* Meta promotor i marrëveshjes për reformën në drejtësi. Drafti, problem përplasja e institucioneve


TIRANË- Drejtori i Informacionit në News24, Enton Abilekaj ka komentuar situatën politike të krijuar në vend të lidhur ngushtë me reformën në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese. Por ndërsa palët nuk janë dakordësuar, dhe ndërsa ekspertët nuk mundën të dorëzonin draftin e reformës për shkak se nuk u mblodh komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, Abilekaj deklaron se në Komisionin e Venecias ka shkuar tashmë një draft, por që nuk dihet se i cilës forcë politike, apo institucioni është.


“Ka shkuar një draft në Komisionin e Venecias prej 3 ditësh por se çfarë drafti është dhe kush e ka nisur ende se dimë. Do zbulohet në vijim”, u shpreh ai.


Abilekaj ka vlerësuar rolin që ka marrë përsipër kreu i Kuvendit, Ilir Meta për t’u bërë promotor i marrëveshjes për reformën në drejtësi. Sipas tij, kjo gjë e profilizon LSI-në, forcë të tretë politike në vend.

“Meta promotor i marrëveshjes për reformën. Kemi të bëjmë me një lëvizje të veçuar të LSI-së që kërkon të bëhet promotore e një konsensusi politik. Kjo është një ngjarje që ka shënuar këtë vit. lëvizja e LSI-së shihet si një mundësi për të arritur një konsensus. Edhe PS e gjen veten tek propozimet e ndërmjetme që nuk plotësojnë dëshirat e asnjë prej palëve por krijojnë një linjë të re. Përveç akteve teknike, është e rëndësishme ajo që tha Meta sot që duhet të fillojë dialogu mes palëve. E reja sot që tha Meta është referendumi. Për ata që duan të luajnë, është referendumi. Nëse opozita do të bashkohet ok, nëse nuk do atëherë ne do kalojmë në referendum nëpërmjet të cilit të arrihet tek ndryshimet kushtetuese. Varianti i parë për të shkuar në referendum është me 20% e popullsisë së regjistruar, dhe varianti i dytë me 2/3 e parlamentit, pra edhe me votat e opozitës. Marrëveshjet dy paleshe për ndryshimet kushtetuese nuk sjellin gjë të mirë dhe sipas Metës duhet konsensus. Qëndrimi i LSI-së e profilizon forcë të tretë politike”, tha Abilekaj.

Lidhur me rolin e ambasadorit amerikan në procesin për reformën në drejtësi, Abilekaj tha se ‘Meta pas takimit me ambasadorin amerikan mori rolin e protagonistit për negociatat për reformën’. “Dukej se fjala konsensus ishte retorikë. Pas takimit me ambasadorin amerikan, Meta e mori situatën në dorë. Por kemi një ndryshim edhe të ambasadorit Lu, që nuk është më aq i hapur me deklaratat, nuk e ka më atë rolin e guvernatorit, kjo duhet bërë, kështu duhet bërë. Pavarësisht mbështetjes popullore, elita politike nuk e mbështeti këtë lloj qëndrimi dhe ka një ndryshim gjuhe”, shtoi Abilekaj.

Ai komentoi edhe marrëdhënien mes kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta, për të cilën tha se vazhdon të jetë me ulje-ngritje.

“Marrëdhënia mes Ramës dhe Metës vazhdon të jetë me ulje-ngritje shumë të shpeshta. Sot doli edhe lajmi i anulimit të takimit mes Ramës dhe Metës. Lajmi i darkës gjithashtu i një darke të shtyrë dhe rishtyrë disa herë. Protagonizmi i Metës me reformën në drejtësi është marrja e një terreni të humbur, që ai e la vitin që shkoi dhe e mori Rama. Tani ai po kërkon të fitojë imazhin dhe kohën e humbur. Shpresojmë që ky protagonizëm të ketë rezultat, gjasat janë të pakta”, tha Abilekaj.

Sipas tij, kundërshtimi i drafteve nga palët, ka qenë një lloj hezitimi për t’u marrë me draftet për shkak të presionit për të mbyllur reformën. Abilekaj shton se ky draft ka nevojë për disa ndryshime. Ai tha se problemi nuk qëndron tek shumica me 2/3 apo 3/5 por tek përplasja e institucioneve. “Dukej sikur ai që nuk i donte disa pika të draftit nuk e donte reformën në drejtësi. Ky draft ka vërtetë nevojë për disa ndryshime. Vërejtjet e Venecias e konfirmojnë. Qëndrimi i Ramës është që konsensusi gjendet tek Komisioni i Venecias. Kjo gjë e lë të hapur mundësinë. E vetmja gjë që e bllokon është drafti referues. Nëse ne kemi një draft referues të hapur dhe jo të mbyllur ka mundësi për konsensus. Nëse ka vullnet për ta miratuar reformën në drejtësi. Nëse reforma në drejtësi përdoret për të bërë zgjedhje, ne nuk do të kemi një reformë të miratuar. Nëqoftëse do ketë një reformë të miratuar bashkë me zgjedhjet do jetë reforma më e keqe. Duhet të shmanget bllokimi i reformës. Është më mirë të bëhet një reformë me konsensus, pa zgjedhje dhe pa sforcime që çon në rezultate shumë të këqija. Pika më e nxehtë është 2/3 ose 3/5. Kemi disa institucione, anëtarët e të cilëve zgjidhen me 3/5 nga parlamenti. Kemi të bëjmë me një maxhorancë që është PS-LSI që zgjedh këta dhe mund të marrë në kontroll sipas opozitës. Vërtetë kjo maxhorancë mund të zgjedhë anëtarët e këtyre institucioneve, por as LSI dhe as PS nuk janë të interesuara të lënë njëra-tjetrën. Lufta mes tyre është me e fortë se lufta e tyre me opozitën. Nuk ka patur kurrë një votim me 84 vota brenda së majtës. Ky shqetësim i opozitës nuk është real. Meta dhe Rama e kontrollojnë njëri-tjetrin për çdo emërim që bëjnë jo më për emërime në drejtësi. Nuk është problemi me 3/5 apo 2/3, problemi janë institucionet që krijohen, përplasjet që mund të kenë me njëri-tjetrin”, deklaroi Abilekaj.

(m.k/BalkanWeb)