Sot në Komisionin e Ligjeve u diskutua edhe për problematikat që kanë bashkitë e vendit.
Në këtë Komision, deputetja e PD Dhurata Çupi tha se reforma e pushtetit vendor ka qenë një dështim. Ajo u shpreh se korrupsioni vazhdon të jetë një problem madhor në bashkitë e vendit tonë. Sipas saj, përfaqësimi i qytetarëve në vendimet që ndërmerren ka qenë thuajse inekzistent. Të gjitha këto shqetësime për mënyrën sesi funksionojnë bashkitë, Çupi i tha përpara ministrit të Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku.
Dhurata Çupi: Reforma e pushtetit vendor ishte dështim. Ne sot në pushtetin vendor kemi korrupsion të krahasuar me pushtetin qendror. Fondet publike keqmenaxhohen nga pushteti vendor, përdoren për interesa vetjake, duke dëmtuar besimin tonë dhe të ndërkombëtarëve. Korrupsioni mbetet problem madhor në bashki. Kemi kontrata dhe tendera publikë të manipuluar, kemi leje ndërtimi a zhvillimi urban klienteliste, kemi punësim në bashki të njerëzve të pakualifikuar, kemi korrupsion në menaxhimin e pronave publike, kemi kontrata nga bashkitë me çmime krejt të ulëta jashtë tregut.
Përfaqësimi i qytetarëve është inekzistent. Kur bëhet një investim, qytetarët nuk dëgjohen, por manipulohen firmat, për shkak të ndikimit të pushtetit politik. Kemi ndikim politik të qeverisë në qeverisjen vendore, kjo është e papranueshme. Ka mungesë të shërbimeve bazike infrastrukturore në disa bashki, ku nuk ka rrugë e nuk ka transport publik. Nga të gjitha këto kemi shpopullim të zonave rurale, largim të të rinjve jashtë vendit. Janë larguar sidomos të rinjtë se nuk ka shërbime publike në zonat rurale.
(Balkanweb)