TIRANË- Para se të nisë seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit, ku pritet të miratohet pr/ligji për arsimin e lartë, para ambienteve të Kuvendit studentët kanë nisur një valë protestash. Para parlamentit gjithashtu ka edhe prezencë të shtuar të forcave policore.

Ata thonë se do ta kundërshtojnë me forcë kalimin e kësaj reforme. “Sot është fillimi i fundit të një qeverie që po sanksionin me ligj vdekjen e arsimit. Kjo është reforma më antipopullore, universiteti privilegj i të pasurve. Me arrogancë kryeministri ka thyer universitarët”,- tha njëra prej studenteve.

“Ne do intensifikojmë përpjekjet me protesta më të shpeshta, ose ne universitarët ose pushtetarët”.

Ndërsa Pedagogu i UT-së, Ervin Goci tha se kjo reformë është e pazbatueshme. “Nuk ka vend për kritika, këtu është prishur dialogu me një grup interesi që janë pedagogët dhe studentët, ata do e vuajnë të parët. Unë nuk e di si do zbatohet por të gjithë janë kundër, ky ligj është i pazbatueshëm”,- tha ai.

ÇOLLAKU: QEVERIA TË NDALET, FTOJ STUDENTËT TË BOJKOTOJNË MËSIMIN
Shefi i Departamentit për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku doli sot në krahë të studentëve që po protestojnë për mosmiratimin e pr/ligjit të Arsimit të Lartë. Sipas tij, qeveria duhet të ndalet, pasi loja me studentët është lojë me zjarrin.

Duke folur si pedagog, Çollaku ftoi studentët të bojkotojnë mësimin.

“Përshëndes dhe mbështes protestën e studentëve para parlamentit…si ish student dhjetori, si pedagog, si opozitar!!! Qeveria të ndalet..,loja me studentët është lojë me zjarrin !!! Me këtë abuzim me Arsimin e Lartë…në vjeshtë universitetet nuk do hapen më. Ftoj të gjithë studentët e mi ta bojkotojnë “reformën” dhe mësimin, dhe do i bashkëngjitëm pa asnjë rezervë bojkotit të tyre”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: