TIRANE- Partia Demokratike e cilëson të dështuar reformën në arsim, pasi sipas tyre, kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, prodhuan një skandal që dëmtoi të ardhmen e maturantëve. Në një deklaratë për mediat, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, tha se maturantët nuk u orientuan për kriteret dhe llogaritjen e mesatares.

DEKLARATA E PLOTE
Siç parashikuam për reformën e famshme në arsim, ashtu edhe doli. Edi Rama ia doli të prodhojë një skandal dhe dëm të pariparueshëm për të ardhmen e maturantëve që do të duhet të hynin në universitete.
Maturantët nuk kanë një përgjigje sot, pse nuk rezultojnë fitues, edhe pse shumë prej tyre kanë rezultate të larta e shumë të larta.

Nuk e dinë si është llogaritur mesatarja e tyre dhe se cila është diferenca midis mesatares të nxjerrë nga shkolla dhe asaj që del nga kriteret e aplikimit.
Maturantët nuk u orientuan për gruplëndët preferenciale, të degëve që donin të vazhdonin, para plotësimit të formularit.

Nuk u informuan për lëndët me zgjedhje dhe rëndësinë e secilës, në llogaritjen e mesatares sipas profileve.

Nuk morën asnjë informacion për degët që donin të ndiqnin.
Nuk e dinë se në sa faza regjistrimi, do kalojë vuajtja e tyre për të vazhduar arsimin e lartë.
Nuk marrin askund përgjigje për padrejtësinë që po i bëjnë.

Qeveria i lau duart, duke ja hedhur përgjegjësinë Universiteteve, por gishti i maturantëve është drejtuar sot tek Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Sepse ata i tradhtuan duke i ndryshuar rregullat në prag të përfundimit të maturës.
Ishte Rama me Nikollën që vranë meritat e çdo maturanti, mbollën kaos, zhdukën transparencën dhe i futën Universitetet në rrugë pa krye, duke favorizuar klientelën e tyre të universiteteve private.
Sot fshihen pas deklaratave boshe, por në të vërtetë kjo dyshe ka mashtruar, shpërfillur e përçmuar të rinjtë.

Eliminimi i maturës shtetërore si provim hyrës, mungesa e akteve nënligjore për shkak të paaftësisë totale të MAS, e kanë degraduar sistemin e pranimit në një katrahurë të vërtetë.
Mungon merita.
Nuk ka asnjë rregull apo normë.

Maturantët nuk e dinë ende, pse ministria i voli atyre miliarda lekë me AKP-në e jashtëligjshme, dhe pasi i sorollati dyerve të shkollave, i ka lënë sot rrugëve para xhamave të Universiteteve.
Familjet e maturantëve nuk e dinë, se si do t’i përballojnë tarifat e studimit e lloj-llojet e tarifave që shtohen çdo ditë në kurriz të tyre.
Kjo braktisje e tallje me maturantët duhet të marrë fund.
Kjo tallje me të ardhmen e vendit nuk mund të vazhdojë më.

Të rinjtë duhet të bashkohen e të ngrohen për ti dhënë fund këtij sistemi të korruptuar e kriminal në arsim.
Maturantët, studentët do të jenë më mirë pa Edi Ramën.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: