Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën “Flamingo Mirror”, përmes së cilës, sipas tij, do të publikohen dosje dhe dokumente të rëndësishme qeveritare, me synimin që qytetarët të kenë akses dhe të informohen drejtpërdrejt mbi përmbajtjen e tyre.
Rama tha se nisma vjen si një reflektim ndaj protestave që nisën në qershor, por edhe si një nevojë për transparencë në një kohë kur, sipas tij, faktet përballen gjithnjë e më shumë me dezinformimin dhe gjysmë të vërtetat.
Ai tha se “Flamingo Mirror” do të nisë me publikimin e dosjes “Sazan-Zvërnec”, duke e cilësuar atë si një nga çështjet me interes më të madh.Kryeministri njoftoi gjithashtu se në këtë platformë do të publikohen në vijim edhe dosje të tjera qeveritare që konsiderohen me ndjeshmëri të veçantë.
“Kjo sot është reflektim nga protesta që nisi në qershor, dhe nga ana tjetër si domosdoshmëri e një kohe të re kur faktet janë gjithmonë e më shumë në presionin e madh të reve, dezinformimit dhe gjysmë të vërtetave.
E kemi quajtur “Pasqyra Flamingio” patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse, “Sazan-Zvërnec”. Është një burim i cili do t’i shërbejë të gjithëve. Qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria por se ccfarë është e shkruar në dokumentet zyrtare.
Nga ana tjetër, është e qartë që në këtë pasqyrë do të vendosim vijimësisht çdo dosje qeveritare me ndjeshmëri të posaçme.
Po përgatisim disa tema të tjera. Shumë shpejt do të publikojmë dosjen e KAYO-s”, tha ai.
