – Përse nuk e bëri një gjë të tillë, kur ishte në partinë e mëparshme?!

Përgjigjen ma jep miku im: – Fjalë imzot, vetëm fjalë!

A do të bjenë ish-të përpjekurit politikë, në vorbullën e kësaj loje fjalësh? Unë nuk do ta besoja. Por miku im më tregoi barcaletën e mëposhtme:

– Perandori romak Neroni, i vuri zjarrin Romës. Banorët, të revoltuar, u ngritën dhe rrethuan pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka dhe i kërkoi rrugëzgjidhjen. Seneka i tha:
– “Thuaju që zjarrin e vunë të krishterët”.

Në atë kohë krishterimi sapo kishte filluar të përhapej në Romë. Neroni e vështroi me vëmendje dhe i tha:

– “A do të më besojnë”?

Dhe Seneka iu përgjigj:

– “Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret”!

A është e vërtetë një gjë e tillë? Ndoshta. Megjithatë nuk dua të besoj se, ish-të përndjekurit politikë, do të mund të përdoren si manekinë! Në veshët e mi, vazhdojnë të ushtojnë fjalët e mikut tim: “Fjalë imzot, vetëm fjalë”. Deri kur Shqipëria do të vazhdojë me; “Fjalë imzot, vetëm fjalë”?! /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb