Komisioni Evropian i ka paguar Shqipërisë 13 milionë euro si shpërblim për performancën dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e reformës për punësim dhe aftësi (6 milionë euro) dhe reformën e administratës publike (7 milionë euro). Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të delegacionit të BE-së në Tiranë, përmirësimi në politikat dhe praktikat e punësimit është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirës të Shqipërisë.

Lidhur me shtimin e transparencës së administratës publike, përgjegjshmëria dhe efektiviteti i sektorit publik janë thelbësore për t’u shërbyer më mirë qytetarëve dhe bizneseve, për arritjen e rezultateve në reformat strukturore, si dhe për zbatimin e acquis dhe praktikave më të mira të BE-së. Këto reforma mbështeten nga një total prej 30 milionë eurosh për zbatimin e strategjisë për punësim dhe aftësi dhe 32 milionë euro për reformën e administratës publike.

“Mbështetja e përgjithshme financiare në kuadrin e programit kombëtar të BE-së në Shqipëri për periudhën 2014- 2020 është në masën 650 milionë euro para grantesh”, thuhet në deklaratën e BE-së. “Zbatimi i Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2015-2020 gjithashtu ka arritur progres dhe mbetet një përparësi kyçe për agjendën e anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.

“Komisioni Evropian e inkurajon Qeverinë Shqiptare të vazhdojë përpjekjet e saj në zbatimin e vazhdueshëm të reformës për punësim dhe aftësim dhe reformës së administratës publike, duke shtruar rrugën drejt një tregu pune përfshirës dhe efektiv, një force pune konkurruese, si dhe një administrate publike profesionale dhe të përqendruar te qytetarët në Shqipëri. Dhënia e mëtejshme e fondeve nga Komisioni Evropian për këto reforma varet nga progresi i kënaqshëm, vlerësimi i ardhshëm i të cilit pritet në pranverën e 2017-ës.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb